Ndërlidhjet

Përse nuk u zgjerua lista e zezë Magnitsky?


Portrete të Sergei Magnitsky
Portrete të Sergei Magnitsky
Një ligjvënës amerikan, i cili ka udhëhequr legjislacionin që ndëshkon abuzuesit e akuzuar rusë të të drejtave të njeriut, planifikon të takojë zyrtarët e administratës Obama për të kërkuar përgjigje për atë se përse kanë dështuar të fusin në listë të zezë zyrtarë të tjerë rusë.

James McGovern, demokrat nga Masaçusets, thotë se kërkon sqarime përse nuk është zgjeruar lista e zezë, e autorizuar nga Ligji Magnitsky, para se të lëshohej raporti i detyrushëm për ligjin, muajin e kaluar, të cilin ai e konsideron zhgënjyes dhe pa detaje.

Kam pritur më shumë, por dua t’iu jap një mundësi që të më shpjegojnë lënien jashtë të disa emrave”, thotë për Radion Evropa e Lirë McGovern, i cili për herë të parë ka propozuar idenë e legjislacionit Magnitsky në një seancë të Kongresit më 20 maj të vitit 2010.

Legjislacioni, i miratuar në fund të vitit 2012, përfshin ndalesa në viza dhe sanksione financiare për zyrtarët rusë, të implikuar në vdekjen e avokatit rus, Sergei Magnitsky, më 2009.

Raporti i dhjetorit nuk është bërë publik, por një korrespondent i Radios Evropa e Lirë është lejuar të shohë faqen e parë që përfshin informacione të përgjithshme rreth 18 personave të vendosur në listën e zezë inaguruese, në muajin prill, nga Departamentet e Shtetit dhe Thesarit.

Një anëtar i stafit të Kongresit, i njohur me raportin, u ka bërë jehonë kritikave të McGovernit, duke thënë se pjesa narrative e raportit është ripunim i detajeve që kanë qenë më herët në dispozicion.

Ai po ashtu ka kritikuar administratën për dorëzimin e dokumentit gjashtë ditë pas afatit të 14 dhjetorit, të paraparë me ligj.

Zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Laura Magnuson, nuk i ka komentuar drejtpërdrejt kritikat kur është kontaktuar nga REL.

Ajo ka thënë se dokumenti “përshkruan veprimet që janë marrë” nga shteti dhe thesari prejse presidenti Obama ka nënshkruar ligjin në dhjetor të vitit 2012.

Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit ka dhënë deklarata të ngjashme për REL-in, duke thënë se raporti është përpiluar nën kërkesat e Ligjit Magnitsky.

McGovern thotë se, derisa afati i muajit të kaluar për raportin është afruar, ai dhe kolegët e tij kanë pritur që administrata të zgjerojë listën e zezë origjinale dhe se janë zënë në befasi kur është vendosur që të mos zgjerohet.

Raporti është dorëzuar më 20 dhjetor, në të njëjtën ditë kur senatori republikan, Bob Corker, anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, i ka dërguar letër sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në të cilën ka shprehur shqetësimin se administrata do të pengojë zgjerimin e listës së zezë, në mënyrë që të mos rrezikojë bashkëpunimin e Kremlinit në fushat me interes të përbashkët.

Unë e kuptoj se administrata mund të jetë e shqetësuar se zgjerimi i listës Magnitsky mund ta dëmtojë këtë bashkëpunim. Por, Ligji Magnitsky është miratuar nga Kongresi dhe është është nënshkruar nga presidenti Obama. Andaj, jemi të gjithë të detyruar që të sigurojmë zbatimin e plotë të tij”, ka shkruar Corker.

Edhe Shtëpia e Bardhë, edhe Departamenti i Shtetit thonë se zgjerimi i listës së zezë nuk kërkohet të bëhet në lidhje me raportin dhe një zyrtare e lartë amerikane ka thënë të mërkurën se zgjerimi i saj tani është duke u konsideruar.

“Po vazhdojmë të shohim për emrat që mund të shtohen në listë; do të vazhdojmë me këtë proces edhe në javët e ardhshme”, ka thënë ndihmëssekretarja e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Magnitsky ka vdekur në një objekt të paraburgimit në Moskë, në nëntor të vitit 2009, derisa ka qenë duke pritur gjykimin për evazion fiskal. Ai ka qenë 37 vjeç.

Miqtë dhe familja e tij thonë se ai është burgosur, torturuar dhe i është mohuar e drejta për trajtimin mjekësor, që mund t’i shpëtonte jetën, si ndëshkim për akuzat ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit dhe zyrtarëve tatimorë për vjedhjen e 230 milionë dollarëve nga arkat ruse.

Ligji, i cili bën thirrje për sanksione ndaj rusëve të përfshirë edhe në shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, ka zemëruar Qeverinë ruse, e cila e konsideron atë si ndërhyrje të papranueshme në punët e saj të brendshme.

Kremlini është përgjigjur pjesërisht duke u ndaluar amerikanëve që të birësojnë fëmijë rusë dhe duke shkaktuar kështu ngecje të mëtejshme në marrëdhëniet e tensionuara midis dy vendeve. Rusia po ashtu ka lëshuar një listë të zezë reciproke, e cila përfshin 18 zyrtarë amerikanë, që i akuzon për shkelje të të drejtave të njeriut.

Vitin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka quajtur vdekjen e Magnitskyt “tragjedi”, por ka thënë se nuk është rezultat i veprimeve kriminale.

Në korrik, një gjykatë ruse ka dënuar Magnitskyn për evazion fiskal në një gjykim pas vdekjes, i cili ka shkaktuar kritika ndërkombëtare.

Ligji Magnitsky kërkon nga administrata e Shteteve të Bashkuara që t’i paraqesë një raport vjetor Kongresit, duke shpjeguar arsyet për emra të rinj në listën e zezë apo heqje të ndonjërit nga ajo, si dhe përpjekjet për të inkurajuar vendet e tjera që të miratojnë legjislacione të ngjashme.

Raporti që është paraqitur para Kongresit muajin e kaluar, përfshin informacione të pazbuluara më parë në lidhje me ndërveprimet e administratës me qeveritë e tjera për legjislacionet analoge gjetkë nëpër botë.

Departamenti i Shtetit ka “inkurajuar qeveritë e vendeve të tjera që të vendosin sanksione të ngjashme” dhe “ka realizuar disa takime me ligjvënësit evropianë në lidhje me çështjen”, thuhet në raport.(v.tela)
XS
SM
MD
LG