Ndërlidhjet

Derisa kriza politike në Turqi bëhet personale, Erdogan rrit kontrollin


 Recep Tayyip Erdogan
Recep Tayyip Erdogan
Për disa muaj, skandali i korrupsionit në Turqi sillej rreth njerëzve të afërt me Recep Tayyip Erdogan, por nuk i afrohej dot vetë kryeministrit.

Mirëpo, publikimi i një incizimi të hënën, ku pretendohet se është një bisedë ndërmjet tij dhe të birit, Bilallit, po e bën këtë skandal vërtet shumë personal për Erdoganin.

Në këtë regjistrim të postuar në internet, Erdogani supozohet se i thotë të birit që t’i heqë qafe miliona dollarë nga shtëpia, për shkak të hetimit anti-korrupsion që është duke u zhvilluar kundër zyrtarëve qeveritarë.

Kryeministri turk e ka quajtur këtë incizim si të fabrikuar, mirëpo subjekti kryesor opozitar në këtë shtet, Partia Republikane e Popullit (CHP), thotë se ka konfirmuar që kjo bisedë është autentike.

Regjistrimi i publikuar është përshkallëzimi i fundit i krizës politike në këtë vend, në të cilin pothuajse çdo ditë po ka rrjedhje të informatave të dyshuara për korrupsion të zyrtarëve qeveritarë, të cilat përpjekje në anën tjetër, po përcillen me një qasje agresive të Erdoganit për të ngulfatur burimet e supozuara të këtyre informatave.

Meqë po duket se burimet e këtyre informacioneve po del të jenë nga brenda qeveria, kriza ka marrë një kahe të pazakonshme të një lufte brenda vetw qeverisë.

Kjo ka shkaktuar një lloj frike të kërcënimeve, pasi Erdogani po i përgjigjet krizës duke u munduar në vazhdimësi që të shtrëngojë kontrollin mbi institucionet e pavarura shtetërore, dhe nuk ka shenja se e ka ndërmend që të ndalet.

Tunc Aybak, një ekspert për politikën në Turqi, në Universitetin Middlesex të Anglisë, ka këtë shpjegim:

"Duket se regjimi i Erdoganit po krijon një gjendje të jashtëzakonshme, pasi po e shtrëngon rripin e tij ekzekutiv. Prej se kanë nisur dyshimet për korrupsion, ai ka ndërhyrë rëndë në prokurori dhe agjencitë e tjera, duke larguar nga puna prokurorët ose i ka zhvendosur nga postet e tyre, dhe ka nxjerr ligje të reja. Për shembull, partia e tij ka paraqitur masa të reja të kontrollit të internetit, duke i subordinuar shërbimet sekrete direkt te zyra e tij, që e bën këtë agjenci edhe më pak të përgjegjshme për proceset juridike”.

Erdogan ka arsyetuar veprimet e tij duke pretenduar se qeveria e tij është duke u sulmuar nga një “shtet paralel”, i cili është i infiltruar thellë në agjencitë e sundimit të ligjit dhe në media, e që si i tillë, ky grupim paraqet një kërcënim për stabilitetin e Turqisë.

Ai nuk ka emëruar kurrë drejtpërdrejt asnjë nga armiqtë e tij, por ka përdorur referenca, të cilat e bënin të qartë për dëgjuesit turk, se po akuzon mbështetësit e Fethuallah Gulen, një kleriku mysliman me ndikim, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara.

Lëvizja Gulen, e cila vepron gjithandej me një rrjet të shkollave private në Turqi, fillimisht është rreshtuar me konservativët fetar të Erdoganit nga Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP), për ta sjellw atë në pushtet në vitin 2003.

Megjithatë, dy aleatët e dikurshëm ishin ndarë, siç besohet, pas problemeve për ndarjen e pushtetit dhe stilit personal autoritar të Erdoganit.

Wolfango Piccoli, një ekspert për Turqinë në kuadër të Teneo Intelligence, një organizatë këshilluese amerikane, thotë se hapat e ardhshëm të Erdoganit pas publikimit të incizimeve, pritet të jenë mbi rrjetin e Lëvizjes Gulen.

"Ky mund të jetë hapi i radhës duke shpejtuar draft-ligjin, me të cilin urdhërohet mbyllja e shkollave [të Gulen] në Turqi, të cilat janë vitale për lëvizjen e Gulenit dhe atë për dy arsye: e para sepse sjellin një burim të madh financiar, dhe e dyta, sepse ato janë një terren fenomenal për nxjerrjen e kuadrove të reja për Gulenin. Andaj, mendoj se draft-ligji mund të miratohet shumë shpejt”, thotë Piccoli.

Shkollat tipike të Gulenit, ofrojnë kurse private gjatë fundjavës për studentët e shkollave të mesme, për t’i ndihmuar ata që të kalojnë provimin e maturës për t’u regjistruar në Universitet.

Sipas ligjit të ri, të gjitha shkollat e tilla përgatitore do të viheshin nën mbikëqyrje të rreptë të shtetit.

Partia e Erdoganit ka shumicën në Parlament dhe besohet se ligji do të aprovohet shumë lehtë.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG