Ndërlidhjet

Klinikat, pa barna emergjente


Ilustrim
Ilustrim
Institucionet publike shëndetësore prej pasluftës nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale me barna, për shkak të buxhetit të ulët që ka Ministria e Shëndetësisë, dedikuar furnizimit me barna.

Sipas zyrtarëve të lartë, lista esenciale ka qenë shumë e gjerë, andaj edhe ka qenë e pamundur përmbushja në tërësi. Dhe, si rezultat i kësaj, është bërë klasifikimi i listës në tri kategori. Lista vitale, ajo esenciale dhe jo-esenciale.

Lista vitale do të duhej të përmbushej 100 për qind, në mënyrë që pacientët të mos vuajnë brenda institucioneve shëndetësore për barna, prej të cilave u varet jeta, kanë deklaruar zyrtarë shëndetësorë.

Por, ditëve të fundit zyrtarë brenda QKUK-së kanë bërë të ditur se po rrezikohet jeta e pacientëve për shkak të mungesës së barnave esenciale dhe materialit shpenzues, gjë që ka shtyrë bordin ekzekutiv të drejtorëve të bëjë blerje emergjente të barnave, që do të shërbejnë për funksionimin e Klinikës emergjente, asaj të anestezionit, si dhe sallave të operacionit.

Shpend Fazliu, zëdhënës në këtë institucion, ka deklaruar se QKUK-ja do të bëjë 14 blerje të shpejta emergjente me vlerë të vogël, kërkesa këto që janë miratuar edhe nga Agjencia për Financimin e Shëndetësisë së Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Megjithatë, sipas Fazliut, këto blerje nuk do ta zgjidhin problemin e tërësishëm të barnave.

“Ministria e Shëndetësisë ka bartur buxhetin për furnizim me barna për të gjitha institucionet shëndetësore. Ka filluar procedura e porosive nga barnatorja qendrore përmes kërkesave që kanë bërë klinikat. Tash po ndihet mungesa dhe ka mungesa edhe në Emergjencë, në Klinikën e anestezionit dhe Mjekimit intensiv”.

“Dhe, duke e parë këtë situatë, bordi ka reaguar duke kërkuar që të bëhet blerja emergjente dhe të sigurohen të paktën barnat bazike, në mënyrë që të funksionojnë sallat e operacionit, sallat e lindjes dhe mjekimi intensiv. Kjo do ta zbusë sadopak këtë gjendje, por nuk do të ndikojë në përmirësim të dukshëm të gjendjes”, ka bërë të ditur Fazliu.

Edhe vetë pacientët janë ankuar për mungesë barnash nëpër spitalet publike.

“Kur shkon në spital, fillimisht s’ke gjilpëra, barna, krejt duhet blerë vetë. Cilësia e ushqimit nuk është në nivel. Kush shkon në spital fillimisht duhet t'i sigurosh së paku 100 euro, t'i kesh me vete, përndryshe mbetesh pa barna dhe shërbim, sepse aty gjithmonë mungon diçka", ka thënë pacienti Kastriot Berisha.

E, mjekët brenda Qendrës Klinike Universitare, kanë pohuar se mungesa e barnave tashmë është bërë një problem kronik.

Haxhi Avdyli, neurokirurg i ka thënë Radios Evropa e Lirë se një planifikim jo i mirë, si dhe mungesa e përkrahjes financiare për furnizim me barna për këto klinika, e kanë sjellë në këtë gjendje institucionin në fjalë.

“Shumë klinika nuk e kanë furnizimin e nevojshëm as për minimumin e funksionimit të saj. Mungojnë gjërat bazike, që nuk mund të niset puna në këto klinika. Fatkeqësisht, kjo ndodh për shkak se nuk ka një planifikim të hollësishëm të nevojave ditore, mujore, por edhe vjetore. Përveç mungesës së planifikimit, është edhe mungesa e mjeteve financiare dhe kjo shkakton problem për punën tonë të përditshme”.

“Sa i përket sallave të operacionit, secili pacient që duhet t’i nënshtrohet operacionit e ka një listë që duhet t’i blejë barnat vetë. Për operacionet emergjente, familjarët me urgjencë i blejnë barnat edhe pse ekziston një kontingjent i vogël që për operacione emergjente ekzistojnë disa barna”
, është shprehur Avdyli.

Ndërkaq, sipas Shpend Fazliut, këto ditë janë duke u shpenzuar stoqet e fundit emergjente, derisa, siç ka thënë ai, pritet që javën e ardhshme të bëhet furnizimi emergjent, në mënyrë që sallat e operacionit, emergjenca e mjekimi intensiv të mos mbesin pa asnjë ilaç.
XS
SM
MD
LG