Ndërlidhjet

EULEX-i shton praninë policore në veri


EULEX
EULEX
Në veri të Kosovës me afrimin e datës 3 nëntor, kur do të mbahen zgjedhjet lokale, janë rritur aktivitetet e kundërshtarëve, të cilët po bëjnë thirrje që zgjedhjet e organizuara nga institucionet kosovare, të bojkotohen nga serbët lokalë dhe, siç thonë ata, të dështojnë ato.

Autoritetet e rendit thonë se në bazë të planit operacional, po merren edhe veprime për sigurinë e qytetarëve dhe garuesve në zgjedhje.

Në misioni evropiane për sundimin e ligjit, EULEX, thonë se në bashkëpunim me mekanizmat e tjerë, janë duke ofruar siguri.

Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, thotë se pjesëtarët e policisë ndërkombëtare, në veçanti, do të jenë të fokusuar në veri të Kosovës.

“EULEX-i, në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in, do të mbështesë Policinë e Kosovës në ofrimin e sigurisë gjatë zgjedhjeve. Fokusi i EULEX-it do të jetë veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës. Për këtë arsye, EULEX-i do të rrisë praninë policore në veri”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, Policia e Kosovës thotë se Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Kosovës, tashmë ka lëshuar urdhrin operativ për të gjitha drejtoritë rajonale dhe stacionet policore dhe është duke vepruar në bazë të atij urdhri. Zëdhënësi i Policë së Kosovës, Baki Kelani, shpjegon më shumë:

“Bazuar në planin policor, ne kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që të ofrojmë siguri për të gjithë qytetarët dhe për të gjithë pjesëmarrësit që mund të jenë të përfshirë në një mënyrë, apo një tjetër në procesin zgjedhor. Kjo siguri do të ofrohet edhe në pjesën e veriut të Mitrovicës. Atje kemi një bashkëpunim të mirë edhe me faktorin ndërkombëtar”.

Zëdhënësi Kelani tha se si në veri të Kosovës, ashtu edhe në pjesët e tjera të vendit, situata është e qetë dhe nuk ka pasur ndonjë problem që i takon procesit zgjedhor.

“Situata në përgjithësi është e qetë dhe plani, ashtu siç ka filluar së zbatuari faza e parë, tani kalimi në fazën e dytë dhe të tjera është duke shkuar ashtu siç ne e kemi paraparë. Ky plan, parash ofrim të sigurisë të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në gjithë territorin e Kosovës”, shpjegon Kelani.

Ndryshe, autoritetet policore të Kosovës kanë përsëritur se përgjegjësinë kryesore për sigurinë në veri e ka Policia e Kosovës, e mbështetur edhe nga EULEX-i.

Ndërsa, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, kanë deklaruar se autoritetet e rendit duhet të shtojnë masat e sigurisë në mënyrë që të ketë fushatë zgjedhore dhe zgjedhje të qeta.

Ata kanë vlerësuar, po ashtu, se për dallim nga pjesët e tjetër të Kosovës, në veri mund të ketë tensione me rastin e zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG