Ndërlidhjet

Khodorkovsky: Nuk jam simbol i rezistencës, të burgosurit tjerë janë


Khodorkovsky falënderon mediat dhe Merkelin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Khodorkovsky falënderon mediat dhe Merkelin

Njeriu që dikur ishte personi më i pasur i Rusisë, thotë se nuk e ka në plan që t’i kthehet afarizmit të tij të dikurshëm me përpunimin e naftës, e as të kërkojë nga shteti rus që t’ia kthej pronën që i mori, sipas tij, paligjshëm.

Ishin këto fjalët e para të ish-manjatit të naftës Mikhail Khodorkovsky, që i tha të dielën në konferencën e tij për shtyp në Berlin, ku u takua me mediat.

Ai u lirua dy ditë më parë nga burgu, ku kaloi 10 vjetët e fundit, për shkak se u gjet fajtor për evazion fiskal dhe mashtrim, por vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vlerësuar se gjyqi ishte motivuar politikisht në rastin e tij.

Khodorkovsky u tha gazetarëve se sot në Rusi mbesin edhe shumë të tjerë të burgosur politikë.

“Pjesën e mbetur të jetës, dua t’ua përkushtoj atyre që kanë kohë më të vështira sesa unë – që do të thotë atyre që janë ende në burg – dhe të gjithë shoqërisë ruse, e cila ka nevojë urgjente që të ndryshojë nga pak për secilin nga ne, që të kemi jetë më të mirë në Rusi”, tha Khodorkovsky.

Pesëdhjetëvjeçari Khodorkovsky tha se “askush s’duhet të më shohë si një simbol të rezistencës, sepse ka edhe shumë të burgosur të tjerë politikë në Rusi, që kanë mbijetuar më gjatë sesa ai represionin politik në këtë shtet”.

Khodorkovsky, i cili shkoi në Gjermani menjëherë pas lirimit nga burgu, pasi e fali presidenti rus Vlladimir Putin, përmes aprovimit të Ligjit të amnistisë, tha që nuk e di se sa gjatë do të qëndrojë në Gjermani, ku është ribashkuar me familjen e tij të ngushtë.

I pyetur nëse do të kthehet në Rusi, Khodorkovsky theksoi se nuk ka garanci që nëse kthehet, atij do t’i lejohet që të lëshojë Rusinë prapë.

Por, ish-manjati rus u shpreh i vendosur se nuk do të ikë nga aktivitetet e tij publike, edhe pse nuk pranon që të hyjë në politikë.

“Tregimi i forcës nuk është tipar imi”, deklaroi ai.

Khodorkovsky kishte qëndruar për një dekadë prapa grilave, ndërsa është dashur të mbarojë dënimin në muajin gusht të vitit 2014.

Para burgosjes së tij nën akuza për mashtrim dhe evazion fiskal, Mikhail Khodorkovsky ishte njeriu më i pasur në Rusi.

Ndërsa sot, nuk dihet se sa është fitimi i tij neto.

Por, tha se nuk e ka ndërmend t’i kthehet punës së tij të dikurshme.

“Nuk kam plan që t’i kthehem biznesit tim. Besoj se në rrugëtimin tim gjatë karrierës afariste, kam arritur gjithçka që doja - drejtoja një kompani të madhe e të suksesshme që ishte e dyta në Rusi. Nuk jam i interesuar që ta përsëris këtë sukses. Nga situata ime financiare nuk e kam të domosdoshme të punoj për të mbijetuar”, shpjegoi ai.

Mikhail Khodorkovsky shfaqi shpresën që presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, nuk do të mbetet në pushtet gjatë tërë jetës.

Ai, po ashtu, i bëri thirrje edhe presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych, që të ndjekë shembullin e presidentit Putin dhe të lirojë nga burgu lideren opozitare, Yulia Tymoshenko.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG