Ndërlidhjet

BE: Telashet ekonomike të Kievit, mund të zgjidhen


Pamje nga protestat në Kiev
Pamje nga protestat në Kiev
Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, beson se çfarëdo brenge “afatshkurtër” financiare që mund të ketë parandaluar presidentin ukrainas Viktor Yanukovych për të mos nënshkruar marrëveshje me Bashkimin Evropian, mund të zgjidhet.

Duke folur para takimit të Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së të hënën në Bruksel, Ashton tha se ndien që BE-ja “mund të punojë me të për të zgjidhur” çështjet...

Janukovych dhe Ashton, foto nga arkivi
Janukovych dhe Ashton, foto nga arkivi
"Ne jemi shumë të brengosur me gjërat që janë thënë, dhe qëllimi i bisedës që kisha me presidentin Yanukovych ishte që të zbuloj se cilat ishin ato çështje afatshkurtëra ekonomike, të cilat e parandaluan që të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit".

"Mendoj se mund të punoj me të, për t’i zgjidhur ato. Disa mund të zgjidhen me mbështetjen e Bashkimit Evropian, të tjerat përmes institucioneve financiare, dhe ato që mbesin nga sektori privat. Por, të gjitha janë të mundura”,
tha Ashton.

BE-ja paralajmëroi të dielën se po suspendon bisedimet me Kievin për paktin tregtar dhe politik.

Ashton tha se kriza politike në këtë vend nuk duhet të ketë ndikim negativ në raportet ndërmjet BE-së dhe Rusisë, që po akuzohet se po bënë presion ndaj Kievit që të mos nënshkruajë paktin me Brukselin.

Por, ajo tha se blloku evropian do të shikojë “shumë seriozisht” se si janë marrë ato vendime nga Kievi.

Të hënën po ashtu në Bruksel, ministri i jashtëm suedez Carl Bildt kritikoi zotin Yanukovych për lojë në raport me BE-në.

Carl Bildt, foto nga arkivi
Carl Bildt, foto nga arkivi
"Disa herë ai thotë – siç e ka thënë gjatë samitit të partneritetit lindor në Vilnius – se dëshiron që të nënshkruajë marrëveshje në të ardhmen e afërt. Kështu ka thënë ai në Vilnius. Herë tjera, ka thënë se do t’i largojë nga puna ata që negociuan marrëveshjen. Nëse ju mund të nxirrni përgjigje logjike nga politika e tij, atëherë urdhëroni. Sepse unë s’po ia dal”, tha Bildt.

Por, megjithatë, sipas tij Bashkimi Evropian është i gatshëm t’i përgjigjet pozitivisht çdo “porosie të qartë” nga Kievi.

Bildt po ashtu kritikoi Rusinë për presionin që po i bënë Kievit.

"Ajo çfarë kemi parë nga pala ruse është një fushatë propaganduese të ashpër e bazuar në dezinformata dhe nganjëherë gënjeshtare për marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Kjo, natyrisht se ka ndikim. Dhe rusët po ashtu kanë ndërmarrë masa të gjera tregtare. Pra, përveç luftës propaganduese, ata kanë ndërmarrë edhe presion ekonomik kundër Ukrainës”, nënvizoi Bildt.

Ndërkohë, mijëra protestues kanë kaluar natën në rrugët e Kievit.

Për të martën është thirrë një demonstratë masive për të mbikëqyr udhëtimin e Yanukovychit në Moskë.

Këshilltari ekonomik i Kremlinit, Andrei Belousov, citohet të ketë thënë të hënën se Rusia është e gatshme që t’i japë Ukrainës kredi, për ta ndihmuar që të zgjidh problemet ekonomike.

Kryeministri ukrainas, Mykola Azarov, tha të hënën se pret që gjatë diskutimeve në Moskë, do të arrihet të ulet çmimi i gasit rus për ukrainasit.

Analistët thonë se Yanukovych po bënë përpjekje që të ketë vëmendjen e Moskës dhe Brukselit, për të arritur marrëveshjen më të mirë të mundshme për borxhet e mëdha të Kievit, dhe pagesat enorme që po ia bën Moskës për gasin.

Lideri opozitar ukrainas, Oleg Tyahnybok, paralajmëroi Yanukovych që të mos e shes Ukrainën.

"Ne, ukrainasit modern, duhet të bëjmë çmos tani, për të ardhmen e shtetit, që Moska të mos i fus çizmet e saja të ndyra në Ukrainë. Andaj, ne ia ndalojmë presidentit Yanukovych që të nënshkruajë çfarëdo qoftë me Moskën, që është në dëm të interesit kombëtar”, porositi Tyahnybok.

Protestat në Ukrainë shpërthyen pas vendimit që mori Yanukovych më 21 nëntor, që t’i shmanget nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me Brukselin, dhe t’i drejtohet Moskës për ndihmë. (f.aliu)
XS
SM
MD
LG