Ndërlidhjet

Kosovë: Kontrabandimi me barna


Fenomeni i kontrabandës me barna po vazhdon.

Zyrtarë në Doganat e Kosovës thonë se barnat si produkte, mund të kontrabandohen shumë lehtë, për shkak se sasia e tyre është shumë e vogël, derisa vlera e tyre është e madhe.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës i thotë për Radion Evropa e Lirë se krahasuar me periudhën paraprake, ka rënie të kontrabandës me barna, megjithatë ky fenomen ende po vazhdon.

Dogana e Kosovës ka zënë disa raste dhe nuk mund ta mohoj faktin që ka kontrabandim të barnave, por situata është shumë më mirë sesa që ka qenë më herët. Por, prapë se prapë mbetet një fushë problematike, sepse ka importues që nuk janë të licencuar dhe nuk e zbatojnë regullativen ligjore që parashihet në Kosovë".

"Prandaj, edhe kemi probleme të tilla dhe tentim të kontrabandimit të barnave. Barnat janë të përshtatshme të kontrabandohen, çështja është se një sasi e vogël mund të ketë vlerë të madhe
”, thotë Stavileci.

Arianit Jakupi, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se arsyeja pse kontrabandohen barnat, janë kryesisht çmimet e larta të barnave në Kosovë krahasuar me ato të rajonit.

Jakupi shton se Kosova ende nuk ka një legjislacion që do t’i rregullonte çmimet e barnave në vend dhe se kjo shfrytëzohet nga kompani të ndryshme për t’i futur në mënyrë ilegale barnat në Kosovë.

“Inspektorati farmaceutik bën vazhdimisht inspektime të ndryshme që kanë të bëjnë me luftimin e këtyre dukurive në fushën e sektorit farmaceutik. Në përgjithësi, këto lloje të inspektimeve janë në vazhdimësi dhe ne kemi bërë një udhëzim administrativ me anë të të cilit do të lehtësohen procedurat e regjistrimit të barnave dhe të importit të produkteve që mungojnë në tregun e Kosovës”.

“Arsyet tjera kanë të bëjnë me çështjet financiare për shkak se në Kosovë, në mungesë të sigurimeve shëndetësore, nuk kemi një legjislacion që do ta rregullonte çmimin e barnave dhe kjo shfrytëzohet nga kompanitë e ndryshme pasi që çmimet në Kosovë mund të jenë pak më të larta se në rajon”, shpjegon Jakupi.

Ndryshe, Shoqata e Farmacistëve të Kosovës, fenomenin e kontrabandimit me barna e quan si shumë shqetësues.

Besim Muzaqi, kryetar i kësaj shoqate, pohon se kontrabandimi i barnave është krejtësisht i papranueshëm, meqë është shumë i dëmshëm si për shëndetin e popullatës, po ashtu edhe për ekonominë e Kosovës.

“Shoqata farmaceutike që ka për obligim mbrojtjen e shëndetit të popullatës, fenomenin e kontrabandimit me barna e sheh si shumë të dëmshëm, por ne nuk kemi mekanizma që na japin informata se sa është i shprehur si fenomen".

"Bari, i cili del nga zinxhiri legal dhe bari i cili nuk ka leje importi për ne nuk mund të quhet as ilaç. Andaj ilaçet që hyjnë në këtë mënyrë, janë të pasigurta dhe mund të shkaktojnë dëme në organizëm”
, pohon Muzaqi.

Ai, gjithashtu, thekson se zyrtarë në AKPM kanë bërë disa lëvizje pozitive në këtë drejtim, por ende nuk ka ndonjë rezultat sa i përket ndalimit të kontrabandës me barna.

“Ne kemi reaguar në vazhdimësi që të mundësohet që këto barna të marrin leje importi. Deri tash nuk ka pasur ndonjë procedurë lehtësimi. Tash së fundmi janë bërë disa lëvizje, por ende nuk ka rezultate, në mënyrë që të krijohen disa lista dhe udhëzime administrative në bazë të të cilave do të krijohej një bazë ligjore që të importohen barna që kërkohen më rrallë dhe pacienti ta sigurojë ilaçin në mënyrë ligjore”, thekson Muzaqi.

Mungesa e zbatimit të ligjit në veri të vendit dhe vetë konfiguracioni i kufirit të Kosovës me Serbinë, bën që kontrabanda të mos ndalet në mënyrën e duhur, pohojnë vetë zyrtarë institucionalë.

Edhe kjo është njëra nga arsyet që e përmend Arianit Jakupi, megjithëse shton se nuk është përgjegjës për këtë çështje vetëm inspektorati farmaceutik:

“Veriu i Kosovës nuk ka kontroll të mirëfilltë dhe nuk është vetëm inspektorati farmaceutik kompetent, por edhe institucionet tjera relevante të shtetit të Kosovës”.
XS
SM
MD
LG