Ndërlidhjet

Përparim mbi çështjen e policisë, takimi i rradhës më 13 dhjetor


Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, 5 dhjetor 2013
Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, 5 dhjetor 2013
Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, kanë zhvilluar takimet e tyre në Bruksel, në një raund të ri bisedimesh, të lehtësuara nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Kjo e fundit, nëpërmjet një komunikate për shtyp, është cituar të ketë thënë se në takimin e sotëm janë zhvilluar diskutime konstruktive dhe përparim vendimtar mbi policinë dhe çështjet tjera.

“Jemi pajtuar që t’i vazhdojmë diskutimet javën tjetër, më 13 dhjetor”, ka thënë baronesha Ashton, duke shtuar se mbi bazën e përparimit të arritur, ajo do ta parashtrojë raportin e saj të ardhshëm para Këshillit Evropian më 17 dhjetor.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pohuar se takimi ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe se “janë përmbyllur të gjitha çështjet, për sa i përket integrimit në strukturat e policisë”.

”Do të thotë nuk ka më çështje të diskutueshme, apo të hapura. Të gjitha janë shumë të qarta, dhe që nga nesër do të mund të fillojë integrimi në polici, i të gjithë njerëzve që dëshirojnë të integrohen”.

“Gjithashtu është bërë progres edhe në sistemin e drejtësisë, dhe besoj se brenda javës së ardhshme do të mbyllet dhe do të fillojë së funksionuari sistemi i drejtësisë edhe në pjesën veriore të Kosovës, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

“Ndërsa paralelisht me këtë progres, me këtë integrim në sistemin e drejtësisë dhe policisë, duhet të shkojë edhe shpërbërja e Mbrojtjes Civile që ekziston atje [në veri].”


Zoti Thaçi ka konfirmuar se sot nuk është diskutuar çështja e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, ndonëse sipas tij, gjithçka është e qartë dhe se ai “Asociacion do të formohet në bazë të legjislacionit të Kosovës dhe do të ketë një formë të organizatës joqeveritare”.

Edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se përparimi është arritur, në fushën e policisë.

“Në fakt, jemi pajtuar për detajet të cilat ishin të rëndësishme për ne. Presim që gjatë ditëve të ardhshme të aplikojnë pjesëtarët tanë për të punuar në Policinë e Kosovës”, ka thënë Daçiq, duke shprehur kënaqësinë me rezultatin e arritur.

“Këto marrëveshje janë të gjitha neutrale ndaj statusit, dhe është shumë e rëndësishme që tani pas zgjedhjeve lokale, të mundësohet zbatimi i marrëveshjes së Brukselit në të gjitha fushat. Do të thotë, edhe në fushën e drejtësisë, edhe në fushën e policisë”.

“Sa i përket drejtësisë, nuk kemi mbaruar bisedimet, dhe do të takohemi sërish më 13 dhjetor. Jemi shumë të kënaqur me rrjedhën e këtyre bisedimeve. Ka pasur shumë tensione tek pala e Prishtinës"
, ka thënë Daçiq.

Takimi vjen pak ditë pas zhvillimit të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në të cilat për herë të parë kanë marrë pjesë edhe komunat veriore, të banuara me shumicë serbe.

Statuti i Asociacionit të Komunave Serbe, formimi i të cilit parashihet me marrëveshjen e 19 prillit, ishte paralajmëruar si temë diskutimesh.

Çështja e Asociacionit ka ngritur diskutime të ndryshme në Kosovë, për mënyrën e funksionimit të tij dhe shtrirjen e përgjegjësive që do t’i ketë.

Kryeministri i Kosovës, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë të mërkurën ka thënë se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca të një entiteti politik dhe etnik.

Lexoni këtu tekstin e marrëveshjes së arritur.

(a.v.)
XS
SM
MD
LG