Ndërlidhjet

Qytetarët e Kosovës me kursime në banka


Ilustrim
Ilustrim
Qytetarët kosovarë, të cilët thuhet se kanë pagat më të ulëta në rajon dhe është vend me nivel të lartë të papunësisë, kanë depozita në nivel mjaft të lartë në bankat komerciale, që funksionojnë në Kosovë.

Vlera e kursimeve apo depozitave të klientëve në nëntë bankat komerciale ka arritur në 2 miliardë e 441 milionë euro, ka bërë të ditur guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza.

“Ka pasur rritje të depozitave dhe kjo rritje e depozitave në raport me vitin paraprak është 7.6 për qind. Niveli i depozitave në fund të vitit 2013 ka arritur në 2 miliardë e 441 milionë euro”, tregon Hamza.

Në Kosovë, të punësuarit paguhen mesatarisht, nga 300 deri në 400 euro në muaj, por natyrisht ka persona, të cilët kanë të hyra më të larta.

Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se nuk arrijnë të kursejnë, pasi që kanë paga të ulëta dhe është gati e pamundur për të kaluar muajin e lëre më të kursejnë para.

Hilmi Sogojeva, punon në një kompani private dhe paguhet mesatarisht 400 euro në muaj. Ai thotë se me këtë pagë arrin të jetojë një jetë mesatare, pa pasur nevojë të kërkojë ndihmë nga të afërmit, por është e pamundur të kursejë.

“Nuk mund të arrish të kursesh me pagat që ne kemi, është gati e pamundur. Me këto mjete mund të arrish të jetosh një jetë mesatare, por jo të arrish të kursesh. Një qytetar i thjeshtë nuk mund të kursejë, ndoshta ata që kanë para më shumë, kursejnë”, thotë ai.

Ekspertë të çështjeve ekonomike, vlerësojnë se në Kosovë nuk është vetëm një burim i të ardhurave dhe se një numër i madh i qytetarëve të Kosovës është në diasporë dhe ky mund të jetë një burim i atyre parave të kursyera.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se me pagat që marrin kosovarët, është e pamundur të kursehet.

“Nëse bazohemi në punësim dhe në pagat mesatare që ekzistojnë në Kosovë, është shumë e palogjikshme dhe e pakuptueshme në aspektin ekonomik prej nga vjen ky kursim. Lidhur me këtë, duhet të shikojmë se cila pjesë e qytetarëve ka kursyer, pasi që unë mendoj se shumica dërmuese e popullatës nuk mund të kursejë”, vlerëson Limani.

Nëse qytetarët kanë arritur të kursejnë mbi 2 miliardë euro dhe ato para gjenden në bankat komerciale, atëherë sipas Limanit ky duhet të jetë një sinjal i mirë, pasi që kjo do të mundësonte uljen e normave të larta të interesit në kredi.

Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Milazim Abazi, mendon se depozitat në banka të qytetarëve të Kosovës, tregojnë se shumë prej tyre kanë depozituar para në banka për arsye se ambienti ekonomik i pafavorshëm në vend, nuk iu mundëson atyre të hapin ndonjë biznes.

“Pse ka rritje të kursimeve, qytetarët nuk po janë të sigurt të bëjnë biznes në këtë klimë të tillë biznesi dhe gjëja më e lehtë është që paratë të ruhen në bankë, sesa të hyhet në ndonjë biznes, i cili është i pasigurt për shkak të klimës së pafavorshme biznesore”, konsideron Abazi.
XS
SM
MD
LG