Ndërlidhjet

Shkenca dhe teknologjia më 2013


Me “Grimcën e Zotit”, zbulimin e kafkës më të vjetër njerëzore, makinat pa vozitës dhe kultivimin e mishit të hamburgerit në laborator, 2013-ta ka prodhuar arritje të mëdha në shkencë dhe teknologji.

Ritmi i shpejtë i inovacionit në industrinë e makinave ka bërë që ardhja e automjeteve pa vozitës dhe me hidrogjen po ashtu të mos jetë shumë larg.

Makinat vetë-vozitëse premtojnë revolucion në jetën me makinat, duke kursyer kohë dhe karburante, duke parandaluar aksidente dhe duke përmirësuar lëvizjen e të moshuarve, të paaftëve dhe madje personave të dehur.

Larry Page, shef ekzekutiv i Google, njërës prej firmave kryesore që janë duke punuar në makinat autonome, ka folur këtë vit për vlerat e teknologjisë së re.

“Imagjinoni se si makinat pa shofer do të ndryshojnë jetët tona dhe peisazhin: më shumë hapësira të gjelbra, më pak rrëmujë me parking, lëvizje më e madhe, më pak incidente, liri më e madhe dhe më pak orë të humbura prapa timonit të një makine”, ka thënë Page.

Prototipet e makinave autonome tashmë janë testuar, por ekspertët presin që të kalojë më shumë se një dekadë, para se ato të jenë në dispozicion për publikun.
Lëvizje përpara në të ardhmen e transportit janë edhe makinat që ecin me hidrogjen dhe emetojnë vetëm avuj uji.

Prodhuesi koreano-jugor Hyundai ka zbuluar jë makinë të vogël me hidrogjen, e cila do t’i shfaqet publikut të përgjithshëm në Kaliforni, vitin e ardhshëm.

Makina do të jepet me qira për 499 dollarë në muaj, nërsa Hyundau paguan shpenzimet e hidorgjenit dhe të mirëmbajtjes.

Honda dhe Toyota e Japonisë, ndërkaq, kanë thënë se do të zbulojnë modele për tregun në vitin 2015.

Jashtë rrugëve, në vitin 2013, debutimin e tij ka bërë edhe mishi i hamburgerit, i kultivuar në laborator. Hamburgeri prej 332 dollarësh, i kultivuar nga qelizat embrionale të lopës në një laborator në Holandë, është gatuar dhe ngrënë në një konferencë shtypi në Londër, në muajin gusht.

Njëri nga dy shijuesit, Josh Schonwald, autor i reçetave të gatimit, ka thënë se aroma e tij është ndryshe.

“Ndjenja në gojë është si e mishit. Mungesë është yndyra. Kjo është dobësia e tij, por kafshata shijon si hamburger tradicional”, ka thënë Schonwald.

Në Kaukaz, këtë vit, ka qenë po ashtu një kafkë, e vjetër 1.8 milion vjet, që ka tërhequr vëmendjen e botës.

E zbuluar në muajin shtator, në vendin arkeologjik Dmanisi në Gjeorgji, kafka ka tërhequr vëmendje të gjerë, sepse ka pasur potencial të ndryshojë mënyrën se si janë klasifikuar paraardhësit tanë të hershëm.

Dhe, për të kurorëzuar një nga arritjet më të mëdha shkencore të vitit 2012, dy shkencëtarë këtë vit kanë fituar Çmimin Nobel në Fizikë për punën e tyre në teorinë e ashtuquajtur “Grimca e Zotit”. Peter Higgs, nga Britania, dhe Francois Englert nga Belgjika kanë ndarë çmimin.(v.tela)
XS
SM
MD
LG