Ndërlidhjet

Kush është grupi Al-Shabab?


Grupi fundamentalist islamik, Al Shabab, në Somali, është pak i njohur jashtë Afrikës Lindore.

Por, sulmi i këtij grupi në një qendër tregtare në kryeqytetin Najrobi të Kenias, tregon se ai është njëri nga grupet më të forta, që janë të afërta me rrjetin al-Kaida.

Al-Shabab, që në gjuhën arabe do të thotë “rinia”, është paraqitur nga Somalia e shkatërruar nga lufta, në vitin 2006.

Ai është një grup radikal sunit, që në kulmin e forcës së tij, e kishte pasur fjalën kryesore në pjesën më të madhe të Somalisë Jugore, por tash është detyruar të tërhiqet në hapësirat rurale nga forcat e Bashkimit Afrikan, të përbëra kryesisht nga ushtarët e Kenias, që po përpiqen ta stabilizojnë Somalinë dhe ta mbështesin qeverinë e dobët.

Në ato hapësira që i ka nën kontroll, grupi Al-Shabab e zbaton me përpikëri të Drejtën e Sheriatit, përfshirë vrasjen me goditje me gurë të femrave, të akuzuara për tradhti bashkëshortore, dhe prerjen e duarve të hajnave.

Al-Shabab dy herë ka sulmuar në vendet fqinje, ushtarët e të cilave marrin pjesë në forcën për stabilizimin e Somalisë.

Ky grup e ka koordinuar sulmin me bombë kundër Ugandës, në vitin 2010, nga i cili u vranë 76 vetë.

Tash, grupi e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e kësaj jave në qendrën tregtare në Najrobi, nga i cili u vranë dhjetëra njerëz.

Por, shtrohet pyetja se cilat janë lidhjet e grupit Al-Shabab me rrjetin Al-Kaida?

Lideri aktual i këtij grupi, Mukhtar Abu Zubair, i ka premtuar besnikëri terrorit global në shkurt të vitit 2002, por është e paqartë se kush saktësisht e kontrollon pjesën më të madhe të grupit Al-Shabab dhe për sa kohë.

Sulmi aktual në Najrobi mund të sugjeroj se Abu Zubair, i cili shpeshherë flet për nevojën e xhihadit global, tash po e udhëheq grupin somalez në drejtimin e njëjtë sikur Al-Kaida.

Ai ishte i përfshirë në një luftë të brendshme për pushtet, në të cilën janë vrarë disa rivalë të tij, që ,e shihnin al-Shababin si grup të fokusuar vetëm në Somali.

Megjithatë, eksperti rajonal në Qendrën për Studimin e Terrorizmit dhe Dhunës Politike në Skoci, Peter Lehr, thotë se mbetet të shishet se sa me të vërtetë ky grup është i lidhur me Al-Kaidën.

Duhet të mbajmë mend se Al-Shabab nuk është realisht organizatë unike me hierarki strikte. Në themel është një lloj i aleancës të klerikëve të rëndësishëm, me trupat e veta, dhe përfshinë prej ekstremistëve radikalë e deri te ata që janë shumë të moderuar. Prandaj, nëse ndonjë zëdhënës thotë se ne jemi pjesë e Al-Kaidës, disa të tjerë mund të kenë pikëpamje tjetër”, thotë eksperti Lehr.

Studiuesja Anna Rader, nga Instituti i Bashkuar Mbretëror me seli në Londër, po ashtu , thotë se fuqia e përkushtimit të Al-Shababit, për xhihadin global të Al-Kaidës, mbetet ende në masë të madhe i paqartë.

“Mendoj se ne nuk duhet ta nënvlerësojmë faktin se Al-Shabab ishte i sponsorizuar nga disa klane në Somalinë Jugore. Nëse grupi e fillon derdhjen e burimeve në xhihadin ndërkombëtar, të cilin liderët fisnorë në pjesën jugore të Somalisë, nuk e dëshirojnë, atëherë mund të shihni shumë fërkime atje”, tha ekspertja Anna Rader.

Në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani, që kanë komunitete të mëdha nga Somalia, çështja se a paraqet grupi Al-Shabab rrezik jashtë Afrikës Lindore, shkakton shqetësim të madh.

Peter King, anëtar i Komitetit për Siguri të Brendshme të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, tha se grupi Al-Shabab, kishte rekrutuar afro 50 njerëz nga komunitetet somaleze në Shtetet e Bashkuara.

Sipas tij, ka shqetësim se disa prej tyre mund të kthehen nga Somalia dhe “t’i përdorin aftësitë e tyre në Shtetet e Bashkuara”. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG