Ndërlidhjet

QKU pesë vjet me ushtrues detyre


Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë patën deklaruar se me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për shëndetësi, janë nxjerrë edhe disa udhëzime administrative, e që si rrjedhojë, do të shpallet edhe konkursi për udhëheqës klinikash brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ndryshe, të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për rreth pesë vjet me radhë udhëhiqen me ushtrues detyre.

Në vitin 2012, më 18 janar, ishin shpallur emrat e gjashtëmbëdhjetë drejtorëve të rinj të klinikave dhe shërbimeve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, dhe ky konkurs u anulua një ditë më vonë.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, me datën 25 tetor të vitit 2013 se më 1 janar të vitit të 2014, të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, do t’i kenë drejtorët e tyre.

Por kjo nuk ka ndodhur. Edhe sot, klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, vazhdojnë të udhëhiqen me ushtrues detyre.

Zëdhënësi i QKUK së, Shpend Fazliu i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se është bërë vazhdimi i konkursit për drejtor të klinikave, për shkak se nuk ka pasur në disa klinika kandidat të mjaftueshëm, dhe sipas tij po ashtu disa prej kritereve të parapara në konkurs, nuk janë përmbushur.

"Në bazë të nenit 4, pikës 3 të udhëzimit administrativ 14 / 2011, për rregullimin e procedurave për themelim të marrëdhënieve të punës në sektorin publik, drejtori ekzekutiv në QKUK, me datën 13 janar 2014 ka vendosur ta bëjë vazhdimin e konkursit për drejtor të klinikave për shkak se nuk ka pasur në disa klinika kandidatë të mjaftueshëm".

"Po ashtu, disa prej kritereve të parapara në konkurs nuk janë përmbushur. Të gjithë kandidatët që kanë aplikuar nuk do të kenë nevojë të ri-aplikojnë. Konkursi do të jetë i hapur deri më 28 janar 2014. Pas kësaj date do të vazhdojë procedura e përzgjedhjes së komisionit për intervistim dhe do të procedohet më tutje në bazë të ligjeve në fuqi", bën të ditur Fazliu.

Por Xhemajl Selmani, kryetar i sindikatës së Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare ka bërë të ditur se e gjithë kjo katrahurë po bëhet, siç thotë ai, sa për t'u dëmtuar sektori publik, dhe të fillojë privatizimi i saj.

"Më vjen keq por ministri ka krijuar një precesion publik që po bën reforma në shëndetësi me Ligjin për shëndetësi, krijimin e odave të mjekëve, por deri më tani nuk po shohim ndonjë përmirësim të cilësisë së shërbimeve, e asnjë hap drejt përmirësimit të sistemit shëndetësor. Përveç percepcionit të krijuar artificialisht në publik, nuk ka bërë asnjë gjë në ngritjen e cilësisë së shërbimit si me furnizim me barna, pajisje etj".

"Drejtorët nuk janë zgjedhur, sepse sipas Ligjit për shëndetësi që është miratuar vitin e kaluar, do të përzgjidhet shërbimi kombëtar dhe pas bordit atëherë të procedohet zgjedhje e drejtorëve të klinikave. Një hierarki e tillë nuk po respektohet, dhe po shkelet ky Ligj i ri. Unë po mendoj që gjithë kjo katrahurë po bëhet sa për tu dëmtuar sektori publik dhe të fillojë privatizimi i tij", thotë Selmani.

Derisa zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se me Ligjin e ri për shëndetësi, tashmë përgjegjësia për zgjedhjen e drejtorëve të klinikave, është përvjelë te Qendra Klinike Universitare, dhe ky institucion ka për obligim ta marrë përsipër shpalljen e konkursit për drejtorë dhe zgjedhjen e tyre.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në këtë ministri jep hollësi të tjera.

"Me Ligjin e ri për shëndetësi, QKUK-ja do të jetë pjesë e shërbimit spitalor dhe klinik universitar dhe duke e përcjellë tranzicionin e përgjegjësive në këtë shërbim është edhe shpallja e konkursit për njësitë, e që është bërë nga vetë QKUK-ja. Me reformën shëndetësore, QKUK-ja është pjesë e këtij sistemi dhe natyrisht edhe përgjegjësit për organizimin e brendshëm për konkurset që kanë të bëjnë me drejtorë, i shpall kjo qendër dhe do t'i zhvillojë edhe procedurat ligjore", shprehet Hoti.

Sidoqoftë, drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Njazi Gashi, ka deklaruar se edhe pse të gjitha klinikat janë udhëhequr me ushtrues detyre, kjo nuk ka ndikuar negativisht në punën e tyre.
XS
SM
MD
LG