Ndërlidhjet

Kosova të investojë në infrastrukturë


Stadiumi i Prishtinës
Stadiumi i Prishtinës



Vendimi i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit – FIFA, që Kosova të luajë ndeshje ndërkombëtare miqësore, nga të rinjtë në Kosovë është pritur me mjaft entuziazëm.

Megjithatë, ata vlerësojnë se në vend ende nuk janë krijuar kushtet optimale për zhvillimin e ndeshjeve të tilla për shkak të infrastrukturës jo të mirë.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, ata shprehin mendimin se duhet investuar në infrastrukturë, të krijohen kushte për futbollistët e Kosovës që të rikthehen në vend për të marrë pjesë në përfaqësuesen e Kosovës, si dhe shprehin mendimet e tyre se cilët janë ata futbollist që do të dëshironin t’i shihnin në kombëtaren e Kosovës.

Alban Avdyli 22 vjeç, adhurues i sportit mendon se Kosova duhet të ketë kombëtare, por që sipas tij, duhet të investohet në infrastrukturë.

“Nuk ka infrastrukturë, duhet të investohet. Edhe Kosova duhet të ketë kombëtare, ka shumë futbollistë të famshëm që mund të kthehen në Kosovë dhe të luajnë për vendin e tyre, por ka edhe shumë futbollistë të cilët janë në Kosovë dhe që luajnë mirë”, thotë ai.

Të rinjtë e Kosovës tashmë kanë shprehur simpatinë e tyre për futbollistët me prejardhje nga Kosova dhe dëshirën që ata të marrin pjesë në kombëtaren e vendit, por ende nuk ka ndonjë përgjigje se cilët nga ta do të jenë pjesë e kësaj kombëtareje.

Vilson Shabani, një i ri nga Prishtina, mendon se futbollistët kosovarë janë të përgatitur dhe se sipas tij, me ardhjen e futbollistëve me prejardhje nga Kosova, të cilët luajnë për kombëtare tjera, ndeshjet miqësore do të jenë në favor të Kosovës.

“Besoj që jemi përgatitur mjaftueshëm. Kemi lojtarë që luajnë mirë. Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri duhet të vinë në Kosovë, në vendin e tyre të ndihmojnë këtë ndeshje miqësore dhe të fitojë Kosova”, shprehet ai.

Mungesën e infrastrukturës sportive, e cekë edhe Liridon Gashi, student i fakultetit të Arkitekturës.

“Mund të themi se në Kosovë mungon infrastruktura, mungojnë stadiumet e duhura për sport, ato të cilat janë nuk i plotësojnë kriteret e FIFA-së. Një stadium i cili përafërsisht mund t’i plotësojë këto kritere është ai në Mitrovicë, por që edhe aty duhet të investohet”, thekson ai.

Drita e gjelbër nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit - FIFA që Kosova të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtare, ka vënë në lëvizje mekanizmat përgjegjës, qoftë Federatën e futbollit, qoftë qeverinë e vendit, të bëjnë përgatitjet e nevojshme për një ndeshje të tillë, në afatin sa më të shkurtë.

Kosova ka dy stadiume në Prishtinë dhe në Mitrovicë, por që në gjendjen në të cilat janë aktualisht asnjëra nuk plotësojnë kushtet për t’u zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare.

Besart Shabani, adhurues i futbollit, mendon se përveç infrastrukturës edhe futbollistët kosovarë nuk janë mirë të përgatitur për këto ndeshje miqësore të lejuara nga FIFA.

“Unë besoj që ka futbollistë të mirë por kushtet janë të dobëta, ka talenta që mund të shkojnë përpara, por që nuk kanë pasur përkrahje. Qeveria duhet të ju jap mbështetje dhe ata do të mund të shkojnë përpara dhe të tregojnë suksese”, thekson ai.

Sidoqoftë , shumë të rinj mendojnë se Kosova mund të luajë në këto ndeshje miqësore vetëm nëse do të përfaqësohet nga futbollistët kosovarë që tani më janë të njohur në arenën sportive ndërkombëtare.

Driada Thaqi, shprehet:

“Vlerësoj se vetëm yjet tona të futbollit që deri më tani talentin e tyre e kanë ushtruar në shtetet tjera, ata mund të na përfaqësojnë më së miri. Kemi Lorik Canan, i cili është futbollist i mirë. Kemi shumë talente shqiptare në Zvicër. Nuk dua të nënvlerësoj futbollistët që janë në Kosovë por, që në ta nuk është investuar sa duhet, dhe tani është koha e fundit që Qeveria e Kosovës të punojë në këtë drejtim”.

Ndryshe nga Driada shprehet Nita, e cila ka shumë besim te futbollistët kosovarë.

“Mendoj që shqiptarët kanë shumë talent për futboll; në ndeshjet miqësore ata do të jenë shumë të mirë dhe do të korrin suksese”, shton ajo.

Por për Migjen Vokshin, 21 vjeç, Kosova nuk ka investuar në sport dhe as që do të mund të ketë ndonjë sukses në këtë fushë.

“Kosova si shtet nuk mendoj se do të arrijë edhe pse shumë lojtarë kanë thënë se do të kthehen por nuk besoj se ata do të vijnë të luajnë për Kosovën”, shton ai.

Përmbushja e kritereve të kërkuara infrastrukturore nga ana e FIFA-s, të paktën për stadiumin olimpik “Adem Jashari" në Mitrovicë dhe stadiumin e qytetit në Prishtinë, tashmë është bërë prioritet i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

FIFA thuhet se tani më ka përcaktuar terminin që ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare, Kosova mund ta zhvillojë me 5 mars.
XS
SM
MD
LG