Ndërlidhjet

Nisit i përkeqësohet gjendja


QKUK
QKUK
Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Nis Beqirit, i cili gjatë këtij muaji është kthyer nga shteti i Suedisë në Kosovë.

Nis Beqiri, është 12-vjeçar dhe vuan paraliza cerebrale.

Nisi, për katër vjet me radhë ka jetuar në shtetin suedez, ku edhe është trajtuar atje.

Babai i tij, Shabani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tregon se Nis Beqiri vuan nga paraliza cerebrale, sëmundje kjo e patrajtueshme në Kosovë, e që kërkon kushte speciale të kurimit, ndërsa për shkak të saj, ai ushqehet nëpërmjet një gypi të vendosur direkt në lukth.

“Gjendja e djalit është duke u keqësuar, ka probleme me frymëmarrje, ka të vjella dhe ka filluar të bjerë në peshë. Gjendja është alarmante, dhe nëse nuk ndërmerret diçka për kthimin e tij në Suedi, pasojat shëndetësore mund të jenë të pakthyeshme. Kjo sëmundje nuk po trajtohet në Kosovë. Paga ime është 400 euro, e ushqimi i Nisit për një muaj kushton rreth 700 euro. Por, kjo nuk është e tëra, ai ushqim që i duhet Nisit për mbijetesë, nuk gjendet fare në Kosovë , e as në rajon”, tregon babai i Nisit, Shabani.

Driton Gashi, sekretar në Ministrinë e Punëve të Brendshme që bën riatdhesimin e kosovarëve të kthyer, thotë se vendimin për deportim nuk e kanë marrë institucionet kosovare.

Sipas Gashit vendimi për kthimin e shtetasve të Kosovës që qëndrojnë në mënyrë jolegjitime në shtete përkatëse, është vendim i atyre shteteve për kthimin apo dëbimin e tyre vullnetar.

“Ministria e Punëve të Brendshme apo edhe Qeveria e Kosovës nuk merr pjesë në vendimin e shteteve përkatëse. Aty ku lind obligimi ynë është pas kthimit të shtetasve të Kosovës, që të merren nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës. Dhe, ne kemi një fond të veçantë e që quhet programi i riintegrimit”, shprehet Gashi.

Ndërkaq, Shaban Beqiri pohon se vetëm në Suedi ka gjetur trajtim të djalit të tij, pas shumë mundimeve për t’u trajtuar në Kosovë dhe rajon.

“Këtu nuk ka kushte për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Pas shumë mundimeve dhe pas shumë rrugëve që kam marrë për t’i ndihmuar djalit tim në vend dhe rajon, kemi marrë vendim si familje, që të shkojmë në Suedi”.

“Shteti suedez ka filluar t’ia ndryshojë jetën e djalit për të mirë. Në Kosovë, kategoria e personave me diagnozë çfarë e ka djali im, janë të harruar. Rrinë në karrocë gjithë ditën në shtëpi dhe nuk merret askush me ta. Ashtu ka qenë djali im para se të shkojë në Suedi”,
rrëfen Shabani.

Edhe zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë pohojnë për Radion Evropa e Lirë se diagnoza me paralizë cerebrale, nuk shërohet në Kosovë. Sipas tyre, kjo informatë i është dhënë familjes Beqiri, para se ata të ktheheshin në vend nga Suedia.

Curr Gjocaj, zyrtar për shërim jashtë vendit në këtë ministri, jep hollësi të tjera:

“Është bërë një kërkesë nga familja që të dihet se a trajtohet apo jo kjo sëmundje. Ne, si Ministri, kemi dërguar diagnozën e Nisit në QKUK ,i cili është institucion referent dhe kemi marrë përgjigje se ajo sëmundje nuk trajtohet në vend. Këtë ne e kemi përcjellë te familja. Familja e ka pasur me kohë këtë raport , pasi që vetë e ka kërkuar. Ne këtë raport e kemi dërguar edhe te Ministria e Punëve të Brendshme, por çështja e riatdhesimit pastaj është çështje e këtij institucioni”.

Familja Beqiri është nga Komuna e Vushtrrisë. Ata tashmë janë zhvendosur në Prishtinë, duke marrë një banesë me qira afër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në mënyrë që djali i tyre, Nisi, ta ketë më të lehtë.

Kryefamiljari Shabani thotë se nuk i është ofruar ndihmë nga institucionet e vendit:

“Deri tash asnjë punëtor i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk ka ardhur, mjekët assesi. Vetëm një mjek e kam dërguar unë vetë, tek ai mjek që Nisi është kontrolluar para se të shkojë në Suedi, dhe ai i ka përshkruar një terapi edhe ka thënë se mundësia ime është kjo. Por, barnat nuk po reagojnë dhe aq. Ja mundësia në Kosovë, ja çka mund të bëjnë në Kosovë për njerëz që e kanë gjendjen shëndetësore të rënduar”, përmbyll rrëfimin e tij i pikëlluar Shabani.

E Driton Gashi, nga Ministria e Punëve të Brendshme, thotë se është obligim i institucioneve të Kosovës që t’u ndihmohet familjeve të riatdhesuara, por shton se me familjen Beqiri kanë provuar disa herë të komunikojnë, por ka qenë e pamundur, pasi që kanë lindur keqkuptime që nga kthimi i tyre në Kosovë.

“Neve na kërkohet të konfirmojmë zyrtarisht vetëm ajo se a është në këtë rast familja Beqiri nga Kosova. Çështja e dytë që janë marrë institucionet e Kosovës, është që ne pasi kemi kuptuar për gjendjen shëndetësore, kemi kërkuar që Ministria e Shëndetësisë t’i informojë autoritetet e Suedisë që të prolongohet rasti i Nisit. Por, ata janë kthyer pasi që ky është vendim autonom i shtetit përkatës”.

“Ardhjen e tij në Kosovë, zyrtarët shëndetësorë dhe ata të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e kanë pritur atë në Aeroport dhe të nesërmen janë angazhuar koordinatorët, për t’i ofruar asistencën që është e paraparë me ligj, si në aspektin e sigurimit të vendbanimit, paketës higjienike ose ushqimore, trajtimit mjekësor. E gjithë kjo procedurë ndiqet në bazë të kërkesës së familjes”.

“Familja tregon se për çfarë pakete të ndihmës ka nevojë. Ne kemi kontaktuar disa herë me familjen e Nisit, por siç duket ka keqkuptime për zyrtarët tanë dhe familja Beqiri po heziton të kontaktojë me ta”
, shpjegon Gashi.
XS
SM
MD
LG