Ndërlidhjet

Nis mbyllja e pjesshme e Qeverisë amerikane


Shtëpia e Bardhë
Shtëpia e Bardhë
Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka nisur mbylljen e shumë agjencive pas dështimit të Kongresit për të rënë dakord mbi një ligj të përkohshëm të buxhetit.

Pak para mesnatës në SHBA, zyra e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë ka urdhëruar agjencitë federale që të nisin mbylljen.

Kjo është hera e parë në 17 vjet që Qeveria e Shteteve të Bashkuara detyrohet të mbyllet pjesërisht.

Trupat amerikane do të mbeten në detyrë, ashtu si edhe shërbimet e tjera jetike, të nevojshme për sigurinë kombëtare, si: dërgimi i postës, kontrollimi i trafikut ajror, patrullimet kufitare dhe zbatimi i ligjit.

Por, nisur nga e marta që shënon edhe fillimin e vitit të ri fiskal, shumë shërbime joesenciale do të mbyllen së paku përkohësisht dhe qindra mijëra punëtorë do të qëndrojnë në shtëpi.

Parqet kombëtare, muzetë dhe monumentet, përfshirë Statujën e Lirisë, do të mbyllen.

Është e paqartë se sa mund të zgjasë mbyllja. Çdo mbyllje e tejzgjatur mund të ndikojë ekonominë e Shteteve të Bashkuara dhe atë globale, si dhe të çrregullojë jetët e punonjësve federalë, të cilët nuk do të marrin paga.

Barack Obama
Barack Obama

Ngërçi politik ka të bëjë me masat që kërkojnë republikanët opozitarë, për të kufizuar programin e presidentit Barack Obama për kujdesin shëndetësor, të njohur si Obamacare.

Anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë futur një gjuhë të atillë në ligjin e buxhetit, e cila ka çuar në refuzim nga ana e Senatit, i cili kontrollohet nga anëtarët e Partisë Demokratike të presidentit Obama.

Anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve pritet të vazhdojnë bisedimet për një legjislacion të ri të mundshëm.

Aksionet e tregjeve globale kanë rënë ndjeshëm të hënën, për shkak të shqetësimeve se marrëveshja nuk do të arrihej.

Në një mesazh për trupat e Shteteve të Bashkuara, Obama ka thënë se ka nënshkruar një ligj, i cili siguron se ushtarët amerikanë do të paguhen me kohë.

“Operacionet aktuale ushtarake, të tilla si përpjekjet tona në Afganistan, do të vazhdojnë. Nëse ju shërbeni në rrezik, do të sigurojmë se do të keni atë që është e nevojshme për të pasur sukses në misionet e juaja. Kongresi e ka miratuar dhe unë e nënshkruaj në ligj masën që siguron pagesën e juaj me kohë. Ne do të vazhdojmë të adresojmë çdo ndikim që kjo mbyllje ka te ju dhe familjet e juaja”, ka thënë Obama.

Disa orë para mbylljes, presidenti ka paralajmëruar se mbyllja e Qeverisë amerikane do të ketë “ndikim real ekonomik”.

“Mbyllja do të ketë ndikim të vërtetë ekonomik te njerëzit. Mbylljet e kaluara kanë çrregulluar në mënyrë të konsiderueshme ekonominë. Edhe kjo do ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Obama.

Ai ka theksuar se ligji i kujdesit shëndetësor, i quajtur Akti i Kujdesit të Arsyeshëm, do të hyjë në fuqi të martën, ashtu siç është planifikuar, dhe se ligjvënësit nuk janë në gjendje të bllokojnë zbatimin e tij.

Ligji për kujdesin shëndetësor ka për qëllim të ofrojë mbulesë për miliona amerikanë që nuk kanë sigurime.

Kundërshtarët republikanë të presidentit e shohin ligjin si kërcënim për ekonominë dhe shkatërrues për vendet e punës. Ata po ashtu thonë se masa kufuzon liritë individuale, duke kërkuar nga shumica e amerikanëve të kenë sigurim.

Mbyllja është e para që nga viti 1995-1996, kur Bill Clinton ka qenë president. (v.tela)
XS
SM
MD
LG