Ndërlidhjet

Daçiq: Do të shkoj në Kosovë dhe pikë!


Ivica Daçiq, foto nga arkivi
Ivica Daçiq, foto nga arkivi
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka porositur të mërkurën nga Beogradi se do ta vizitojë Kosovën dhe se gjatë bisedimeve në Bruksel mbi këtë çështje është thënë qartë se "këtë të drejtë nuk ia mohon dot askush".

“Nuk më intereson se si do të interpretohet kjo nga të tjerët. Unë dua të shkoj në Kosovë dhe kjo gjë duhet të më sigurohet dhe pikë”, ka thënë të mërkurën shefi i Qeverisë së Serbisë, njoftojnë mediat serbe.

Ditë më parë homologu i tij në Prishtinë, Hashim Thaçi, kishte thënë se në rast të ndonjë kërkese nga zyrtarët e lartë serbë për të vizituar Kosovën, ata nuk do të pengohen nëse kanë motiv tjetër përpos zgjedhor.

“Në asnjë rrethanë me karakter elektoral. Por, nëse dëshirojnë që të vizitojnë ndonjë manastir, atëherë ne do t’i lejojmë”, kishte thënë Thaçi të martën.

Njëzetekatër orë më vonë, Daçiq paralajmëron se në Kosovë do t’u bëjë thirrje serbëve që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për “Listën Serbe”, por se nuk do të marrë pjesë në mitingje klasike zgjedhore.

Respektimi gjysmak i kushteve të Prishtinës, sipas tij, del të jetë pjesë e negociatave që janë bërë në Bruksel, ku kryeministri i Serbisë thotë ta ketë bërë të qartë se ardhja e tij në Kosovë, nuk guxon të kontestohet.

“Unë e falënderoj Brukselin, sepse ne që në fillim e kemi bërë të ditur se kjo është absolutisht e pamundur që dikush neve të na ndalojë ardhjen në Kosovë”, ka theksuar Daçiq.

“E rëndësishme është që ne të realizojmë atë që duam dhe kjo është që të jemi me popullin tonë, t’iu bëjmë ftesë që të dalin në zgjedhje dhe të mbështesin listën, prapa së cilës qëndron shteti i Serbisë”, ka shtuar ai.

Dhe, ndërkohë që debati për hyrje-daljet e zyrtarëve të lartë shtetërorë të Serbisë në Kosovë vazhdon, në Zveçan të mërkurën ka qëndruar shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Aleksandar Vulin, për të zhvilluar, siç thuhet, takime me popullatën e atjeshme.

“Prishtina ka frikë që situata politike në Kosovë do të ndryshojë në mënyrë të pakthyeshme dhe këtë frikë e ka të arsyeshme. Situata politike në Kosovë, me hyrjen e serbëve në zgjedhje, do të ndryshojë pakthyeshëm. Askush më s’do të mund të qeverisë pa ta, pa serbët. Marrëveshja e Brukselit e ka paraparë kështu dhe ne do t’i përmbahemi asaj”, është shprehur Vullin gjatë vizitës në veri.

Sipas Vulinit, nëse funksionarët e Qeverisë në Prishtinë mendojnë që serbët në Kosovë do të dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit pa pjesëmarrjen aktive të Beogradit, atëherë ata gabohen shumë dhe për këtë arsye edhe e konsideron si të palogjikshme ndalesën e nxjerrë ditë më parë nga Prishtina zyrtare.

Ose, siç ka thënë ai “dikush, ose nuk dëshiron që marrëveshja e Brukselit të zbatohet, ose mendon që Kosova gjendet në një planet tjetër. Pa Beogradin, nuk ka marrëveshje të Brukselit, dhe pa pjesëmarrjen aktive të Beogradit, nuk do të ketë dalje masive të serbëve të Kosovës në zgjedhje”.

Mekanizmat e deritashëm në fuqi për vizita të zyrtarëve shtetërorë serbë në Kosovë, parashohin që për këtë gjë, fillimisht, Beogradi të njoftojë zyrën e Bashkimit Evropian në Serbi. Pastaj, kjo zyrë ia kalon kërkesën apo njoftimin e autoriteteve serbe, zyrës së saj homologe në Prishtinë, dhe ajo më pas ia përcjell Qeverisë së Kosovës.

Në zyrën për medie të përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, nuk flasin nëse ka kërkesë për ndonjë vizitë të burrështetasve serbë, edhe pse në mediat e Beogradit qarkulloi lajmi për disa ditë se të enjten më 10 tetor, në Graçanicë do të shkojë nga Beogradi presidenti Tomisllav Nikolliq.

Mirëpo, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se pavarësisht kushtëzimeve të përsëritura të Prishtinës, ai dhe dy funksionarët tjerë më të lartë të shtetit serb, do të vizitojnë Kosovën, dhe se për këtë gjë, nuk duan probleme.

“Sigurisht që asnjë mekanizëm, apo rrugë se si do të bëhet komunikimi, kur vjen fjala për vizitat e tilla - këtu kam fjalën për funksionarët më të lartë të shtetit, gjegjësisht presidentit Tomisllav Nikolliq, zëvendëskryeministrit Aleksandar Vuçiq, dhe timen, të cilat i kemi paralajmëruar – nuk bën që të ketë probleme”, ka thënë Daçiq.

Fatmire Tërdevci nga zyra për media e Zyrës Ndërlidhëse të Bashkimit Evropian në Prishtinë, ka pohuar për Radion Evropa e Lirë, se në rast të vizitave të politikanëve serbë në Kosovë, këto rregulla vlejnë.

“Kërkesa së pari i dorëzohet delegacionit të BE-së në Beograd, më pas kjo kërkesë i dorëzohet zyrës së BE-së në Prishtinë, dhe më pas e njëjta kërkesë procedohet te Ministria e Drejtësisë, e cila vendos për aprovimin apo jo të saj”, ka pohuar Tërdevci.

Sipas saj, nëse ka vizita të paralajmëruara të dikujt nga Beogradi në Kosovë, duhet pyetur Qeverinë e Kosovës.

“Ne nuk mund të themi asgjë rreth kësaj”, ka thënë Tërdevci duke shpjeguar se nga Beogradi nuk vijnë njoftime, por “kërkesa” - bazuar në përvojën e deritashme.
XS
SM
MD
LG