Ndërlidhjet

Shkarkohet Yanukovych, lirohet Tymoshenko


Lirimi i Tymoshenkos
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

Lirimi i Tymoshenkos

Shkarkohet nga Parlamenti ukrainas presidenti Viktor Yanukovych, ndërsa lirohet nga burgu ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko.

Deputetët e Parlamentit të Ukrainës me shumicë votash, kanë caktuar të shtunën 25 majin, si ditë të zgjedhjeve të parakohshme presidenciale, pasi vlerësuan se Yanukovych nuk ishte i aftë për t’i kryer detyrat e tij si kryetar shteti.

Para votimit, kryetari i posazgjedhur i parlamentit ukrainas, Oleksandr Turchynov tha:

"Populli i Ukrainës, shteti jonë, nuk mund të varet nga disponimi i presidentit i cili shkarkoi veten nga detyrat e tij ekzekutive, dhe qëndron në një vend të panjohur për ne”.

Gjatë një interviste të regjistruar paraprakisht të shtunën me një televizion lokal që gjendet në lindje të qytetit Kharkiv, Yanukovych ka njoftuar se nuk e ka ndërmend që të japë dorëheqje nga posti i presidentit.

Ai i ka përshkruar ngjarjet në Ukrainë, si “vandalizëm, banditizëm dhe grusht shtet”, dhe se të gjitha vendimet e marra gjatë ditës së shtunë nga Parlamenti, janë të jashtëligjshme.

"Nuk do të largohem nga Ukraina, dhe të shkoj gjetiu. Nuk do të dorëhiqem. Unë jam president i zgjedhur në mënyrë legjitime. Mua më janë dhënë garanci nga të gjithë ndërmjetësit ndërkombëtarë me të cilën punova – se më japin garanci për sigurinë time. Pres të shoh se si do t’i përmbushin ata këto zotime”, ka porositur Yanukovych.


Ndërkohë, Tymoshenko është liruar nga spitali-burg që gjendet në qytetin lindor Kharkiv, ku ruhej në masa të rrepta të sigurisë.

Ajo ishte burgosur në vitin 2011, pasi gjykata e dënoi me shtatë vjet burg, për shkak të keqpërdorimit të pushtetit.

Në një deklaratë që ka publikuar në portalin e saj, Tymoshenko shkroi se “diktatura ka rënë”.

Lideri i Partisë së Atdheut, Arseniy Yatsenyuk, tha se Tymoshenko është rrugës për në Kiev, ku protestuesit anti-qeveritar kanë marr nën kontroll zyrat administrative të presidentes.

Ligjvënësit votuan të shtunën pasdite për lirimin e Tymoshenkos, ndërsa zgjodhën aleatët e saj të afërt, Arsen Avakov si ministër të punëve të brendshme dhe Oleksandr Turchynov, si kryetar të ri të kuvendit ukrainas.

"Autoritetet e reja në Ukrainë kanë nisur punën, dhe po punojnë në stabilizimin e gjendjes në Ukrainë. Qendra e pushtetit në Ukrainë, është këtu në Parlamentin e Ukrainës”, ka thënë ai.

Kuvendi i Ukrainës po ashtu ka shkarkuar përmes një votëbesimi edhe kryeprokurorin e shtetit, Viktor Pshonka.

Në një deklaratë për medie, shtatmadhorie e ushtrisë ukrainase ka thënë se “forcat e armatosura të Ukrainës janë besnike ndaj obligimeve të tyre kushtetuese, dhe nuk mund të përfshihen në një konflikt të brendshëm politik”.

Ky njoftim, erdhi pak orë pasi ministria e punëve të brendshme njoftoi se ”është në përkrahje të plotë me popullin ukrainas” ndërsa ka bërë thirrje edhe për “bashkim të forcave për të kthyer rendin publik”.

Në Kharkiv ndërkaq, një delegacion i guvernatorëve rajonal ka nënshkruar një deklaratë përmes së cilës nuk i njihet autoriteti parlamentit qendror.

Në këtë rezolutë, ata i kanë bërë thirrje qeverive lokale që “të marrin përgjegjësitë për ruajtjen e rregullit kushtetues, ligjshmërisë, dhe të ruajnë të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve në territorin tonë” përderisa “të mos kthehet rregulli kushtetues dhe ligjshmëria”.

Të premten, Yanukovych dhe liderët opozitar kanë nënshkruar një marrëveshje për rikthimin e kushtetutës së vitit 2004.

Në këtë marrëveshje parashihet edhe krijimi i qeverisë së unitetit, dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale, deri në fund të këtij viti.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG