Ndërlidhjet

Leonarda po mendon të kthehet në Francë


Leonarda mendon të kthehet në Francë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00

Video: Gresa Kraja

Nëna iu sëmur dhe tërë natën nuk bëri gjumë, pasi Leonarda i tha asaj që po mendon seriozisht të pranojë ofertën e presidentit të Francës, François Hollande, që të kthehet atje për të vazhduar studimet.

Në vendin ku banon në Mitrovicë, lagja “Tavnik”, pas deportimit të dhunshëm nga Franca, Leonarda Dibrani thotë të jetë nën presion të vazhdueshëm, por heziton të thotë se nga kush.

Pesëmbëdhjetëvjeçarja në prani të nënës së saj thotë se e ka vështirë të vendosë nëse do të kthehet vetëm apo jo në Francë, ashtu siç i ka premtuar kryetari francez se mundet, por vetëm nëse kthehet vetëm, e jo me nëntë anëtarët tjerë të familjes.

Gjatë një vizite të bërë familjes Dibrani, të mërkurën, në vendbanimin e tyre të ri ku jetojnë prej se janë kthyer nga Franca më 9 tetor, zonja e shtëpisë Xhemile Dibrani, thotë se nuk ka kushte për jetesë.

Ankohet se s’po ka rrymë e ujë tërë kohën dhe se nuk po merr ndihma.

Në Kosovë s’kemi siguri. I kemi kërkuar fqinjit dje pak dru që të ndezim shporetin! Pastaj më vonë është ndalur rryma. Dhe, kjo na ka frikësuar shumë”, shprehet Xhemilja.

Familja Dibrani mori vëmendjen e mediave franceze, pasi policia e ndaloi vajzën e tyre, Leonardën, gjatë një ekskursioni me shkollën, në prani të shokëve të klasës. Arrestimi i saj shkaktoi trazira politike në Paris, kurse bashkëmoshatarët e saj protestuan për ditë të tëra.

Vetë presidenti i Francës, François Hollande, u përfshi në këtë çështje dhe i ofroi vajzës kthim në Francë për të vazhduar shkollimin, por me një kusht - që familja e saj të mbetet në Kosovë.

“Leonarda është e lirë të thotë se çfarë dëshiron të bëjë. Babai dhe nëna e saj nuk i thonë çfarë të bëjë”, këmbëngul Xhemilja.

“Ne nuk jemi kundër presidentit, ose Francës. Ne vetëm po themi që ta lëmë vajzën të shkojë vetëm në Francë, është sikur të të shpërthejë një bombë në zemër. Unë dhe burri im nuk jemi të pajtimit që të na ndahet vajza jonë!”, shpjegon e ëma.

Leonarda, ndërkaq, mundohet ta zbusë tonin e bisedës:

“Për të ardhmen time, ajo s’ka gjë kundër nëse unë dëshiroj të shkoj, edhe pse asaj do t’i dhembë largimi im”.

Por, nëna e saj vazhdon se “nuk është zgjidhje nëse Leonarda me 15 vjet, të dalë e të bëjë jetë më vete”, dhe pyet se, “kush është ai që do të nënshkruajë që Leonarda do të jetojë vetëm?”.

“Ti duhet të thuash [qartë], sepse nuk është zgjidhje nëse ti veç thua se nuk e di [a ta pranoj apo jo ofertën]! Askush nuk e di se çfarë ke në kokë. E gjithë bota do të mendojë se nëna dhe babai yt nuk po ta japin lirinë. A është kjo e vërtetë?”, e pyet e ëma Leonardën.

“Nuk kanë faj ata”, përgjigjet Leonarda dhe shton se pa pasur asnjë presion në fillim kishte refuzuar ofertën e presidentit të Francës.

“Nuk është se ata më thonë që nuk duhet t’i lë vetëm. Por, nuk e di. Po mendoj për të ardhmen time dhe të gjitha të tjerat. Dua ta mbaroj shkollën, sepse këtu, tash e 15 ditë sa jam këtu, nuk po shkoj në shkollë dhe po më duket e çuditshme këtu të shkoj në shkollë. Nuk e di përse... por po më mungon shkolla. Kur isha atje në shkollë, isha nxënëse e mirë, i bëja detyrat dhe të gjitha punët tjera. Por, këtu s’kam gjë. As në shkollë s’po shkoj”, thotë ajo.

Leonarda rrëfen të ketë pasur edhe një takim me një zyrtare të Ambasadës franceze në Prishtinë dhe se i ka bërë pyetje për mënyrën se si do të jetojë në rast se vendos të kthehet në Francë.

Kam pyetur se ku ndodhet familja pritëse! Doja ta dija dhe ajo më ka thënë se nuk kam për çfarë të brengosem! Do të mund t’i bëjë të gjitha pyetjet që më interesojnë. Kështu që për 2-3 ditë do ta kem përgjigjen”, thotë 15 vjeçarja që po mendon të shkojë të jetojë vetëm.

Për këtë shkak, ajo shpjegon se edhe po mendon të ndryshojë qëndrimin refuzues dhe se shumëçka varet nga takimi me diplomaten franceze, thirrjen e së cilës po pret.

Po! Mendoj që përgjigja ime do të ndryshojë. Mendoj që po, por ende nuk e di”, thotë ajo, megjithatë, e pavendosur.

“Unë që kam prindërit e mi, edhe pse ata më kanë gjetur një familje pritëse, dhe për këtë i falënderoj vërtet shumë, por ende nuk e di. Nuk e di nëse do të largohem apo jo?”, shprehet Leonarda Dibrani.

Refuzimin që i bëri presidentit francez për t’u kthyer vetëm në Francë, thotë ta ketë bërë që në fillim me hamendje, edhe pse nuk kishte presion nga prindërit.

“Mendoj shpesh se do të shkoj atje, do t’i mbaroj studimet dhe do të diplomoj. Kam menduar për këtë. Mendoj edhe për këtë. Në mendime i them vetes që duhet të shkoj, por në anën tjetër po i them vetes që duhet të rri me familjen time. Prandaj, s’po di si të vendosi. Por, nëse dikush do të kujdesej për mua, do të them po. Mirëpo, nëse jam vetëm atje [në Francë] jo,” thotë ajo.
XS
SM
MD
LG