Ndërlidhjet

Seagal dhe Putin, "miqësia e pandashme"


Steven Seagal dhe Vladimir Putin
Steven Seagal dhe Vladimir Putin
Një sulmues vetëvrasës në arrati; qeveritë perëndimore në shqetësim për një sulm terrorist; anijet luftarake amerikane në gjendje gatishmërie.

Me këto pak fjalë ka përshkruar gjendjen aktuale të sigurisë në Sochi, qytetin rus ku muajin tjetër nisen Lojrat Olimipike Dimërore, Mike Huckabee, zyrtar i lartë i Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara.

Por, eksperti i arteve marciale, Steven Seagal, siç duket, ka më shumë njohuri.

Duke folur si mysafir i zotit Huckabee në stacionin konzervativ amerikan Fox News, heroi i filmave të zhanrit aksion, ka thënë se rreziku nga një sulm në Sochi është “i largët”.

Seagal e ka shfrytëzuar këtë paraqitje televizive për të lavdëruar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe Shërbimin Federal të Sigurisë ruse (FSB).

Ai madje ka ftuar presidentin amerikan, Barack Obama, të forcojë bashkëpunimin me Rusinë.

"Ata janë një vend shumë i fuqishëm, me resurse natyrore spektakolate dhe kanë një lidership të mrekullueshëm. Dhe unë besoj se ata janë miqtë tanë dhe mendoj se nëse duam të mbijetojmë nga gëlltitja prej superfuqive të tjera ose nga ndikimi i tyre, e vetmja mënyrë është të bëhemi miq të mirë me Rusinë. Unë mendoj se ata duhet të jenë aleatët tanë më të mëdhenj”, ka thënë Seagal.

Arsyet e tij pse Sochi nuk mund të jetë vend i ndonjë sulmi terrorist bazohen në, siç është shprehur, praninë kolosale të forcave të sigurisë në këtë vend…

"Gjasat që cilido nga këta sulmues vetëvrasës të ketë sukses janë jashtëzakonisht të zbehta, nga vetë fakti se Sochi gjendet në një nivel të lartë sigurie. Ata [rusët] kanë burime të jashtëzakonshme, me një rrjet të hatashëm në mbarë botën. Presidenti Putin po bën të pamundurën, të pamundurën. Dhe siç e thashë, FSB dhe Alfa Spetsnaz [taskforca elitare kundër terrorizmit] janë njësitë më të mira në mbarë rruzullin tokësor, prandaj do të jetë e vështirë për këdo të ketë sukses”, ka thënë Seagal.

Huckabee e ka prezantuar aktorin e mirënjohur si një “ambasador jozyrtar, i cili ka zhvilluar një marrëdhënie miqësore me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin”.

Seagal në fakt gëzon raporte të mira përgjithësisht me Rusinë. Ai është fotografuar me presidentin rus dhe në marsin e vitit të kaluar, zëvendës kryeministri rus, Dmitry Rogozin, ka kërkuar që aktori të udhëheqë lobimin në Shtetet e Bashkuara për të mundësuar depërtimin e pushkëve të gjuetisë, të prodhimit rus, në tregun amerikan.(a.vidishiqi)

)
XS
SM
MD
LG