Ndërlidhjet

Hagë: Ulje dënimesh për rastin "Shainoviq dhe të tjerët"


Nikolla Shainoviq, Nebojsha Pavkoviq, Sreten Llukiq dhe Vladimir Llazareviq në Hagë, 23 janar 2014
Nikolla Shainoviq, Nebojsha Pavkoviq, Sreten Llukiq dhe Vladimir Llazareviq në Hagë, 23 janar 2014
Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë sot ka ndryshuar dënimet e shpallura, në aktgjykimin e shkallës së parë, për tre nga katër ish zyrtarë të lartë serbë, në ndërlidhje me krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.

Fjala është për Nikolla Shainoviqin, atëbotë nënkryetar i qeverisë jugosllave, për gjeneralët e ish Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq dhe Vlladimir Lazareviq, si dhe gjeneralit të policisë Sreten Llukiq.

Por elementet kyçe të konfirmuara në shkallën e parë, që flasin për orkestrimin e krimeve kundër njerëzimit në Kosovë, nga ana e liderëve të atëhershëm në Beograd, mbeten, raportojnë agjencitë botërore.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, të katër të akuzuarit janë shpallur fajtorë për fushatën e dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës, gjatë vitit 1999.

Ata ishin akuzuar për orkestrimin e fushatës së vrasjeve, torturave dhe dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës gjatë vitit 1999.

Shainoviq ishte dënuar në shkallën e parë me 22 vjet, tani gjykata konfirmoi dënimin prej 18 vjetësh.

Llukiq ishte dënuar me 22 vjet. Ky vendim ndryshoi sot në 20 vjet.

Llazareviq ndërkaq ishte dënuar fillimisht me 15 vjet heqje lirie, kurse me vendimin e sotëm dënimi i zvogëlohet në 14 vjet.

Dënimi i pandryshueshëm prej 22 vjetësh mbetet ai për ish gjeneralin Pavkoviq.

Vendimi i sotëm pason ankesën që ekipi mbrojtës i të akuzuarve ka parashtruar ndaj vendimit të shqiptuar në shkallën e parë.

Në aktakuzën e njejtë, i përfshirë ka qenë edhe Millan Millutinoviq, ish president i Serbisë, dhe Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i ushtrisë jugosllave.

Millutinoviq është shpallur i pafajshëm nga Tribunali, kurse Ojdaniq është liruar vitin që shkoi, pasi kishte mbajtur dy të tretat e dënimit të shqiptuar prej 15 vjetësh. (a.v.)
XS
SM
MD
LG