Ndërlidhjet

Vlerësime pozitive, por edhe ngecje


Komisioni Evropian
Komisioni Evropian
Prishtina zyrtare pranoi të mërkurën matësin e zhvillimit të Kosovës nga pikëpamja e Brukselit, të cilin e cilësoi si real.

Ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, tha para mediave se me pranimin e Raportit të progresit, është dhënë edhe data e fillimit zyrtar të negociatave do të nisë më 28 tetor me ardhjen në Prishtinë të Komisionarit Evropian për Zgjerim, Stefan Fule.

“Qeveria e Kosovës mirëpret publikimin e sotëm të Raportit të Progresit 2013 nga ana e Komisionit Evropian. Raporti paraqet gjendjen reale dhe faktike të zhvillimeve një vjeçare në Republikën e Kosovës. Duke vënë në pah sfidat që na presin, dhe duke vënë në pak të arriturat”, tha Çitaku të mërkurën pasdite në një konferencë për gazetarë në Prishtinë.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, nënvizoi se pikat themelore për integrime evropiane mbesin “sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, çështjet ekonomike dhe konkurrenca”.

Sipas tij, Kosova duhet t’i përmirësojë këto standarde.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ndërkaq garantoi përkushtim maksimal të qeverisë në përmbushjen e detyrave që dalin për procesin integrues.

“Është e vërtetë që raporti i progresit përveç që ka nënvizuar të arriturat, ka nënvizuar edhe sfidat. Një ndër to është përmbyllja e reformës zgjedhore, përmbyllja e reformës së administratës publike, më pas, fuqizimi i institucioneve të pavarura në fushën e rendit dhe ligjit. Në këtë pikë ne kemi ndërmarr disa hapa, të cilët nuk janë të reflektuar në raportin e progresit, për shkak se kanë ndodhur ditëve të fundit, dhe rrjedhimisht nuk kanë mundur të jenë aty”, tha ajo.

Gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të Raportit të progresit, diplomati Samuel Zbogar si segment të parë përmendi reformën zgjedhore, pastaj pavarësinë e Gjyqësorit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Ngecjet e pasqyruara në këtë dokument, për njohësit e zhvillimeve në vend dhe të procesit të integrimeve evropiane, janë veçse reflektim i përditshmërisë kosovare.

Naim Rashiti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave tha për Radion Evropa e Lirë se, Kosova vazhdon të mos tregojë rezultate të mira në reformën e rendit e ligjit, dhe atë të administratës publike.

“Në këto dy fusha, Kosova ende mbetet mbrapa. Në mënyrë të detajuar shtjellohen ngecjet, edhe po shihet se gjithnjë e më shumë, sa më thellë të futet Kosova në procesin e integrimit evropian, llupa e BE-së do të jetë edhe më e madhe. Prandaj, defektet e gjetura në rend dhe ligj, dhe në administratë publike, janë defekte serioze, të cilat po të kishte vullnet politik, do të merrte shumë kohë dhe vite, për t’i adresuar në mënyrë efektive”, tha Rashiti.

Ai vlerësoi se ky raport i progresit, është më ndryshe në krahasim me ata të mëhershëm, pasi është më i detajuar, për faktin se Kosova është në marrëdhënie tjetër me Bashkimin Evropian.

Raporti si bazë, sipas tij, ka në ballë të saj marrëveshjen për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, i cili “ka qenë një prej kritereve kyçe apo kryesore politike për të dy vendet”.

“Nga vetë raporti, vërehet se Kosova tanimë është në një fazë ndryshe, tjetër në marrëdhëniet me BE-në, që bazohet konsiderueshëm në marrëveshjen dhe negociatat për MSA, dhe si i tillë, e trason rrugën se kriteret e ardhshme me vlerësimet për Kosovën në të ardhmen, do të jenë në kuadër të MSA-së”, theksoi Rashiti.

Por, përderisa ky format do të jetë pika e fokusit për vlerësimin e ardhshëm të Komisionit Evropian për Kosovën, për dikë nuk është i mjaftueshëm.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane,konsideron se Qeveria në Prishtinë nuk po bën sa duhet për qytetarin dhe ngritjen e mirëqenies së tij.

“Raporti [i progresit] ka shumë elemente, ku faktikisht kërkon një qeverisje shumë më të mirë, ku kërkon që investimet të mos jenë vetëm në rrugë, por ato të bëhen edhe në sektorin e drejtësisë, që të luftohet korrupsioni, që Kosova ta adresoj çështjen e problemit ekonomik që e ka, me një papunësi jashtëzakonisht të madhe”, u shpreh Muharremi.

Sipas Muharremit, këto elemente të reformës më të thellë në gjyqësor, atë zgjedhor dhe të administratës publike, nuk po trajtohen seriozisht nga Qeveria e Kosovës.

“Kështu që përderisa ka pasur progres në aspekt politik me MSA-në, dhe me dialogun me Serbinë, Kosova po vazhdon të vendnumërojë sa i përket zhvillimit ekonomik, reformave në administratë, në mënyrë që të krijojë një administratë dhe të ketë një qeverisje, e cila i mundëson Kosovës të gjenerojë punësim, dhe ta përmirësojë jetën e qytetarit”, vlerësoi Muharremi.

Sipas tij, ekzekutivi i Kosovës nuk duhet të vazhdojë të “ndërtojë autostrada” sikur të kishte “buxhetin e Gjermanisë, në një vend ku problemet lokale janë furnizimi me ujë të pijshëm dhe menaxhimi i ujërave të zeza dhe mbeturinave”.
XS
SM
MD
LG