Ndërlidhjet

Kërkohet debat parlamentar për gjendjen në UP


Protesta e studentëve
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:05 0:00

Protesta e studentëve

Për të tretën ditë me radhë, një grup i studenteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë bllokuar ndërtesën e Rektoratit të UP-së.

Ata janë shprehur të vendosur se do të protestojnë deri në largimin e rektorit Ibrahim Gashi.

Njëri nga organizatorët e protestës së studentëve, Durim Jasharaj, ka bërë të ditur se numri i studentëve, të cilët po i bashkohen protestës është duke u rritur dhe se kanë marrë mbështetjen edhe nga shumë qytetarë.

“Për të gjithë ata skeptikë e kritikë, të cilët dëshirojnë ta degradojnë protestën tonë, që thonë se ka pak studentë, ne kemi diçka t’ju themi, protesta jonë është duke u rritur dhe duke u mbështetur dhe ajo do të bëhet edhe më e madhe”, ka thënë Jashari.

Gjendja e krijuar në Universitetin e Prishtinës ka nxitur debate edhe në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës. Deputetët kanë kërkuar debat urgjent për gjendjen në Universitetin e Prishtinës, sidomos pas protestave të studentëve.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka thënë se për gjendjen e krijuar në Universitetin e Prishtinës, duhet debat.

“Ajo çka po ndodh, është pasojë e falsifikimit të dijes në Kosovë, e falsifikimit të diplomave të doktoraturave, në një situatë ku njerëzit i shërojnë komplekset e veta duke marrë diploma false. Te ne ndodh që doktorët e shkencës dhe mësimdhënësit nuk dinë shkrim dhe lexim. Do të kem kujdes për të mos i fyer të gjithë, pasi që ka edhe shumë njerëz të zot, ka shkencëtarë dhe intelektualë, por aq shumë është rritur numri i atyre që kanë gradë shkencore superiore dhe që nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën e tyre amtare, sa që është seriozisht e dhimbshme”, ka vlerësuar Gjini.

Edhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës mirëpret debatin për Universitetin e Prishtinës.

Deputeti i PDK-së, Ramë Vataj, ka thënë se konsideron që në këtë gjendje universiteti ka ardhur, ndoshta, siç thotë ai, edhe si pasojë e mungesës së një debati të mirëfilltë në kuadër të Universitetit të Prishtinës.

“Grupi Parlamentar i PDK-së është për një punë transparente në të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe institucioneve tjera shkencore, që të formohen komisione vlerësuese të të gjitha fushave, për të vlerësuar të gjitha diplomat e doktoratave dhe titujt e fituar, sidomos në kohën e pasluftës dhe mënyrën e pranimit dhe avancimit të profesorëve gjatë karrierës së tyre akademike. Jemi që të hetohen se a ka plagjiaturë në veprat dhe punimet e tyre dhe se çdo përftim i paligjshëm në këtë drejtim, të sanksionohet me heqjen e gardës dhe me kthim të të gjitha përftimeve që i ka arritur nga avancimi dhe pranimi i paligjshëm”, ka theksuar Vataj

Ndërkohë, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka inkurajuar grupet e partive parlamentare që të thirrin debat për gjendjen e krijuar në Universitetin e Prishtinës.

“Unë jam pro debatit parlamentar për gjendjen e arsimit kosovar. Jam ftuar nga Komisioni parlamentar për arsim dhe unë do të shkoj për të raportuar”, ka deklaruar Buja.

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkaq, ka bërë kërkesë për debat në Kuvendin e Kosovës lidhur me gjendjen në Universitetin e Prishtinës.

Ky debat pritet të zhvillohet javën e ardhshme.

Ndërtesa e Rektoratit të UP-së, e cila është mbajtur e bllokuar nga studentët që nga ora 7:45, ka bllokuar punën e këtij institucioni arsimor. Këshilli

Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të mërkurën, kishin kërkuar nga protestuesit që të mos bllokohet ndërtesa e Rektoratit, pasi që kjo po iu pamundëson atyre vazhdimin e një pune normale në rektoratin e UP-së.

Protesta e studentëve ka filluar në fund të javës së kaluar, menjëherë pas raportimit në mediat në Kosovë se në shumicën e punimeve shkencore që rektorit Ibrahim Gashi i janë njohur si kontribut për marrjen e titullit doktor shkence, janë të botuara në një revistë në Indi, e cila është revistë false shkencore.
XS
SM
MD
LG