Ndërlidhjet

EULEX: Fakte lidhur me varrezën masive në Rashkë


Rudnicë
Zbulimi i varrezës masive në Rudnicë, Rashkë, është rezultat i një pune përgatitore intensive të kryer për muaj të tërë, në të cilën është përfshirë një analizim i gjerë, inspektime të lokacionit dhe shumë takime bashkërenduese me autoritetet serbe dhe ato kosovare.

Bashkëpunimi efektiv ndërmjet Prokurorit Serb për Krime të Luftës dhe DML të EULEX-it dhe Njësisë së EULEX-it për Hetimin e Krimeve të Luftës ka siguruar kryerjen si duhet të vlerësimit.

Gjatë vlerësimit të lokacionit të kryer javëve të fundit, është gërmuar në tokë një gropë e gjerë 16 metra dhe e thellë 5.2 metra para se të gjendej varreza. Nga aspekti ligjor kjo dikton që përgjegjësia për rastin të bartet nga prokurori tek gjyqtari hetues.

“Deri më tani e dimë që aty janë të varrosura mbetjet mortore të së paku 4 viktimave. Sapo janë gjetur mbetjet njerëzore është ndërprerë gërmimi. Vendi është siguruar dhe tani duhet të presim për një urdhër të zhvarrosjes nga gjykata para se të mund të vazhdojmë punën më tutje në këtë lokacion”, tha Alan Robinson, Bashkë-kryesues i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it.

Robinson tha që në këtë fazë thjeshtë nuk ka mënyrë për ta ditur se sa persona janë të varrosur në Rudnicë.

“Jam në dijeni lidhur me spekulimet të cilat po qarkullojnë lidhur me numrat, por unë kërkoj fuqishëm që të tregohet maturi dhe përmbajtje në lidhje me këtë çështje”, tha Robinson.

“Numri mund të jetë i madh, por po ashtu mund të jetë më i vogël se që presin shumica e njerëzve, megjithatë numri i plotë i viktimave mund të përcaktohet sapo të përfundojë e tërë puna mjeko-ligjore”, shtoi ai.

Sipas Robinson, puna e vështirë vetëm sa ka filluar dhe duhet të bëhen përgatitje të hollësishme, përfshirë shkatërrimin e një ndërtese të tërë në atë vend.

Gërmimet me qëllim të hulumtimit do të kryhen përreth hapësirës nën ndërtesë dhe përtej saj. Në mënyrë që të përjashtohet ekzistimi i një varreze të dytë në këtë fazë, ekipi do t’i vazhdojë gërmimet dhe do ta kontrollojë tërë hapësirën.

DML i EULEX-it do t’i informojë rregullisht familjet lidhur me përparimin e bërë. Kryesuesit e shoqatave të familjeve në Kosovë do të ftohen së shpejti për t’u informuar ku do të paraqiten hollësitë lidhur me këtë operacion në terren.
XS
SM
MD
LG