Ndërlidhjet

“Gjinia e tretë” në Pakistan, shënjestër e dhunës


Zeba, aktivist i të drejtave transgjinore në Pakistan, i cili ka lindur me të dyja organet seksuale, edhe të meshkujve, edhe të femrave, jeton në lagjen Imamia Koloni të Peshauarit.

Mbrëmjen e 20 tetorit, shtëpia e tij është sulmuar nga banorë të zemëruar dhe policë lokalë.

Zeba thotë se një gjë e tillë u ka ndodhur edhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit transgjinor, të cilët janë zhvendosur në lagjen e tij gjatë 25 vjetëve të fundit.

”Askush nuk dëgjon britmat tona. Banorët lokalë, së bashku me policinë, kanë sulmuar shtëpitë tona. Na kanë shkatërruar pajisjet shtëpiake dhe na kanë rrahur keq”, thotë Zeba.

Anëtarët e komunitetit të shtypur kanë menduar se gjendja e tyre do të përmirësohet, pasi Gjykata Supreme ka urdhëruar që kartat e identitetit kombëtar të përfshijnë edhe kategorinë e “gjinisë së tretë” në vitin 2009.

Statusi zyrtar i qytetarëve të “gjinisë së tretë”, që përfshin hermafroditët, transseksualët dhe transvestitët, u garanton atyre të drejtat e njëjta civile si të çdo qytetari qytetari tjetër të Pakistanit.

Por, pavarësisht këtyre arritjeve, gjendja e komunitetit të “gjinisë së tretë” në Pakistan është e vështirë. Diskriminimi kufizon mundësitë në punësim dhe pakica transgjinore vazhdimisht përballet me frikësim, poshtërim dhe abuzim.

Shimica e tyre e përshkruajnë veten si valltarë profesionalë të dasmave.

Zebas, për shembull, i pëlqen t’i referohen si “Khwaja Saraa” – term që është përdorur për të identifikuar transgjinorët, të cilët kanë vallzuar në gjykatat e perandorëve Mughul, gjatë shekujve 17 dhe 18.

Aktivistët e të drejtave thonë se burimi kryesor i të ardhurave të tyre është lypja ose prostitucioni.

Shumë po ashtu bëhen viktima të zhvatjes, dhunës seksuale dhe bandave kriminale.

Kjo i ka shtyrë ata të jetojnë në vendbanime jozyrtare si Imamia Koloni.

Por, kjo ka shkaktuar tensione me myslimanët sunitë dhe shiitë, si dhe me të krishterët pakistanezë, të cilët po ashtu jetojnë në atë lagje.

Këto grupe janë bashkuar në Imamia Koloni me qëllim që të dëbojnë pjesëtarët e komunitetit transgjinor.

Kryesues i fushatës është Abdul Rehman, mysliman sunit, i cili bën presion mbi pronarët e lagjes për të dëbuar banorët transgjinorë.

Rehman thotë se përpjekjet e tij janë “fushatë e spastrimit”.

“Të gjithë ata i kanë shndërruar shtëpitë e tyre në shtëpi publike. Shumica që i vizitojnë janë kriminelë. Kam qenë dëshmitar i një incidenti, në të cilin një person i dehur ka përdorur gjuhë abuzive. Kur një banor lokal ka bërë përpjekje ta ndalojë, ai e ka qëlluar për vdekje. Jam po ashtu i shqetësuar për ndikimin e këtyre personave te fëmijët e mi te vegjël apo te fëmijët e tjerë që jetojnë në këtë zonë. Fëmijët janë naivë dhe të rinj dhe mund të mashtrohen lehtësisht në homoseksualitet”, thotë Rehman.

Shumica e anëtarëve të komunitetit transgjinor në Pakistan këmbëngulin se janë praktikues të Islamit.

Por, Javed Nasim, ligjvënës në Peshauar dhe anëtar i partisë sunduese, Tehrik-e-Insaf, nuk pajtohet. Nasim e krahason mënyrën se si jetojnë ata me homoseksualitetin dhe thotë se ideja e “gjinisë së tretë” është joislame.

“Nëse unë, Javed Nasim, ndërroj gjininë, do të mallokhem nga Allahu. Allahu thotë se nëse ke lindur si burrë ose si grua, i tillë duhet të shkosh te Ai edhe pas vdekjes”, shprehet Nasim.

Anëtarët e komunitetit transgjinor në Pakistan po përpiqen të ngrenë zërin për të drejtat e tyre. Ata kanë protestuar ditëve të fundit kundër dhunës ndaj tyre.

Por, demonstratat janë përshkallëzuar në grindje me policinë lokale, e cila ka përdorur shufra gome për të rrahur protestuesit dhe për të shpërndarë tubimet e tyre.(v.tela)
XS
SM
MD
LG