Ndërlidhjet

Ballkani - pak përparim në fushën e të drejtave


Harta e Ballkanit
Harta e Ballkanit
Organizata Human Rights Watch ka parë përparim të kufizuar në Ballkanin Perëndimor sa i përket llogaridhënies për krimet e luftës dhe çrrënjosjes së diskriminimit dhe abuzimit të minoritetit rom.

Në raportin për të drejtat e njeriut më 2013, grupi ka konstatuar progres të vogël në këtë rajon edhe sa i përket adresimit të dhunës ndaj gazetarëve dhe komunitetit homoseksual. Grupi po ashtu thotë se ka mungesë të zgjidhjeve të qëndrueshme për refugjatët dhe të zhvendosurit brendapërbrenda.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë më shumë për të sjellë të drejtat e njeriut në një linjë me standardet evropiane dhe ndërkombëtare”, ka thënë Lydia Gall, hulumtuese për Ballkanin dhe Evropën Lindore, pranë organizatës Human Rights Watch.

Sipas saj, Bosnja, Serbia dhe Kosova duhet të ndalojnë abuzimet serioze nëse vërtet synojnë të lëvizin më pranë Bashkimit Evropian.

Në raport thuhet se prokurorët në Serbi dhe Bosnjë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në vitin 2013 për ndjekjen penale të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

Pavarësisht disa dënimeve, përgjegjësia për këto krime ka mbetur e padefinuar, me ndjekje të pakta penale në gjykatat kombëtare të të dyja vendeve, thuhet në raport. Po sipas tij, ndjekja e krimeve të luftës në Kosovë ka mbetur e ngadaltë dhe e dëmtuar nga problemet e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Human Rights Watch thotë se mbrojtja e minoriteteve mbetet e dobët në gjithë rajonin. Organizata vë theksin mbi romët, të cilët, sipas saj, përballen me diskriminim të gjerë sa i përket qasjes në kujdesin shëndetësor, arsim dhe strehim, si dhe me dëbime të detyrueshme.

Autoritetet në Bosnjë nuk kanë rishikuar dispozitat kushtetuese që përjashtojnë romët dhe minoritetet e tjera etnike nga pjesëmarrja politike, pavarëisht presionit të Bashkimit Evropian dhe vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut se një gjë e tillë është diskriminim, thuhet në raport.

Në Kosovë, vijon raporti, diskriminimi kundër romëve dhe minoriteteve të tjera, të njohura si ashkali dhe egjiptianë, është përkeqësuar nga dëbimet e vazhdueshme nga Evropa Perëndimore, pa ndihmë adekuate për t’i ndihmuar këto grupe që të integrohen me pjesën tjetër të popullsisë.

Gazetarët në rajon ndeshen me një mjedis armiqësor, përfshirë kërcënime dhe sulme, ashtu si edhe komuniteti homoseksual dhe aktivistët, vlerëson organizata Human Rights Watch, duke kujtuar se autoritetet në Serbi kanë anuluar Paradën e Krenarisë në Beograd, për të tretin vit me radhë, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Në raportin 667 faqesh, Human Rights Watch ka pëmbledhur çështjet kryesore në më shumë se 90 vende.

Në shumë prej tyre, sipas organizatës, një ekuacion i gabuar i demokracisë me dëshirat e shumicës ka bërë që sunduesit të shtypin mendimet dhe grupet e pakicave, sidomos në Egjipt.

Zbulimet që ka bërë ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden, kanë treguar se programi i mbikëqyrjes i Shteteve të Bashkuara ka prekur shumë privatësinë e njerëzve në botë, vlerëson Human Rights Watch.

Organizata po ashtu thekson se Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara është bërë gjithnjë e më efektiv në ushtrimin e presionit ndaj abuzuesve të rëndë të të drejtave të njeriut, gjë që dëshmohet edhe nga rezolutat e reja për Korenë e Veriut dhe Shri Lankën.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG