Ndërlidhjet

KQZ e pakënaqur me OSBE-në


Komisioni Qendror Zgjedhor
Komisioni Qendror Zgjedhor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk është në dijeni se çka është duke ndodhur në veri të Kosovës lidhur me procesin zgjedhor.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka dhe anëtarët e tjerë të KQZ-së, në mbledhjen e mbajtur të martën kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me atë se OSBE-ja si lehtësuese e procesit zgjedhor në veri, nuk ka informuar KQZ-në për punët e deritanishme dhe votimin me postë.

Për mungesë të informatave se çka është duke ndodhur në atë pjesë të Kosovës, zonja Daka tha se do të njoftojë veç ambasadorët të OSBE-së në Kosovë edhe Bruksel.

Daka, deklaroi se aktualisht në mungesë të informacioneve gjendja është shqetësuese.

“Ne nuk kemi informata çka po lehtësohet, çka është duke ndodhur. Ne OSBE-në e kemi si një lloj të ndërmjetësuesit mes nesh dhe pjesës së veriut. Ne nuk kemi me shkrim deri më tash asgjë dhe kurrë, kurrë nuk kemi pasur”, tha Daka për Radion Evropa e Lirë.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i OSBE-së Nikolla Gaon tha për Radion Evropa e Lirë se OSBE-ja ka komunikim të rregullt me të gjithë faktorët të cilët ndihmojnë këtë proces.

“Ne kemi komunikim të rregullt me të gjithë faktorët të cilat janë të përfshirë në këto zgjedhje. OSBE-ja ka qenë prezente dhe ka ndarë informata në të gjitha takimet e grupeve punuese në Bruksel dhe kemi edhe shkëmbim të informatave edhe me KQZ-në këtu”, tha Gaon.

Anëtaret e KQZ-së, përfaqësues të partive politike me këtë rast deklaruan se OSBE-ja, është treguar e papërgjegjshme sa i takon bashkëpunimit me KQZ-në.

Ilir Gashi, anëtar i këtij mekanizmi zgjedhor nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se është momenti i fundit që OSBE-ja të informojë KQZ-në për rrjedhat e procesin zgjedhor në veri.

Do të ishte mirë që të kemi një raport, detaj për gjithë procesin që po zhvillohet në atë pjesë. Dhe mendoj që nesër do të ishte koha e fundit kur ata do të duhej të bëjnë një raport dhe të vinë para nesh dhe të raportojnë”, tha Gashi.

Kurse, Florian Dushi anëtar i KQZ-së, nga LDK-ja, u shpreh se komisioni duhet të marrë masa dhe të vëzhgojë mënyrën se si do të barten votat me postë, pasi që sipas tij, ekzistojnë dyshime të bazuara se bëhet fjalë për manipulim të atyre votave.

“Kjo sjellje e KQZ-së është e papranueshme. Për me tutje e kemi problematiken tjetër që ndërlidhet me operacionin e votimit përmes postës dhe ne duhet të dimë nga OSBE-ja se si ka menduar ta zhvillojë ketë proces të votimit apo proces të bartjes së pakove të votimi në Republikën e Serbisë për faktin se ka dyshime të bazuar se ky është një proces tashmë krejtësisht i manipuluar”, tha Dushi.

Kritika në drejtim të OSBE-së ka hedhur edhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes Adnan Rrustemi.

Ai tha se votat me post tash me janë manipuluar.

Tash më kanë filluar edhe t’i manipulojnë edhe fletëvotimet, sepse unë jam i bindur se këto fletëvotime nuk janë duke u plotësuar jashtë Kosovës, por janë duke u plotësuar dhe mbushur brenda Kosovës”, tha Rrustemi.

Ndryshe, në mbledhjen e se martës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është bërë akreditimi i 6,688 vëzhguesve të rinj për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
XS
SM
MD
LG