Ndërlidhjet

Aty ku shërbehet çaji, kafja dhe sanduiçet


Një ditë e gjatë e pret Mykhaylon nga qyteti perëndimor Ternopil i Ukrainës. Madje, një ditë shumë e pazakonshme.

Të hënën në mbrëmje më 2 dhjetor, 26 vjeçari që është student i mjekësisë, ka udhëtuar me autobus deri në kryeqytetin Kiev. Udhëtimi i tij u pagua nga donacionet.

Dhe para se të agojë dita, ai u stacionua prapa një tavoline, ku po trajtoheshin protestuesit e sëmurë, që po hynin një nga një duke ikur nga i ftohti në kuvendin komunal të Kievit, i cili u shndërrua në një kështjellë të opozitës.

Mykhaylo vendosi që të lajmërohet si mjek vullnetar, dhe u lajmërua në Ternopil pas zhvillimeve të së shtunës më 30 nëntor, kur forcat speciale të policisë shpërndanë me dhunë protestuesit që po flinin në rrugët e Kievit.

“Pas dhunës së përgjakshme që policia ushtroi ndaj të rinjve, studentëve, dhe vajzave, u bëra i vetëdijshëm se si mjek, në fakt mund të jap ndihmën time atje”, thotë Mykhaylo.

Mijëra ukrainas po vërshojnë Kievit nga krahinat përreth.

Ata po i bashkohen protestës kundër refuzimit të qeverisë që të përafrohet më shumë me Bashkimin Evropian – ose, si Mykhaylo, për të ofruar ndihmë për ata që po qëndrojnë në rrugët e Kievit, në demonstratat më të mëdha që nga Revolucioni i Portokalltë në vitin 2004.

Që kur është marrë kontrolli nga autoritetet tre ditë më parë, kuvendi komunal që gjendet në rrugën qendrore Kreshchatyk, është shndërruar në një shtab, konvikt, e spital të improvizuar.

Në këtë fortesë e stilit neo-klasik Stalinist, opozitarët bëjnë edhe roje, kurse gjatë natë qindra protestues të lodhur flenë kudo që gjejnë vend.

Ditën, Kuvendi Komunal shërben edhe si kantinë, ku vullnetarët shpërndajnë çaj e kafe, sanduiçe, dhe mbledhin para për opozitën, ofrojnë shërbime e këshilla mjekësore dhe ndihmë –e Mykhaylo thotë se po trajton kryesisht pacientë me dhembje në fyt dhe temperaturë të lartë.

Në disa pjesë të qytetit, policia nuk vërehet fare, ndërsa protestuesit e mbështjell me flamujt e Ukrainës verdhë e kaltër, duke brohoritur “Rroftë Ukraina!” marshojnë përmes qendrës.

Në sheshin e pavarësisë ku u zhvilluan ngjarjet dramatike nëntë vjet më parë gjatë Revolucionit të Portokalltë, opozita ka ngritur barrikada duke përdorur material të ndryshëm ndërtimor, por edhe me dekorimet e marrë nga bredhi i vitit të ri.

Në vend të policisë, rrjetet dhe komunitetet që përkrahin opozitës kanë nisur të konsolidohen, edhe pse shpërfaqin qëndrime të ndryshme politike.

Në hollin e kuvendit komunal, janë shpalosur tre flamujt e partive opozitare –ai i Yulia Tymoshenkos partisë së Atdheut, tjetri i Vitali Klitschkos UDAR dhe partia Svoboda e krahut të djathë të Oleh Tyahnybok.

Aktivistët e tjerë janë të pa interesuar për partitë.

Mykhaylo e përshkruan veten si një “nacionalist” ukrainas, por thotë se s’ka asnjë simpati politike, sepse nuk i zë besë atyre.

Tani për tani, ai shprehet i lumtur që mund të ndihmojë. Por, po ashtu po pret me padurim kthimin e miqve të tij në Kuvendin Komunal, për ta liruar nga detyrat.

“Tani po shkoj në protestë. Thjesht, ata djem që vijnë nga universiteti im, janë në protestë. Ata do të ftohen mirë, pastaj do të vijnë këtu për t’u ngrohur, dhe të drejtojnë këtë ambulancë, përderisa unë të shkoj në shesh [për të protestuar]”, thotë Mykhaylo. (f.aliu)
XS
SM
MD
LG