Ndërlidhjet

Cigaret elektronike - duhan apo prodhime mjekësore?


A duhet të sistemohen cigaret elektronike si produkte të duhanit, apo ato janë pajisje medicinale që duhet të shiten vetëm në barnatore?

Ky është debati që ka shpërthyer në Evropë pas një votimi më 8 tetor në Parlamentin Evropian.

Si pjesë e një pakete legjislative, e cila ka për qëllim të dekurajojë të rinjtë nga pirja e duhanit, ligjvënësit evropianë kanë miratuar një projektligj, i cili rregullon marketingun e cigareve elektronike.

Masa duhet të miratohet nga të 28 qeveritë e BE-së në Këshillin Evropian.

Këshilli ka rekomanduar në muajin qershor se cigaret elektronike duhet të sistemohen si prodhime medicinale, që mund t’iu ndihmojnë njerëzve të ndalojnë pirjen e duhanit dhe që mund të gjenden vetëm në barnatore.

Por, pas lobimit intensiv nga industria në rritje e cigareve elektronike, e cila përfshin kompani të fuqishme të duhanit, Parlamenti Evropian nuk ka marrë parasysh rekomandimin e Këshillit.

Në vend të kësaj, ligjvënësit në Strasburg kanë votuar që marketingu i cigareve elektronike të jetë i rregullur në atë mënyrë si edhe marketingu i cigareve të zakonshme.

Kjo do të thotë se shitja e cigareve elektronike për personat nën 18 vjeç do të jetë e ndaluar në Bashkimin Evropian. Etiketat paralajmëruese shëndetësore do të jenë po ashtu të nevojshme. Por, edhe këto cigare do të mund të gjenden në dyqanet e duhanit apo dyqane të specializuara.

Po, a do të pajtohet Këshilli Evropian që cigaret elektronike të trajtohen si duhan, apo do të vazhdojë të insistojë se ato duhet të sistemohen si pajisje medicinale?

Linda McAvan, anëtare e Parlamentit Evropian nga Britania, do të shërbejë si raportuese e këtij institucioni gjatë negociatave për këtë këtë çështje me Këshillin Evropian.

McAvan thotë se të gjithë anëtarët e Parlamentit Evropian kanë rënë dakord se cigaret elektronike nuk mund të jenë të parregulluara në treg. Ajo thotë se ka bazë për kompromis me qeveritë e BE-së, të cilat insistojnë në rregullore medicinale.

“Është e qartë që Parlamenti Evropian ka marrë një pozicion, i cili është e kundërta e produkteve mjekësore. Por, në të njëjtën kohë, ka disa elemente të përbashkëta - ato duhet të rregullohen. Andaj, duhet të nisim dialogun. Është vështirë të parashikohet se çfarë do të pranojnë kolegët e mi në Parlamentin Evropian dhe çfarë qeveritë e Këshillit Evropian”, thotë McAvan.

Por, Francesco Blasi, profesor i mjekësisë respiratore në Universitetin e Milanit, thotë për Radion Evropa e Lirë se cigaret elektronike janë ende të reja, për të ditur implikimet afatgjate shëndetësore.

“Nuk kemi shumë informacione në lidhje me sigurinë e përdorimit të cigareve elektronoike. Kemi vetëm të dhëna në lidhje me efikasitetin e tyre në ndalimin e duhanit. Mendoj se nëse nuk shkohet nën kontrollin e Agjencisë Mjekësore Evropiane do të ishte për keqardhje”, thotë Blasi.

Studimi i fundit i cigareve elektronike, i publikuar në muajin shtator nga revista mjekësore britanike “The Landet”, ka konstatuar se nuk ka dallim të rëndësishëm midis fashave me nikotinë dhe cigareve elektronike pë rata që bëjnë përpjekje të lënë duhanin.

Blasi thotë se duhen së paku edhe dy vjet të tjerë të studimieve për të përcaktuar rreziqet afatgjate shëndetësore.

Lobistët për duhanin dhe cigaret elektronike thonë se kufuzimi i këtyre të fundit vetëm në barnatore do të dekurajonte përdorimin e pajisjeve nga njerëzit që përpiqen të lënë duhanin.(v.tela)
XS
SM
MD
LG