Ndërlidhjet

SHBA: Ofrohet mbështetje për siguri në Soçi


Pentagoni ka ofruar “mbështetjen e plotë për qeverinë ruse” për përgatitje të sigurisë, para Lojërave Olimpike Dimërore, në Soçi të Rusisë, që fillojnë muajin e ardhshëm.

Admirali John Kirby, sekretar për shtyp i Pentagonit, u tha gazetarëve mbrëmë vonë në Uashington, se komandantët e ushtrisë amerikane në rajon, po “bëjnë planifikime diskrete dhe përgatitje”, në rast se Rusisë i duhet mbështetje.

Admirali Kirby tha se dy anije të Marinës amerikane në Detin e Zi “do të jenë në dispozicion, nëse kërkohet” dhe “në konsultime” me autoritetet e Rusisë.

Ai theksoi se deri tash nuk ka pasur asnjë kërkesë nga Rusia për ndihmë.

Militantët islamistë në rajonin e Kaukazit Verior të Rusisë, afër Soçit, janë shprehur të përkushtuar për sulme për ta shkatërruar olimpiadën.

Muajin e kaluar në qytetin rus Volgograd, afro 700 kilometra në veri të Soçit, nga sulmet vetëvrasëese me bomba janë vrarë së paku 34 vetë. Përgjegjësinë për këtë sulm e kanë marrë militantët islamistë.
XS
SM
MD
LG