Ndërlidhjet

Kosovë-Serbi: Arbitrazhi, zgjidhje për kontestet biznesore


Ilustrim
Ilustrim
Marrëveshja e Arbitrazhit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës, pritet të nënshkruhet në dhjetor të këtij viti, do të ketë në fokus zgjidhjen e kontesteve ekonomike ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe atyre në Serbi.

Qendra e Arbitrazhit në Odën Ekonomike të Kosovës është hapur që nga viti 2011 dhe deri më tani ka arritur të bëjë zgjidhjen e disa kontesteve ekonomike ndërmjet bizneseve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për Radion Evropa e Lirë bën të ditur disa detaje të marrëveshjes së arbitrazhit që do të nënshkruhet ndërmjet OEK-ut dhe Odës së Tregtisë dhe Industrisë së Serbisë.

“Tani e tutje, përmes kësaj marrëveshjeje, do të hapet një mundësi e re që të gjitha problemet me karakter ekonomik ndërmjet bizneseve nga Kosova dhe Serbia me dëshirën e tyre të zgjidhen përmes kësaj forme, e cila i ka efektet e veta pozitive, në rend të parë e redukton kohën është shumë më e lirë dhe mbi të gjitha është shumë e shpejt nga vetë fakti se gjykatat edhe në Kosovë, edhe në Serbi janë të stërngarkuar dhe do të thotë vendimet që do të bin këto arbitrazhe do të jenë të pranuara automatikisht në gjykatat ekonomike”, thekson Gërxhaliu.

Kosova është kritikuar në raportet e ndryshme ndërkombëtare për mosefikasitet të gjykatave. Në ato raporte ishte theksuar se zgjidhja e një kontesti tregtar mes bizneseve në vlerë prej 3 mijë eurosh, në Gjykatën Ekonomike të Prishtinës, zgjat 420 ditë, gjë që ishte konsideruar kohë e gjatë.

Po ashtu, ishte konstatuar se në Kosovë ekzistojnë konteste të shumta ndërmjet bizneseve dhe se ato biznese shpesh nuk iu drejtohen gjykatave për shkak të procedurave të stërzgjatura dhe kostos së lartë.

Zgjidhja e kontesteve ekonomike ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe Serbisë, sipas Safet Gërxhaliut, do të jetë një kontribut edhe për normalizimin e raporteve ekonomike të këtyre dy shteteve, promovimit të rajonit dhe, sipas tij, do të jepet një mesazh i ri për investitorët e huaj se në Kosovë ka infrastrukturë dhe se rajoni është i gatshëm për t’i pritur investitorët ndërkombëtarë.

“Është një lehtësi e re dhe një mundësi e ofrimit të një përparësie psikologjike për komunitetin e biznesit nga të dyja shtetet që edhe nëse do të kenë ndonjë mosmarrëveshje apo probleme, qoftë në pagesa, apo diçka tjetër, tani e kanë një adresë të re dhe janë arbitrazhet e të dyja shteteve, të cilat në mënyrë profesionale do t’i trajtojnë dhe do të sjellin vendime që do të jenë në harmoni me legjislacionin aktual”, tregon Gërxhaliu.

Sa i përket marrëveshjes së arbitrazhit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, vlerëson se ka një rëndësi të jashtëzakonshme, duke e ditur se ekzistojnë konteste ndërmjet bizneseve të Serbisë dhe Kosovës.

“Në kuadër të bisedime që po zhvillohen ndërmjet dy shteteve për normalizimin e marrëdhënieve, unë besoj fuqishëm se çfarëdo marrëveshje në këtë rast edhe dy odave nacionale që i përfaqësojnë interesat e biznesit, kanë rëndësi jashtëzakonshme, duke e ditur se ndoshta ekzistojnë edhe konteste apo në të ardhmen mund të ketë mosmarrëveshje në këto raporte tregtare midis bizneseve të të dyja vende”, thekson Zeka.

Sipas Zekës, marrëveshja si e tillë do të duhej të përmbante edhe kontestet ekonomike që kanë të bëjnë me pronat publike.

“Nëse përpilohet si duhet, atëherë kjo marrëveshje për fushën e arbitrazhit mund të përdoret edhe për konteste që i kanë ndërmarrjet publike apo shoqërore me pronat tona që mbahen në mënyrë të paligjshme nga biznese tjera apo individë në territoret jashtë Kosovës, duke përfshirë edhe ato që ndodhen në Serbi”, thotë Zeka.

Autoritetet kosovare ka kohë që kanë identifikuar disa asete të ndërmarrjeve shoqërore në vende të ndryshme të rajonit. Sipas dokumenteve zyrtare, në territorin e ish-Jugosllavisë gjenden 172 prona të subjekteve ekonomike të Kosovës.

Ndërkaq, vetëm në territorin e Serbisë gjenden 104 prona të ndërmarrjeve shoqërore.
XS
SM
MD
LG