Ndërlidhjet

BIK: Mos bini pre e grupeve që dëshirojnë të bëjnë "Xhihad"


Luftëtar i opozitës siriane, foto nga arkivi
Luftëtar i opozitës siriane, foto nga arkivi
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka ftuar të rinjtë e Kosovës, "të cilët në çfarëdo mënyre janë impenjuar me luftën në Siri, që sa më parë të kthehen në vend pranë familjeve të tyre", ndërsa i ka porositur gjithë ata që kanë marrë një rrugë të tillë, "mos të bien pre e grupeve dhe individëve që dëshirojnë të bëjnë "Xhihad" me tragjedinë e popullit sirian".

Në një deklaratë të lëshuar me shkrim, kryesia e BIK-ut, duke i ofruar përkrahje "luftës së drejt të popullit sirian", pohon se "shkuarja në Siri për të luftuar gjoja për kauzën islame, jo që nuk ka të bëjë asgjë me parimet fetare, në të cilat thirren organizatat e panjohura për ne dhe popullin tonë, por për me keq i zgjat jetën regjimit të Bashar al-Asadit dhe vuajtjet të popullit sirian".

"Nuk kemi të rinj për të rekrutuar njerëz të panjohur në emrin e fesë islame. Në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës është institucioni i vetëm që jep fetva dhe udhëzime për besimtarët tanë dhe interpreton e sqaron parimet dhe mësimet fetare".

"Duke u nisur nga kjo, edhe njëherë ftojmë besimtarët tanë, ftojmë prindërit tanë, ftojmë të rinjtë tanë dhe sqarojmë opinionin e gjerë, që mos të bien pre e organizimeve të dyshimta, e njerëzve pa adresë, dhe mos t'u bashkohen kauzave që nuk dihet për çka angazhohen"
, thuhet në komunikatën e BIK-ut.

Kryesia e BIK gjithashtu ka dënuar atë që e ka cilësuar si "kërcënimin të një gjoja ushtrie në adresë të Policisë së Kosovës, të cilin e konsiderojmë sulm ndaj rendit kushtetues të vendit".

Policia e Kosovës ka konfirmuar të martën se ka marrë kërcënime nga një organizatë fantome, që veten e quan “Xhemati i Xhihadit”.

Kërcënimi i dërguar përmes postës elektronike thuhej se kishte të bënte me arrestimin e gjashtë personave, nën dyshimet për terrorizëm.

Nëpërmjet postës elektronike, medieve vendore në Kosovë u është dërguar një porosi ne të cilën i kërkohej policisë së Kosovës që të lirojë të arrestuarit, "në të kundërtën mund të përballet me sulme të dhimbshme".

Arrestimin e tyre policia e ka konfirmuar me datën 6 nëntor, në një komunikatë shtypi, duke thënë se arrestimet janë bërë “nën dyshimet për kontrabandim armësh dhe veprash të tjera penale”.

Mediat lokale kanë raportuar gjithashtu se njëri nga të arrestuarit besohet të ketë qenë në Siri duke luftuar në radhët e kryengritësve, kundër forcave të regjimit të Bashar Al Asadit, përkatësisht përkrah forcave të afërta me Al Qaeda-n.

Në komunikatën e 6 nëntorit thuhet gjithashtu se “nga gjashtë të arrestuarit ekziston dyshimi i bazuar se dy prej tyre ndërlidhen edhe me rastin e sulmit fizik ndaj dy shtetaseve të SHBA-së të ndodhur me datën 3.11.2013 në Prishtinë".

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim për të arrestuarit. (a.v.)
XS
SM
MD
LG