Ndërlidhjet

Ezanin nuk e ndalon askush


Kosovë, foto nga arkivi
Kosovë, foto nga arkivi
Askush nuk ka tentuar dhe as nuk tenton që përmes Ligjit për mbrojtje nga ndotja akustike, të cilin e ka sponsoruar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe që në parim është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ta ndalojë “Ezanin”, thirrje kjo që i fton besimtarët mysliman në lutje, e as këmbanat e kishave katolike apo ortodokse në Kosovë, deklarojnë përfaqësuesit e bashkësive fetare në vend dhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Deklaratat e tilla vijnë pas debatit lidhur me këtë çështje, i cili është bërë i zjarrtë nga deputetë, medie dhe rrjete sociale.

Kundërshtimet ndaj këtij ligji kryesisht kanë qenë të ndërlidhura me çështjen e thirrjes së “Ezanit” dhe në mjaft raste kjo është keqinterpretuar si ndalesë për thirrjen e tillë.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi dhe përfaqësuesit e lartë të Bashkësisë Islame të Kosovës kanë zhvilluar ditën e hënë një takim, për të sqaruar situatën e krijuar, por edhe për të shkëmbyer përsëri mendimet lidhur me ligjin.

Ministri Gashi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se ministria që ai drejton e as Qeveria e Kosovës në përgjithësi, nuk kanë pasur mosmarrëveshje me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe në parim ishin pajtuar që në fillim lidhur me projektligjin.

“Në asnjë moment, as qeveria, as ministri, e askush nuk ka pasur tendencë e as ide që ta ndaloj ezanin. Unë, personalisht, do të kisha qenë kundër po që se dikush do të kishte tentuar ta ndaloj ezanin. Fjala, prej fillimit, ka qenë që të arrihet një marrëveshje ndërmjet qytetarëve, qeverisë dhe Bashkësisë Islame, për nivelin e zërit që i lëshohet ezanit, pra në këtë rast, nga altoparlantë të ndryshëm. Ka pasur mirëkuptim dhe ka shumë mirëkuptim nga BIK-u, por këtu kanë interferuar zëra, të cilët kanë dashur ta keqpërdorin këtë situatë për përfitime politike”, shprehet Gashi.

Ahmet Sadriu, zyrtar i Bashkësisë Islame të Kosovës për komunikim me media, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë pasur mosmarrëveshje me Qeverinë e Kosovës lidhur me Ligjit për mbrojtje nga ndotja akustike.

Madje, sipas tij, qeveria ka pranuar vërejtjet e caktuara, që shkojnë në të mirë të ligjit dhe që shmangin keqkuptimet.

“Këtu nuk ka të bëjë me ndalesë të Ezanit. Më shumë kemi të bëjmë me një përkufizim të tonit, në një kohë dhe në një periudhë të caktuar. Kështu që, ne u dakorduam që bashkërisht ta zgjedhim formën e aplikimit të këtij ligji. Por, çka është me rëndësi këtu dhe ndoshta edhe reagimet kanë ardhur për këtë shkak, është kategorizimi i objekteve fetare si burim zhurme. Mirëpo, ne u morëm vesh që kjo të ndahet në një kapitull të veçantë dhe të rregullohet kjo në marrëveshje në mes nesh”, bën të ditur Sadriu.

Ministri Gashi ka konfirmuar se pjesa e ligjit, e cila ka të bëjë me objektet fetare, do të përfshihet në një kapitull të veçantë brenda po të njëjtit ligj.

Dom Lush Gjergji, famullitar i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës, në bisedën me Radion Evropa e Lirë, shpërfaq qëndrimin bazë të Kishës katolike në Kosovë, siç thotë ai, për harmonizim dhe rregullim në bazë të ligjeve dhe normave ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit nga ndotja akustike.

“Për çdo gjë jemi jo vetëm dakord, por propozues, përkrahës që gjërat të harmonizohen me ligj dhe ashtu të përcaktohet çdo gjë. Nëse ka diçka që ka ende të harmonizohet dhe të rregullohet, jemi të gatshëm për një bashkëpunim miqësor dhe vëllazëror. Nuk duam ta ngarkojmë askënd, prandaj as ndotjen akustike, sepse jemi në shërbim të Zotit dhe të popullit dhe duam që populli ta ndjej vetveten sa më mirë dhe sa më qetë”, thotë Dom Lush Gjergji.

Në anën tjetër, Lëvizja Islame për Bashkim, e njohur si LISBA, përmes rrjeteve sociale, ka reaguar ndaj këtij ligji.

Siç thuhet, “anëtarët e kryesisë së LISBA-s kanë rënë dakord që nuk do të lejojnë ndalimin e ezanit e as uljen e zërit”.

Ata madje i kanë bërë thirrje ministrit Gashi duke thënë “nëse është trim le të vijë dhe ta ndalojë Ezanin”.

Por, ministri Gashi, ka theksuar se LISBA po e keqpërdorë situatën, ndërkohë që, siç thotë ai, kjo lëvizje nuk është përfaqësuese e fesë islame në Kosovë.

“LISBA, e cila çdo herë e keqpërdorë çdo situatë që vjen, për të manipuluar me opinionin, për të dalë si gardian të vetëshpallur të fesë islame. Dihet kush e reprezenton fenë islame në Kosovë. Është BIK-u dhe dihet që Kushtetuta e mbron çdo bashkësi fetare, përfshirë edhe bashkësinë islame dhe nuk ka nevojë për gjëra të tilla që krijojnë përçarje dhe dhunë në Kosovë”, thekson Gashi.

Sadriu ka shprehur indinjatën për, siç ka thënë ai, elektrizimin e situatës nga mediet, lidhur me çështjen e ligjit.

Ai po ashtu ka theksuar se nuk ka nevojë askush që të marrë kujdestarinë mbi organizimin e jetës fetare, përveç institucionit legjitim dhe legal, në këtë rast, Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Ne jemi ata që jemi përgjegjës. Bashkësia Islame, si institucion që është kredibil, që është përgjegjës për organizimin e jetës dhe mbarëvajtjes së jetës fetare (islame) në Kosovë, ajo është përgjegjëse dhe do t’i marrë përgjegjësitë. Nuk kemi nevojë që dikush të na ‘kujdestarojë’ dhe të tentojë që t’i marrë përgjegjësitë e një institucioni, siç është Bashkësia Islame”, thotë Sadriu.

Ndryshe, ministri Gashi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tashmë janë dakorduar me Bashkësinë Islame të Kosovës që të filloj pilot-projekti, fillimisht në Prishtinë, i cili do t’ia mundësojë Bashkësisë Islame të Kosovës që ta centralizojë transmetimin e thirrjes së “Ezanit” , në mënyrë që në të njëjtën kohë dhe me volumin e caktuar të njëjtë, “Ezani” të thirret në të gjitha xhamitë e Prishtinës.
XS
SM
MD
LG