Ndërlidhjet

UNDP: Rreth 16% e serbëve të veriut në zgjedhje


Mitrovicë
Mitrovicë
Rreth 16% e qytetarëve serbë që jetojnë në veri të Kosovës, kanë deklaruar se gjithsesi do të dalin në zgjedhje të cilat do të mbahen më 3 nëntor.

Kurse 17% e banorëve kanë thënë se “ndoshta” do të votojnë dhe 23% prej tyre kanë deklaruar se ende nuk kanë vendosur.

Këto janë gjetjet më të reja të cilat i ka publikuar Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në raportin fakte e shpejta për komunat veriore lidhur me zgjedhjet lokale.

Të dhënat që i kanë prezantuar zyrtarët e kësaj organizate paraqesin një përmbledhje të sondazhit publik të realizuar në fillim të muajit tetor 2013.

Menaxheri i këtij projekti, Atdhe Hetemi, tha me gjithë faktin se një pjesë e madhe e respondentëve, rreth 44% të anketuar, kanë deklaruar se nuk do të votojnë, prapëseprapë gjendja nuk mund të konsiderohet si e dobët.

“Numri i atyre të cilët do të votojnë, ndoshta do të votojnë ose që nuk kanë vendosur ende gjithashtu është i kënaqshëm, duke pasur parasysh ndjeshmërinë politike dhe rrethanat në atë pjesë”, tha Hetemi.

Në anketimet të cilat janë realizuar në veri të Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq paraqiten qëndrimet e serbëve të Kosovës për perceptimet e tyre lidhur me zgjedhjet, pjesëmarrjen qytetare dhe parapëlqimet e shtëpive mediale në atë pjesë të Kosovës.

Zyrtarët e UNDP-së kanë theksuar se duke pasur parasysh ndjeshmërinë politike si dhe faktin që për herë të parë zgjedhjet në veri të lumit Ibër organizohen nën ombrellën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është inkurajues fakti dhe përqindja e qytetareve që do të dalin në zgjedhje.

Më shumë se 90% e banorët të pjesës veriore të Kosovë kanë deklaruar se janë të informuar për zgjedhjet që do të mbahen më 3 nëntor, përderisa vetëm 49% të tyre i dinë emrat e kandidatëve për kryetarë në komunat e tyre.

Në anën tjetër, 47% të respondentëve kanë deklaruar se nuk i njohin kandidatët dhe më pak se 5% nuk ishin të sigurt apo nuk janë përgjigjur.

Ngjashëm, 48% të qytetarëve që jetojnë në komunat veriore nuk janë në dijeni se cilat parti politike do të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Në anën tjetër, 42% të respondentëve kanë raportuar se janë në dijeni për to, ndërsa 10% e tyre kanë deklaruar se “nuk janë të sigurt”

UNDP konsideron se anketa që ka përfshirë 400 intervista sy më sy, paraqet gjetjet më të rëndësishme të cilat duhet të merren parasysh nga politikë-bërësit dhe organet e tyre të interesuara.

Kurse Mytaher Haskuka udhëheqës i politikave pranë UNDP-së, deklaroi se gjetjet nga ky hulumtim nuk mund të merren si diçka faktike pasi që siç tha ai gjendja në terren po ndryshon.

Në aspektin e anketës është një bërë një mostër reprezentative për popullatë, po nuk është e mjaftueshme me dhënë gjeneralizime edhe parashikime. Aspekti i përqindjes së qytetarëve që do të dalin në zgjedhje më 3 nëntor është shumë e paparashikuar. Kjo është vetëm një analizë për atë periudhë kohore kur është bërë anketa”, shpjegoi Haskuka.

Në raportin thuhet po ashtu se pjesëmarrja politike është faktor i rëndësishëm i zhvillimit njerëzor – gjersa trendet e gatishmërisë për votuar mund të ndryshojnë para zgjedhjeve të ardhshme vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta të bashkërenduara.
XS
SM
MD
LG