Ndërlidhjet

Katër kandidatë për veriun e Mitrovicës


Katër kandidatë të partive politike shqiptare e serbe, janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicës së veriut.

Deri në mesnatë kur përfundoi afati ligjor, Partia Demokratike e Kosovës, kandidoi Florent Azemin, Lidhja Demokratike e Kosovës Musa Miftarin, Lista serbe, Goran Radiqin, ndërsa Nisma qytetare SDP, Oliver Ivanoviqin.

Nisma qytetare SDP, vendosi në momentet e fundit të kandidojë kryetarin e saj Oliver Ivanoviq, i cili ndodhet në paraburgim nën dyshimet për përfshirje në krime lufte dhe krime të kryera pas luftës në Kosovë.

Kjo nismë tha se kandidimi i tij “është dëshmi se Oliver Ivanoviq, është i pafajshëm dhe se mosvënia e kandidaturës do të nënkuptonte se ai ka frikë nga akuzat e pabaza dhe të turpshme”.

Oliver Ivanoviq, edhe në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit që lamë pas, ishe kandidat për postin e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës.

Kandidatja e pavarur në zgjedhjet e vitit të kaluar, Adrijana Hoxhiq, kësja radhe ka vendosur të mos kandidohet.

Kjo e fundit, e cila mban edhe postin e shefes së Zyrës administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk do të kandidojë për kryetare të këtij qyteti, para së gjithash për shkak të, siç ka thënë ajo, përvojave të këqija në raundin e parë të zgjedhjeve.

Unë mendoj se shoqëria e jonë nuk e ka arritur atë nivel të demokracisë ku, qoftë për shqiptarët, qoftë për serbët, do të ishte e pranueshme që në një mjedis shumetnik, siç është Mitrovica e veriut, të jetë kryetar dikush që nuk vjen nga bashkësitë shqiptare apo serbe“, ka thënë Hoxhiq.

Zgjedhjet do të përsëriten meqë kryetari i zgjedhur vitin e kaluar, Kërstimir Pantiq, nga Lista serbe, nuk pranoi të bëjë betimin sipas ligjeve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG