Ndërlidhjet

Kuvendi dështon sërish


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe përfaqësuesit e partive politike të komuniteteve, bojkotuan për të dytën herë seancën e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritej të kompletohej Komisioni hetimor për shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Në mungesë të deputetëve nga pozita, partitë politike opozitare drejtuan kritika të ashpra ndaj Qeverisë dhe deputetëve që nuk ishin të pranishëm në Kuvend.

Formimi i Komisionit, gjegjësisht plotësimi i tij, do të jetë kërkesë e vazhdueshme e Grupit Parlamentar të LDK-së, pavarësisht se kur do të mbahet seanca e radhës, tha Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Beqiri theksoi se veprimet e tilla të Qeverisë dhe partive në koalicion, të cilat kanë bojkotuar seancën, janë dëshmia më e mirë se si ato po e bllokojnë punën e Kuvendit.

“Nuk është ndonjë risi kjo që po ndodh sot. Ne, në çdo seancë, do ta kemi kërkesën që të plotësohet komisioni, të votohet ashtu siç parashihet, sepse kemi obligim ndaj 40 nënshkrimeve, 40 deputetëve dhe ata nuk kanë hequr dorë nga kjo kërkesë. Le të votojnë kundër ata që janë për transparencë, sipas tyre, e që është një rrenë ordinere për çështjen të cilën ka të bëjë ky komision”, tha Beqiri.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar nga subjekti politik Vetëvendosje, Visar Ymeri, deklaroi se kompletimin e Komisionit hetimor që po e kundërshton PDK-ja, nuk do të mund ta ndalojë Qeveria, siç nuk do të mund ta ndalojë as punën e Kuvendit.

“Një porosi për Qeverinë që nuk mund ta ndalin themelimin e këtij komisioni. Këta mund të japin dorëheqje, edhe duhet të japin dorëheqje dhe të mos vijnë më në Kuvend, kjo është e dejtë e tyre. Por, jo që ta ndalin edhe të tentojnë ta bojokotojnë punën e Kuvendit në përgjithësi dhe të një Komisioni hetimor, në veçanti. Ato që dëgjojmë nga shefi i Grupi Parlamentar të PDK-së, që ata janë për transparencë, është vetëm një retorikë e gënjeshtërt”, tha Ymeri, duke shtuar se si subjekt politik nuk do të lejojnë që seancat e tjera të vazhdojnë pa u votuar Komisioni hetimor.

Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se bojkotimi i seancave nga partitë në koalicion, tregojnë një logjikë të keqe të punës së qeverisë aktuale.

“Mënyra e tillë e funksionimit ose e bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës, vërtet është e papranueshme dhe është dëmtuese jo vetëm për tash, jo vetëm për një seancë, por është dëmtuese për një kohë shumë më të gjatë. Është dëmtuese edhe për mënyrën e funksionimit demokratik të institucioneve”, theksoi Ramadani.

Nga ana tjetër, deputeti i vetëm i partisë në pushtet, PDK, Hydajet Hyseni, i cili ka qenë i pranishëm në seancë, tha se nuk po arrin t’i kuptojë qëndrimet e asnjërës palë, si pozitës, ashtu edhe opozitës.

“Është nisur pak gabim kjo punë dhe druaj që është gabim në të dyja anët. Po na mungon qëndrimi racional dhe këtu dua të vë theksin. Instituti i marrëveshjes, është instituti i funksionimit demokratik dhe e respektoj. Opozita duhet të bëjë punën e saj, sidomos në fushata si kjo e zgjedhjeve, të humbet çdo arsye dhe të harrohet instituti i marrëveshjes - mendoj se ky është defekti kryesor”, u shpreh Hyseni.

Mendimit të deputetit Hyseni iu përgjigj deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, i cili tha se deputeti Hyseni po bën një gabim shumë të madh duke tentuar barazojë deputetët që punojnë dhe ata që ikin nga puna.

“Nuk mund t’i bësh barabar deputetët e ndërgjegjshëm që vijnë të punojnë në Parlament, me ata që nuk vijnë me asnjë kusht. Ata motive nuk kanë. Ata kanë motive mos të punojnë në Parlament”, tha Hamiti.

Kryesuesi i seancës së Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka mbyllur seancën e së enjtes, në mungesë të kuorumit. Ai tha se Kryesia e Kuvendit do të vendosë të hënën se a do të ketë më seancë gjatë këtij muaji, apo jo.

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kishin iniciuar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit në lidhje me shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kërkesa e tyre është mbështetur nga nënshkrimet e 40 deputetëve, me çka është kërkuar formimi i një Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me privatizimin e PTK-së.
XS
SM
MD
LG