Ndërlidhjet

Feinstein: Të ndalen përgjimet ndaj aleatëve


Dianne Feinstein
Dianne Feinstein
Kryesuesja e Komitetit të Inteligjencës së Senatit të Shteteve të Bashkuara, Dianne Feinstein, tha se e “kundërshton totalisht” mbledhjen e inteligjencës ndaj aleatëve amerikanë nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.

Këtë deklarata ajo e bëri të hënën vonë, pas raporteve se kjo agjenci e ka monitoruar telefonin e kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe i ka përgjuar komunikimet e liderëve të tjerë të jashtëm.

Senatorja Feinstein i ka mbrojtur disa programe të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA), që janë zbuluar në media nga ish-kontraktori Edward Snowden, duke argumentuar se ato luajnë rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit global.

Por, senatorja Feinstein, demokrate nga Kalifornia, tha se vëzhgimet e liderëve të jashtëm janë diçka tjetër.

Ajo ka theksuar se Shtëpia e Bardhë i ka thënë asaj se mbledhja e informacioneve nga aleatët nuk do të vazhdoj.

Megjithatë, senatorja ka paralajmëruar se një panel i inteligjencës i Senatit do ta fillojë një “shqyrtim madhor” lidhur me të gjitha programet e mbledhjes së inteligjencës.

Më herët, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha se duhet të ketë më tepër kufizime në mënyrën se si të mblidhen informacionet e inteligjencës nga agjencitë e spiunimit të Shteteve të Bashkuara.

“Nëse ne do t’i mbajmë aleatët dhe shtetasit tanë të sigurt, ne duhet të vazhdojmë të jemi para këtyre ndryshimeve, dhe kjo është ajo që komuniteti i inteligjencës sonë e ka bërë në mënyrë jashtëzakonisht të mirë. Këto kapacitete janë pjesë e arsyes, që ne ishim në gjendje ta zbulojmë një numër të komploteve terroriste dhe të harmonizoheshim me ambientin e sigurisë pas 11 shtatorit të vitit 2001".

"Njëherësh, me kapacitetet e reja, ne e kuptojmë se ka nevojë për kufizime shtesë se si ne të mbledhim dhe t’i përdorim informacionet e inteligjencës dhe kjo është në kontekstin se ky ambient i teknologjisë dinamike, ka ndikuar që presienti na ka drejtuar që ta rishqyrtojmë kapacitetin e vëzhgimit”, tha Jay Carney.

Këto komente të zëdhënësit Carney u bënë pasi Spanja e ka ftuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Madrid, që të diskutohet për akuzat për spiunim ndaj shtetasve spanjollë, për të cilat është thënë se mund ta dëmtojnë klimën e besimit ndërmjet dy vendeve, nëse akuzat dalin se janë të vërteta.

Gazeta spanjolle El Mundo ka raportuar se Agjencia Kombëtare e Sigurisë e Shteteve të Bashkuara aktualisht kishte përgjuar më se 60 milionë biseda telefonike në Spanjë, gjatë periudhës njëmuajshe, duke cituar dokumente, që janë zbuluar nga ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden.

Aleatët amerikanë të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Francën dhe Italinë, kanë kërkuar përgjigjje nga administrata e presidentit Obama për praktikat e mbledhjes së informacioneve të inteligjencës.(f. bujupi)
XS
SM
MD
LG