Ndërlidhjet

“America” në zonat fisnore të Pakistanit


America Bibi
America Bibi

Rabia Akram


Në fshatin e largët Tedi Bazar, në zonat fisnore dhe të paqëndrueshme të Pakistanit, jeton një grua me emër të pazakontë: America Bibi.

Gjyshja pashtune, 65 vjeçe, thotë se emri i saj nderon ëndrrën e paplotësuar amerikane të babait të saj, Akhtar Munir.

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Munir ka lënë fshatin e tij në kërkim të një jete më të mirë në Shtetet e Bashkuara. Udhëtimi, megjithatë, nuk ka shkuar siç është planifikuar.

“Babai im ka qenë një njeri i ri, i etur për të shkuar në Amerikë. Ai ka shkuar në Indi dhe nga atje ka hyrë në një anije për të lundruar drejt Ameirkës. Ka qenë burrë i pashëm, me sy të kaltër, por ka qenë analfabet. Derisa ka qenë brenda anijes, ai ka mbajtur një gazetë mbrapsht dhe kjo ka çuar në arrestimin e tij. Është dërguar në Mumbai dhe atje ka kaluar tre vjetn në burg”, rrëfen America Bibi.

Pasi ka shërbyer burgun, Munir është kthyer në fshatin e tij dhe është martuar. Një vjet më vonë, fëmija i parë i çiftit është emëruar America.

Gjatë rritjes, America Bibi ka qenë krenare me emrin e vendit të preferuar të babait të saj, edhe pse nganjëherë ai i ka bërë njerëzit të ngrenë vetullat.

Militantët islamikë sot kanë prani të madhe në Tedi Bazar dhe pjesë të tjera të provincës Khyber dhe shpesh sulmojnë forcat e sigurisë, shkollat dhe punonjësit e poliomelitit.

Perceptimet e banorëve lokalë për Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar në mënyrë dramatike gjatë viteve.

Shumë fshatarë janë të zemëruar me sulmet e telekomanduara të SHBA-së, edhe pse thonë se ato nuk janë aq të shpeshta si në rajonet fqinje fisnore.

America Bibi thotë se nipërit e saj vijnë në shtëpi nga shkolla dhe shpesh argumentojnë me të në lidhje me emrin e saj.

Megjithatë, ajo nuk di shumë për vendin, emrin e të cilit mban. Për të, “Amerika është një vend shumë i fuqishëm”, diku larg.

“Njerëzit më thonë se jam e fortë si Amerika, sepse gjithmonë përpiqem të bëj diçka për komunitetin tim”, thotë America Bibi.

Sikurse babai i saj, America Bibi është analfabete, por kjo nuk e pengon shumë atë.

E hapur, energjike dhe e zëshme, ajo është një nga aktivistët më me ndikim në fshatin e saj, thotë gazetari nga Khyberi, Fazl Rabi.

Sipas tij, America Bibi ka qenë në mesin e organizatorëve të disa protestave në fshat, mbi çështjet e zhvillimit.

America Bibi thotë se i vjen keq që nuk ka mundur të shkollohet, pasi në fshatin e saj nuk është lejuar arsimimi i vajzave.

“Kam njohuri nga babai im, i cili ka qenë njeri i zgjuar. Ai ka marrë pjesë në këshillat për të zgjidhur mosmarrëveshjet në komunitet. Ai ka qenë burim i urtësisë dhe informacionit për mua. Vëllai po ashtu ka ndihmar shumë në formimin e personalitetit tim”, thotë America Bibi.

Ajo ka tre djem, tri vajza dhe shumë nipër e mbesa dhe shpreson që këta të fundit ta shohin një ditë Amerikën.(v.tela)
XS
SM
MD
LG