Ndërlidhjet

Donacionet ulin rrezikun e përhapjes së infeksioneve


Ilustrim
Ilustrim
Në Qendrën Klinike Universitare, kanë hyrë shumë barna, material shpenzues, aparatura dhe pajisje mjekësore, në formë donacionesh.

Kjo ka arritur vlerën e disa milion eurove, për vitin 2013, thonë zyrtarë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë.

Një nga donacionet e mëdha që ka mbështetur sistemin shëndetësor në Kosovë ndër vite është edhe Fondi Global, ku fokusi ka qenë në parandalimin si dhe trajtimin e të sëmurëve me HIV, AIDS, dhe tuberkuloz.

Ndryshe, rreth një e treta e popullatës në botë është e infektuar nga tuberkulozi. Sipas profesionistëve shëndetësorë, çdo 10 sekonda, një person vdes në botë nga tuberkulozi dhe një i prekur nga kjo sëmundje mund të infektojë 10 deri në 15 njerëz brenda një viti.

Në Kosovë, gjatë vitit 2013 janë regjistruar rreth 1,000 raste me tuberkuloz, ka bërë të ditur Gazmend Zhuri, pulmolog.

Ndërkaq, Kosova numëron 90 persona të prekur me HIV/AIDS. Nga viti 1986, kur edhe është identifikuar rasti i parë në Kosovë, deri tash kanë vdekur 40 persona.

Sipas epidemiologëve, mosha më e përfshirë me HIV/AIDS është 25 -34 vjeç, derisa, sipas tyre, në aspektin gjinor, 69 për qind janë meshkuj.

Bahri Tigani, menaxher i projektit të Fondit Global, komponenti i tuberkulozit, në Ministrinë e Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se projekti i Fondit Global po vazhdon dhe është projekti i dytë pesëvjeçar, që përkrah Kosovën me nga rreth 5 milionë euro.

“Fondi Global ka përkrahur me dy projekte Kosovën. Çdo pesë vjet, me nga rreth 5 milionë euro. Pacientët i kanë barnat falas, ekzaminimin falas, marrin pako higjienike dhe ushqimore çdo muaj falas. Pastaj, janë blerë aparatura për shumë spitale, janë rinovuar spitalet e mushkërive, ku së fundmi është rinovuar edhe Spitali i mushkërive ne Prishtinë, e që ka kushtuar rreth 80 mijë euro. Këto janë përkrahjet që kemi marrë nga Fondi Global", thekson Tigani.

Zyrtarë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, kanë bërë të ditur se sa i përket analizimit të gjendjes shëndetësore, ky institut ka kapacitete ekzistuese që të monitorojë infeksionet e tuberkulozit dhe HIV-it, pasi që, sipas tyre, tashmë kjo sëmundje është e njohur dhe ekzistojnë të dhëna për të.

Edona Deva, përfaqësuese e projektit të Fondit Global, ka bërë të ditur se përmes këtyre programeve, do të vazhdojnë të bëjnë hulumtime që e masin prevalencën e infeksionit me HIV, në mesin e grupeve më të rrezikuara, si dhe do të krijohet një bazë e evidencës së të dhënave në shërbim të programit nacional.

“Nisur nga fakti që programi i Fondit Global e përkrah strategjinë e Kosovës për HIV/AIDS në aspektin financiar dhe në aspektin e zbatimit, na ka ndihmuar mjaft në aspektin e shërbimeve bazë, për grupet më të rrezikuara dhe atyre vulnerabile, shërbimeve shëndetësore dhe atyre parandaluese, si dhe në aspektin të ngritjes së interesimit për testim vullnetar për HIV”.

“Në aspektin e rritjes së interesimit për t’u inkuadruar në programin me metadon, te përdoruesit e drogave injektuese, por edhe në uljen e stigmës dhe diskriminimit te personat që jetojnë me HIV dhe ndaj grupeve tjera të margjinalizuara”.

“Përndryshe, me programet e Fondit Global janë zbatuar dhe do të vazhdojnë hulumtimet që e masin prevalencën e HIV-it në mesin e grupeve më të rrezikuara, por edhe të sjelljeve të rrezikshme të këtyre grupeve që në fakt krijojnë një bazë të evidencës së të dhënave në shërbim të programit nacional, për të planifikuar aktivitete dhe për të hartuar politika të nevojshme për vendin"
, thotë Deva.

Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë bërë të ditur se që në vitin 2003, ka filluar puna në Qendrat për këshillim dhe testim vullnetar në Kosovë, derisa në shkurt të vitit 2005, ka filluar të përdoret terapia retrovirale për personat që jetojnë me HIV.

Këto qendra për këshillim sot ofrojnë shërbime falas dhe deri tani aty janë testuar dhe këshilluar shumë klientë.
XS
SM
MD
LG