Ndërlidhjet

Obama premton transparencë në mbikëqyrje


Barack Obama, 17 janar 2014.
Barack Obama, 17 janar 2014.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se Uashingtoni do të reformojë programet aktuale të mbikëqyrjes, do të sigurojë transparencë më të madhe për to dhe do të rrisë masat për mbrojtjen e privatësisë së shtetasve amerikanë.

“Reformat që propozoj sot, duhet t’i japin popullit amerikan besim më të madh se të drejtat e tyre mbrohen, edhe nëse agjencitë tona të inteligjencës dhe sundimit të ligjit ruajnë mjetet që u duhen për të na mbajtur të sigurt”, ka thënë Obama.

Në një fjalim televiziv të premten, ai ka thënë SHBA-ja do të ndalojë të spiunojë udhëheqësit e vendeve aleate dhe mike.

“Ia kam bërë të qartë komunitetit të inteligjencës: nëse nuk ka një qëllim bindës për sigurinë kombëtare, ne nuk do të monitorojmë komunikimet e krerëve të shteteve dhe qeverive”, ka theksuar Obama.

Fjalimi vjen midis një debati të nxehtë për qëllimin e programeve të mbikëqyrjes të SHBA-së, pas dokumenteve sekrete në lidhje me to, të cilat kanë rrjedhur në publik nga ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden.

Zyrtarët në Shtëpinë e Bardhë thonë se masat e përshkruara nga Obama përbëjnë reformën më të rëndësishme të programit të mbikëqyrjes amerikane prejse Obama ka marrë drejtimin e SHBA-së.

Në fjalimin e tij, Obama ka thënë se inteligjenca ka një rol jetik në konfrontimin me kërcënimet dhe se Shtetet e Bashkuara “nuk mund të çarmatosin në mënyrë rë njëanshme” shërbimet e tyre të inteligjencës.

Ai ka thënë se një numër vendesh që kritikojnë publikisht Shtetet e Bashkuara, privatisht e dinë se kapacitetet e inteligjencës amerikane janë të rëndësishme për të përmbushur përgjegjësitë e tyre si superfuqia e vetme në botë.

Obama po ashtu ka theksuar se SHBA-ja përdor informacionet e mbledhura nga agjencitë e inteligjencës për të mbrojtur popullin e saj.

Presidenti amerikan ka thënë se SHBA-ja “nuk spiunon njerëzit e rëndomtë, që nuk kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare”.

Askush nuk pret nga Kina që të ketë debat të hapur për programet e saj të mbikëqyrjes, ose nga Rusia që të marrë parasysh shqetësimet e shtetasve të saj për privatësinë. Por, të kujtojmë se ne mbahemi me të tjera standarde, pikërisht se kemi qenë në ballë të mbrojtjes së privatësisë personale dhe të dinjitetit njerëzor”, ka potencuar Obama.

Ai ka nënvizuar se agjencitë e inteligjencës përdorin të dhënat e mbledhura për të luftuar terrorizmin, për të mbrojtur trupat dhe aleatët dhe për të luftuar krimin.

Obama ka kritikuar zbulimet “e bujshme” të programeve të klasifikuara, duke thënë se rrjedhjet nga Snowdeni “kanë hedhur më shumë hije sesa dritë” dhe se mund të ndikojnë në operacionet e SHBA-së në vitet e ardhshme.(v.tela)
XS
SM
MD
LG