Ndërlidhjet

Vizat dëmtojnë bizneset e Bosnjës


Ilustrim
Ilustrim
Vënie e regjimit të vizave nga ana e Qeverisë së Kosovës për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, është vendim i duhur, madje i vonuar, vlerësojnë përfaqësuesit e komuniteteve të bizneseve në Kosovë.

Duke pasur parasysh që një regjim të tillë vizash ndaj qytetarëve të Kosovës, qeveria e Bosnjë e Hercegovinës e kishte vendosur që moti, sipas tyre, Kosova ka qenë e detyruar të vendosë regjimin e vizave, si masë reciproke.

Ata shprehin mendimin se prej kësaj situate, humbëse mund të jenë shumë më tepër bizneset e Bosnjës se sa ato të Kosovës, të cilat, sipas tyre, nuk kanë pasur ndonjë eksport domethënës në atë vend.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ekziston një numër i madh i kompanive prodhuese të Bosnjë e Hercegovinës, të cilat destinacion të vetëm e kanë pasur tregun e Kosovës.

Nisur nga kjo, sipas tij, efektet negative të regjimit të vizave, i vendosur në mënyrë reciproke nga të dyja vendet, do të godasin më tepër bizneset dhe ekonominë e Bosnjës.

“Ashtu e kështu, Kosova nuk ka pasur një mundësi që të dërgojë mallra të shumta në Bosnjë e Hercegovinë, nga vetë fati se më lehtë ke marrë një vizë për të shkuar në Amerikë ose në Evropë, kudo, se sa të shkosh në Bosnjë. Sjellja e tyre nëpër ambasada dhe nëpër konsullata ka qenë vërtet shumë johumane”.

“E tërë kjo ka arritur efektin e jomotivimit të bizneseve kosovare që të mësyjnë tregun e Bosnjës. Bazuar në indikatorët ekonomik, me siguri që do të ketë rënie të eksporteve nga Bosnjë e Hercegovina. Por, në të njëjtën kohë do të ketë edhe mangësi ose zvogëlim të mundësive të lëvizjeve dhe në qoftë se nuk ka lëvizje dhe komunikim, atëherë, si mund të avancohet partneriteti?”, ka thënë Gërxhaliu.

Mendim të ngjashëm ka edhe Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai ka theksuar se vendosja e regjimit të vizave ndaj Bosnjë e Hercegovinës, do t’ju sjellë vështirësi shumë më tepër vetë qytetarëve të këtij vendi, të cilët, sipas tij, deri më sot kanë pasur biznese disa milionëshe në Kosovë.

“Ne kemi me dhjetëra miliona euro import nga Bosnja dhe kjo masë do ta vështirësojë këtë import. Por, ky import nuk është i pazëvendësueshëm nga vendet tjera. Mallrat që eksportojnë kosovarët në Bosnjë, janë shumë të limituara, janë shumë të vogla dhe kjo nuk e pengon në masë të madhe kosovarin. Me një fjalë, kjo masë i ka goditur më së shumti bizneset dhe qytetarët e Bosnjës, sepse Bosnja ka aplikuar masë kundër qytetarëve të Kosovës, i ka goditur dhe kosovarët kanë gjetur treg tjetër”, ka pohuar Shahini.

Lidhur me gjithë situatën që ka sjellë deri te fakti që Qeveria e Kosovës të jetë e detyruar të vendosë regjim vizash për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, Gërxhaliu ka kritikuar qytetarët dhe komunitetin e biznesit të atij vendi.

Sipas tij, komuniteti i biznesit dhe popullata në Bosnjë kanë qenë mjaft inert karshi padrejtësive që i janë bërë Kosovës, siç thotë ai, me regjim vizash dhe me shumë probleme tjera.

“Në Bosnjë dhe Hercegovinë, si duket edhe më tutje, fryma radikale pro-serbe është ajo që determinon dhe vendos shumëçka. Dua të besoj që është koha që vetë komuniteti i biznesit në Bosnjë dhe Hercegovinë duhet ta ngritë zërin, të bëjë presion në qeverinë e tyre, pa marrë parasysh se nga cili kanton vijnë, sepse, në qoftë se dikush do të jetë humbës, atëherë do të jetë Bosnjë e Hercegovina, bazuar në faktin se indikatorët ekonomikë tregojnë se shumë më tepër ka pasur efektivitet pozitiv Bosnja në Kosovë, se sa Kosova në Bosnje”, është shprehur ai.

Gërxhaliu ka shtuar se lidhur me heqjen e regjimit të vizave nga të dyja vendet, mund të ndikojë komuniteti i biznesit në Bosnjë, duke bërë presion mbi qeverinë e vendit të vet.

Ndërkaq, Agim Shahini, po ashtu, ka vlerësuar se vënia e regjimit të vizave ndaj Bosnjë e Hercegovinës, do të ndikojë për zhbllokimin e masës së ngjashme, të cilën qeveria e kësaj të fundit e ka vënë më herët ndaj kosovarëve.

“Kjo do ta detyrojë Bosnjën që të heqë vizat për qytetarët e Kosovës ose të mbeten në fuqi këto masa që më shumë do t’i bëjnë dëm vetë Bosnjës se sa Kosovës, sepse kosovarët nuk kanë ndonjë treg në Bosnjë, nuk kanë lëvizje të madhe në Bosnjë, por kjo e fundit ka treg dhe lëvizje më të madhe në Kosovë”, ka vlerësuar Shahini.

Megjithatë, Gërxhaliu ka theksuar se modeli i vënies së regjimit të vizave nga të dyja shtetet, nuk i bën nder procesit integrues të tyre, për faktin se të dyja vendet pretendojnë të jenë në familjen evropiane.

Eliminimi i këtyre barrierave do të nënkuptonte avancimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet të dy vendeve.
XS
SM
MD
LG