Ndërlidhjet

Fjalimi "provokues"


“Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”.

Këtë mesazh dha kryeministri i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, gjatë fjalimit të mbajtur në Prizren, të mërkurën më 23 tetor. Kryeministri turk vizitoi Kosovën për të marrë pjesë në në ceremoninë e hapjes së terminalit të ri të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, i cili është marrë me koncesion nga një kompani franko turke.

Cilësimi që i bëri Kosovës zoti Erdogan, ka nxitur reagimin e Ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergjit.

Përmes një deklarate me shkrim, ai ka thënë se “Erdogan ka shprehur dëshirën që të jetë padroni i shqiptarëve”.

“Ka një kohë prej kur autoritetet e ndryshme të Turqisë provokojnë me ide neootomane, të cilat më ngacmojnë mendësinë dhe më prekin sedrën e të qenët shqiptar. Mirëpo, me fuqinë e arsyes dhe me pasurinë shpirtërore, gjithnjë gjeja forcën për të heshtur".

"Porse, fjalimi i zotit Erdogan në Prizren, me përmbajtje të shkapërcyem dhe fyes, me zë padroni dhe me një performancë dalldisjeje politike, ishte ogurzi, në kundërshtim me të vërtetën historike, me realitetin e sotëm dhe pa një propozim pozitiv për të ardhmen”,
thuhet në reagimin e ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji.

“Derisa dëgjoja këtë fjalim, më është kujtuar fjalimi i ngjashëm ogurzi në Fushë Kosovë, para më shumë se dy dekadave, ku me një dalldisje e tillë triumfaliste, nxitej masa me shpresa të rrejshme. Por, ne e dimë dhe jemi dëshmitarë se sa të këqija dhe sa mjerime ka bartur në vete koha dhe përvoja jonë njerëzore, që atëherë e deri te liria jonë”, thuhet në reagim.

Reagime të kësaj fryme, në kuadrin e qenësisë së një Kosove shtet më vete, ka pasur edhe në editorialet e gazetave të përditshme në Kosovë.

Kosova s’është Turqi, është...

Por reagime të një fryme krejt tjetër, të asaj se “Kosova është Serbi”, kanë ardhur nga Beogradi.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje Erdoganit që urgjentisht të kërkojë falje.

“Konsideroj se kjo deklaratë është skandal i madh dhe i bëj thirrje Turqisë dhe kryeministrit të saj, Erdogan, të kërkojë falje publike. Kjo është një sjellje e papranueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe duhet të shohim se cilat do të jenë reagimet e shteteve të tjera”, ka thënë Vuçiq, raportojnë mediat serbe.

Të enjten ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Serbisë, duke thënë se “të gjithë në botë e dinë se Kosova është fjalë serbe dhe territor serb, madje edhe ata që kanë pranuar këtë kuazi-shtet”.

Në Prishtinë ndërkaq, udhëheqësit politikë kanë heshtur edhe ndaj “Kosovës Turqi” dhe ndaj “Kosovës Serbi”, mbase për shkak të dinamikës së fushatës për zgjedhjet vendore, të cilat do të mbahen më 3 nëntor. (a.v.)
XS
SM
MD
LG