Ndërlidhjet

Pse po ikin mjekët nga Kosova?


Ilustrim
Ilustrim
Kuadri specialistik mjekësor po vazhdon të largohet nga Kosova, për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës.

Pagat e mjekëve specialistë janë rreth 500 euro, derisa infermierët për punën e tyre paguhen rreth 300 euro në muaj në sektorin publik, bëjnë të ditur zyrtarë për informim në Qendrën Klinike Universitare.

Ndryshe, këtë vit 299 specialistë janë punësuar në institucione shëndetësore, derisa 35 të tjerë janë në proces të rekrutimit. Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se në listat e pritjes për punësim janë rreth 50 specialistë.

Me kushtet e punës dhe me pagesë nuk janë pajtuar shumë mjekë specialistë, duke kërkuar punë në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë.

Haxhi Avdyli, neurokirurg në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ikja e mjekëve jashtë vendit, është fenomen që ndodh në Kosovë, dhe kjo ka arritur shifrën prej qindra mjekë.

“Kjo është një humbje për shoqërinë, sepse për të ngritur një mjek(profesionalisht), kërkohet investim i madh i shoqërisë, por edhe i familjes. Edhe pse këta mjekë kanë shkuar jashtë vendit dhe po e prezantojnë mirë Kosovën, kjo paraqet një humbje të madhe për Kosovën në aspektin e kapitalit mendor”.

“Për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa të ndryshme, në mënyrë që të zvogëlohet numri dhe të krijohen mundësi të kthehet truri i Kosovës, pasi që ata që kryejnë specializimet edhe të aftësohen për punë. Por, kjo bëhet me një politikë shtetërore të qartë dhe me një përkrahje materiale, në mënyrë që mjekët të kontribuojnë në mjekësinë moderne në Kosovë”
, thotë Avdyli.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se trendi i ikjes së mjekëve nga një vend në tjetrin është fenomen që ndodh në gjithë botën, derisa shtojnë se viti 2013 ka qenë vit kur 299 specialistë, të cilët kanë qenë të papunë, janë punësuar.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë shpjegon:

“Fenomeni i ikjes së mjekëve jashtë vendit, ka qenë më i shprehur vitet paraprake dhe Ministria e Shëndetësisë, duke e parë këtë fenomen, është përqendruar më shumë në këtë çështje gjatë këtij viti. Si rezultat, 299 specialistë janë punësuar, derisa 35 të tjerë janë në proces të rekrutimit”.

“Ministria ka arritur që, përmes politikave të veta, ta zbusë këtë problem dhe në listat e pritjes janë për punësim rreth 50 specialistë. Shumë nga ta janë mjekë specialistë që specializimin e kanë mbaruar rreth 6 muaj më parë”.

Hoti tregon se Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë masa që të bëjë parandalimin e ikjes së mantelbardhëve nga Kosova duke kthyer një numër specializantësh në skemën e financimit.

“Që të krijohen kushte më të mira për mantelbardhët gjatë këtij viti, 266 specializantë i ka kthyer në skemën e financimit apo të mbështetjes financiare. Dhe, e gjithë kjo po bëhet në mënyrë që Kosova të mos e ndiejë mungesën e profesionistëve”.

“Trendi i profesionistëve nga një vend në tjetrin, është i shprehur gjithkund nëpër botë, dhe për Kosovën nëse ka arritur që ky trend të parandalohet, atëherë mund të them që ka qenë viti 2013”,
thekson Hoti.

E, Haxhi Avdyli përmend arsyet e ikjes së mjekëve jashtë vendit.

”Ikja e mjekëve ndodh për dy shkaqe, për mosperspektivë materiale dhe profesionale. Shumë të rinj e shohin të udhës të ikin, sepse nuk arrijnë të profesionalizohen ashtu siç ata dëshirojnë. Ata e dinë që në vendet perëndimore mund të arrijnë majat në aspektin e përgatitjes profesionale, por edhe materiale, sepse në vendet perëndimore fitimi është shumë më i madh si mjek”, potencon Avdyli.

Sidoqoftë, vetë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka deklaruar se me gjithë vështirësitë financiare, në vitin 2014 asnjë specialist nuk do të mbetet i papunë, pavarësisht limiteve serioze buxhetore, si nga ana e Qeverisë së Kosovës, po ashtu edhe nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG