Ndërlidhjet

Vuçiq: Serbia gjithmonë do të jetë me serbët në Kosovë


Graçanicë...
Graçanicë...
Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e vizitës së tij në Kosovës për festën e Krishtlindjeve ortodokse në Manastirin e Graçanicës, ka falënderuar serbët e Kosovës të cilët, sipas tij, po mbijetojnë përkundër jetës së vështirë dhe të gjitha problemeve me të cilat përballen.

Vuçiq, për serbët që jetojnë në Kosovës, ka theksuar se mund të mburren me sjelljen e tyre, me marrëdhëniet që kanë me Serbinë dhe ndaj interesave shtetërore. Ai ka shtuar se Serbia gjithmonë do të jetë me serbët në Kosovë.

“Përveç që shteti serb do të jetë gjithnjë pran jush, mund t’ju premtoj se së bashku do të punojmë që të jetoni sa më mirë, për të shkolluar fëmijët tuaj, për të ndihmuar në sigurimin dhe gjetjen e vendeve të punës dhe që të kenë të ardhmen më të mirë", ka deklaruar Vuçiq.

Liturgjia e Krishtlindjeve ortodokse në Graçanicë është udhëhequr nga Peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije.

Pas ceremonisë ai ka uruar besimtarët duke u lutur që paqja dhe mirësia të mbizotërojë në shtëpitë e njerëzve që janë të vullnetit të mirë.

Zëvendëskryeministri i Serbisë Vuçiq, deri sa ka folur para banorëve të Graçnicës, ka përmendur edhe protestën e një dite më parë në Gjakovë, ku qytetarët e asaj komune nuk lejuan serbët që të hyjnë në kishë dhe të vizitojnë varrezat e të afërmeve të tyre.

“Sot pozita e popullit serb, nuk është aspak e lehtë, nga thyerja e tabelës cirilike në Vukovar [Kroaci], i cili veprim për secilin serb është sikur ta godasësh me çekan në kokë, e deri te sulmi i mbrëmshëm mbi autobusin [me pelegrinë] dhe urrejtjes histerike të cilën keni pasur mundësi ta shihni në Gjakovë”, ka thënë ai, për të shtuar se megjithatë Serbia reagoi qetë dhe me përmbajtje.

Vuçiq gjatë qëndrimit të tij në Graçnicë ka qenë i shoqëruar edhe nga ministri pa portofol, Aleksandar Vulin, dhe ministri i Mbrojtjes së Serbisë Nebojsha Rodiç.

Vuçiq me delegacioni e tij, kanë takuar kryetarët e porsazgjedhur të komunave me shumicë serbe që kanë ardhur nga Iniciativa Qytetare Serbe.

Ne do të flasim rreth asaj se si të sigurojmë më shumë vende pune për njerëzit tanë që jetojnë në Kosovë. Do të flasim se si të përfundojë ndërtimi i spitalit në Graçanicë, për mënyrën se si t'i nxisim banorët për prodhimet bujqësore, për të hapur departamentin bujqësor të fakultetit këtu, në Graçanicë. Do të shohim se si mund të ndihmojmë prodhuesit në Shillov e Ranilug, por edhe në Kllokot, Partesh, Shtërpcë, dhe në të gjithë vende e tjera serbe në Kosovë”, është shprehur Vuçiq para qytetarëve në Graçanicë.

Nga ana tjetër, autoritetet e sigurisë së Kosovës, janë përkujdesur për këtë vizitë të delegacionit nga Serbia.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë kësaj vizite nuk ka pasur incidente.

“Policia vetëm ka kryer punën e vet konform kompetencës që ka pasur për të siguruar lëvizjen e tij. Rreth orës 9:00 ka arritur në Graçnicë. Gjatë gjithë periudhe sa kanë qenë në lëvizja nuk ka pasur ndonjë incident. Policia është kujdesur për rrethanat e sigurisë”, tha Borovci.

Me rastin e kësaj vizite, në rrugët kryesore të Prishtinës që çojnë në drejtim te komunës së Graçanicës, është vërejtur një shtim i forcave të rendit.

“Në të gjitha situatat kur duhet të lëvizë një subjekt, policia vendos policët e saj në pika të caktuara rrugore, por kjo më shumë bëhet për shkak të lëvizjes më të shpejtë dhe më të lirë, për të liruar akset e caktuara rrugore”, ka sqaruar Borovci, duke e thënë se nuk mund të thuhet se ka pasur shtim të madh të forcave të sigurisë.
XS
SM
MD
LG