Ndërlidhjet

Kabul: Sulmi në restorant vret 21 veta, 13 prej tyre të huaj


Kabul, 17 janar 2014
Kabul, 17 janar 2014
Ka arritur në 21 numri i të vdekurve nga sulmi në një restorant të premten në Kabul, njoftuan autoritetet afgane.

Policia bërë të ditur se në mesin e viktimave janë edhe shumë të huaj, një diplomat i lartë dhe të tjerë që ishin pjesë e misioneve ndërkombëtare në
Afganistan.

Zëdhënësi i policisë në Kabul, Hashmatullah Stankizai, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, numrin e viktimave.

"Në përgjithësi, numri i viktimave ka shkuar në 21. Trembëdhjetë prej tyre janë të huaj, ndërsa tetë janë shtetas afganë. Pesë femra janë në mesin e viktimave, prej të cilave katër ishin të huaja dhe një afgane”, tha Stankizai për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, e dënoi këtë sulm, por edhe theksoi se lufta kundër kryengritësve afganë do të mbarojë vetëm kur trupat e huaja të kenë për cak “elementet e terrorizmit”.

Sipas tij, nëse paqeruajtësit e NATO-së, “duan të jenë partner dhe aleat me afganët, ata duhet të kenë për cak terrorizmin”.

Ai paralajmëroi forcat e NATO-s se po ngatërrojnë “terroristët dhe viktimat”, një aluzion sipas Karzait, për operacionet e perëndimorëve që shpesh kanë shkaktuar vdekjen e civilëve.

Në mesin e viktimave është edhe përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Afganistan dhe katër pjesëtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara.

Ari Gaitani, zëdhënës i misionit të Kombeve të Bashkuara në Afganistan konfirmoi se në mesin e viktimave ka edhe pjesëtarë të këtij misioni.

"Siç mund ta paramendoni, jemi shumë të shokuar dhe shumë të pikëlluar. Është një ditë e vështirë për ne këtu, si misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan. Kemi humbur katër kolegë tanë në këtë sulm. Mund ta paramendoni efektin që ka pasur kjo ngjarje në personelin këtu. Njëkohësisht, ne dënojmë fuqishëm këtë sulm, sepse sulme të tilla, të cilat kanë për cak civilët, janë të papranueshme”, u shpreh Gaitanis për Radion Evropa e Lirë.

Talebanët kanë marrë përgjegjësinë për sulmin në restorantin që gjendet në qarkun Wazir Akbar Khan, që frekuentohet kryesisht nga diplomatë të huaj dhe afaristë ndërkombëtarë.

Forcat afgane të rendit thonë se sulmuesi vetëvrasës ka aktivizuar eksplozivin para hyrjes së restorantit, pak kohë pasi dy sulmues të tjerë kishin shtënë me automatikë në drejtim të mysafirëve në brendi.

Suliman, një burrë në të dyzetat, që ka parë se si është zhvilluar ky incident, shpjegoi:

"Isha në kuzhinë dhe dëgjova disa shpërthime jashtë, dhe pastaj ikëm nga atje, të gjithë ikëm. Më pas kemi shkuar në tavan, dhe aty qëndrova afër oxhakut për dy-tri orë, përderisa policia arriti dhe na nxori jashtë restorantit”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kabul, njoftoi të shtunën se të paktën dy viktima të këtij sulmi ishin shtetas amerikanë.

Po ashtu, në mesin e të vdekurve janë edhe dy shtetas britanikë, dy kanadezë, dhe pronari i restorantit - një libanez.

I vrarë ka mbetur edhe një polic danez i misionit evropian në Afganistan, i cili në kohën e sulmit ishte duke darkuar brenda në restorant.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, e dënoi sulmin, duke nënvizuar se sulmet ndaj civilëve “janë plotësisht të papranueshme dhe paraqesin një shkelje flagrante të ligjeve ndërkombëtare”.

Një zëdhënësi i talebanëve shkroi në Twitter se sulmi është shenjë hakmarrjeje për fushatën ajrore që ka vrarë qindra civilë në krahinën Parwan në fillim të kësaj jave.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG