Ndërlidhjet

Dialogu (s')ka degraduar


Ndërtesa e Bashkimit Evropian në Bruksel
Ndërtesa e Bashkimit Evropian në Bruksel
Kryengociatorja e dialogut teknik në Bruksel, njëherësh zëvendëskryeministre e Kosovës, Edita Tahiri, duke mos dashur të komentojë shumë deklaratat e dala nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me ndërprerjen e dialogut, tha për Radion Evropa e Lirë se dialogu ka rëndësi të veçantë në shumë plane.

Ajo shtoi se dialogu ka dhënë rezultate dhe se sipas saj marrëveshja e Brukselit bazohet në ligjet e Republikës së Kosovës.

“Dialogu i Brukselit, përkatësisht marrëveshja e Brukselit e datës 19 prill ka rëndësi të veçantë në shumë plane. Unë do të theksoja rëndësinë e saj për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon", tha Tahiri.

"Pastaj për të ndërtuar një fqinjësi të mirë mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë, sipas standardeve evropiane dhe që është një prej kushteve për integrime evropiane për shtetin tonë. Dhe e treta kjo marrëveshje ka rëndësi sepse thërret në zhbërjen e strukturave paralele në pjesën veriore dhe integrimin e asaj pjese në institucionet e Kosovës”, shtoi ajo.

Marrëveshja e Brukselit, thotë Tahiri, mundëson vendosjen e ligjit dhe rendit, po ashtu edhe kushtetutshmërinë në veri të Kosovës e cila ka munguar që nga përfundimi luftës.

“Marrëveshja e Brukselit zbatohet dhe bazohet në ligjet e Republikës së Kosovës, prandaj kjo arritje është e rëndësishme, është e madhe dhe janë mbrojtur vijat e kuqe, pra që shteti i Kosovës të ketë mundësi të shtrijë ligjin edhe në atë pjesë”, tha zëvendëskryeministre e Kosovës, Edita Tahiri.

Procesi i negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë ka degraduar dhe ai dialog duhet të ndërpritet, ka deklaruar nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi.

“Procesi ka degraduar dhe po flitet për të njëjtat tema për të cilat veç janë arritur marrëveshjet, nuk ka tema të reja. Dhe prolongimi i temave të domosdoshme të Kosovës po e bën që pozicioni i Kosovës të dëmtohet”, ka theksuar Isufi.

Kjo parti politike (AAK-ja), është pjesë e këtyre bisedimeve me nënkryetarin e parë të partisë, Blerim Shala, në postin e koordinatorit politik të këtij dialogu.

Kurse, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se për ndërprerjen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të vendos një subjekt politik, por për atë vendos Kuvendi pas vlerësimeve të procesi.

“Mendoj se vlerësimin rreth asaj se nëse duhet të vazhdohet apo të ndërpritet dialogu duhet të jap Kuvendi, sepse Kuvendi i Kosovës ka qenë ai që ka autorizuar qeverinë që të bëjë dialog me Serbinë në baza të një rezolute që ka përcaktuar edhe vijat e kuqe dhe ka përcaktuar edhe kërkesat që kryeministri të raportojë në Kuvend, gjë që kohëve të fundit nuk e ka respektuar”, tha Osmani duke shtuar se dhe përgjegjësia edhe meritat për çkado që është, e mire apo e keqe, duhet ti marr edhe kjo parti politike, pasi që ka qene pjesë e procesit.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shfaqur si fakt i domosdoshëm që është dashur të ndodhë, kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë.

Tashmë është paralajmëruar se takimet e radhës të grupeve punuese do të mbahen nga mesi i këtij muaji, ku do të diskutohet për IBM-në dhe ndërtimin e vendkalimeve kufitare, e me pas do të bisedohet edhe Telekomin.

Sido që të jetë, analistët kanë vlerësuar se bilanci i dalë nga dialogu Kosovë - Serbi, gjatë vitit 2013, nuk mund të shihet si krejtësisht pozitiv apo si krejtësisht negativ për Kosovën.

Si rezultat i dialogut Kosovë- Serbi, kjo e fundit ka përfituar nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG