Ndërlidhjet

Policia garanton siguri gjatë festave


Policia e Kosovës (Foto nga arkivi)
Policia e Kosovës (Foto nga arkivi)
Policia e Kosovës ka marrë masa për garantimin e sigurisë në prag të festave të fundvitit. Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë se tashmë është përgatitur urdhri operativ “Fundviti 2013”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se me anën e këtij urdhri janë paraparë një sërë masash operative policore me qëllim të ruajtje së rendit dhe sigurisë publike.

“Kemi bërë shtimin e pranisë së Policisë së Kosovës, apo zyrtarëve policorë në zona të caktuara, e kryesisht në ambiente apo në sheshet e hapura ku mund të ketë edhe manifestime apo koncerte gjatë ndërrimit të moteve”, ka bërë të ditur Kelani.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Florian Qehaja, nga Qendra Kosovare për Siguri, ka thënë se me rastin e festave të funditvitit masat e sigurisë natyrisht se duhet të jenë të shtuara, në mënyrë që të menaxhohet ashtu siç duhet rendi dhe siguria publike.

“Angazhimi i organeve të rendit duhet të jetë në nivel të lartë, këtu mendoj me rritjen e gatishmërisë vepruese të policisë, në rend të parë. Por, jo vetëm të policisë, por edhe të zjarrfikësve dhe organeve të tjera emergjente, duke pasur parasysh faktin që mund të ketë implikime si rrjedhojë e festimeve, qoftë për shkak të përdorimit të fishekzjarrëve, apo të shkaktimit të zjarreve që zakonisht ndodhin gjatë festave apo prishjes së rendit dhe qetësisë publike”, ka thënë Qehaja.

Në Kosovë, tashmë ka filluar shitja dhe përdorimi i mjeteve piroteknike.

Zyrtarë të policisë kanë deklaruar se përdorimi i këtyre mjeteve dhe fishekzjarrëve, është i rregulluar me ligj dhe udhëzime administrative, përkatësisht Udhëzimi Administrativ 14/ 2013.

Sido që të jetë, zëdhënësi i Policisë, Kelani, ka theksuar se deri më tash nga shitësit dhe blerësit e fishekzjarrëve, nuk është shënuar ndonjë incident.

“Tashmë koha e shitjes në bazë të udhëzimit, është lejuar nga data 19 dhjetor dhe ka të drejtë shitjeje deri me datë 31 dhjetor. Kurse, përdorimi i tyre ka filluar nga data 26 dhjetor e deri më 2 janar të vitit pasues. Mund të them se deri në këto momente fatmirësisht nuk kemi ndonjë informacion zyrtar që ndokush të ketë pësuar ndonjë lëndim nga përdormi joadekuat i mjeteve piroteknike”, ka shpjeguar Kelani.

Krahas vëmendjes për ofrimin e sigurisë qytetarëve, në përgjithësi, në prag të Vitit të Ri, një kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet sigurisë edhe në veri të Kosovës, potencon eksperti Florian Qehaja.

“Vigjilenca e organeve të sigurisë së shtetit, duhet të jetë po ashtu në nivel të lartë, sidomos kur flasim për rendin dhe sigurinë në nivel nacional. Këtu mendoj në çështjen e menaxhimit të situatës në veri në rast të eskalimit të mundshëm. Atje kemi një situatë gjithmonë jo stabile. Kështu, që kërkohet një ngritje e gatishmërisë së drejtuesve të policisë dhe organeve të tjera”, ka theksuar Qehaja.
XS
SM
MD
LG