Ndërlidhjet

Incidentet në veri – u parashikuan


Sulmohen qendrat e votimit në veri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:07 0:00

Sulmohen qendrat e votimit në veri

Rreth dy orë para përfundimit të afatit të votimit, ditën e diel, grupe të personave të maskuar me kapela “fantom”, kanë sulmuar qendrat e votimit në shkollën “Shën Sava” dhe në Shkollën e mesme të mjekësisë në Mitrovicën e veriut.

Sulmuesit kanë thyer kutitë e votimit, kanë dëmtuar materialet zgjedhore, si dhe ambientet e qendrave të votimit.

Për pasojë, këto qendra të votimit janë mbyllur para kohës së përcaktuar.

E gjithë kjo situatë është bërë shkas që kandidatët për kryetarë të komunës të kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve në Mitrovicën e veriut.

Kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut nga Iniciativa Qytetare Serbe, Kërstimir Pantiq, ka theksuar se procesi zgjedhor është dëmtuar rëndë dhe pret që zgjedhjet të përsëriten.

“Unë pres që bashkësia ndërkombëtare të anulojë zgjedhjet në Mitrovicën e veriut dhe t’i shpallë për një kohë sa më të shkurtë të mundshme. Por, para kësaj, t’ia mundësojë shtetit të Serbisë dhe Qeverisë së Serbisë që në këto hapësira ta vendos rendin, që huliganët dhe dhunuesit të sillen para drejtësisë, në mënyrë që qytetarët përfundimisht të dalin të lirë në vendvotime”, ka thënë Pantiq, i cili vetëm dy ditë më parë ishte sulmuar nga persona të panjohur dhe kishte marrë lëndime trupore.

Në nën tjetër, ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, ka theksuar se pas asaj që kishte ndodhur në Mitrovicën e veriut ekzistojnë kërkesa për përsëritjen e zgjedhjeve.

Ekzistojnë presione të fuqishme që të anulohen zgjedhjet në të gjitha komunat dhe kjo që ka ndodhur në Mitrovicën e veriut të shfrytëzohet, në mënyrë që serbëve t’iu pamundësohet që këto rezultate që i kanë realizuar t’ia tregojnë botës”, është shprehur Vulin.

Në anën tjetër, kandidati tjetër për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut nga iniciativa qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, Oliver Ivanoviq, ka vlerësuar se sulmi ndaj qendrave të votimit në Mitrovicën e veriut ka qenë mirë i organizuar.

“Aksioni i simuluar duket mjaft mirë i organizuar në dy shkolla. Ata kanë hyrë në shkollën ‘Shën Sava’ dhe në Shkollën e mesme të mjekësisë. Bojkotuesit janë tërhequr disa minuta para se kjo të ndodhte. Thjeshtë, janë zhdukur nga ajo hapsirë gjë që tregon se thjeshtë e kanë organizuar aksionin dhe se ky intervenim është përgatitur mirë”, ka theksuar Ivanoviq.

Por, kush qëndron prapa organizimit të këtyre sulmeve?

Zyrtarët e Policisë së Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë sqarim për hetimet.

Ndërkohë, zyrtarët e qeverisë serbe, në njërën anë, por edhe përfaqësuesit e Shtabit për bojkotimin e zgjedhjeve në anën tjetër, thonë se kanë pasur informacione se sulmet do të ndodhin.

Madje ata në një mënyrë ose tjetër hedhin dyshimet mbi njëri tjetrin për organizimin e këtyre sulmeve.

Vulin ka theksuar se zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë i vetëdijshëm se sulmet mund të ndodhin.

Zëvendëskryeministri i parë Aleksandër Vuçiq, duke pasur parasysh që paraprakisht e ka ditur mirë se çfarë po përgatitet, sepse ka pasur informata të caktuara, qysh në orën 2 e 30 minuta ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’iu lejohet organeve tona të ndjekjes dhe të sigurisë dhe të na jepet afati prej 45 minutash që të vendosim rendin dhe të mundësojmë zgjedhje krejtësisht të rregullta”, theksoi Vulin.

Ai ka shtuar se bashkësia ndërkombëtare nuk e ka përfillur kërkesën e Serbisë dhe kjo e fundit ka qenë e detyruar ta respektojë Rezolutën 1244 të Kombeve të bashkuara dhe të mos ndërhyj me forca të sigurisë në Kosovë.

Por, Pantiq, i ka quajtur zgjedhjet të dështuara dhe për këtë fajëson kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin dhe përfaqësuesin e Shtabit për bojkotimin e zgjedhjeve, Marko Jakshiq.

“Ky është qëllimi i përbashkët i Hashim Thaçit dhe Marko Jakshiqit. Kjo edhe u tregua sonte në mënyrë definitive”, është shprehur Pantiq.

Në anën tjetër, Marko Jakshiq, përfaqësues i Shtabit për bojkotimin e zgjedhjeve thekson se ky shtab kishte paralajmëruar dy ditë më parë mundësinë e incidenteve në qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut.

Madje, përfaqësuesi tjetër i këtij shtabi, Nebojsha Joviq, pati theksuar se në qoftë se dalja e qytetarëve serbë në votime nuk do të jetë e kënaqshme, atëherë për ta mbuluar dështimin e këtyre zgjedhjeve, xhandarmëria serbe do t’i sulmoj vendvotimet, ndërkaq që për këtë do ta fajësoj Shtabin për bojkotimin e zgjedhjeve.

Këtë e pohon edhe Jakshiq, duke shtuar se xhandarmëria serbe ishte ajo që kishte sulmuar qendrat e votimit.

“Rreth orës 15 kemi pasur paralajmërime, por edhe të gjitha rrjetet sociale e kanë ditur përafërsisht, se xhandarmëria serbe, në mënyrën e saj dhe me rroba civile, do të hyjë faktikisht dhe do t’i thyej kutitë e votimeve”, ka theksuar Jakshiq.

Ai gjithashtu ka shtuar se bojkotimi i zgjedhjeve është arritur dhe se janë të kënaqur për këtë fakt.

Pas sulmeve në qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut, përfaqësuesit e misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim e Evropës, ishin larguar nga vendvotimet për shkaqe të sigurisë.
XS
SM
MD
LG