Ndërlidhjet

Pasiguria nga armët ilegale


Pas incidenteve të shpeshta me armë kohëve të fundit në Kosovë, anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i bëjnë thirrje autoriteteve të rendit që të ofrojnë siguri më të madhe për qytetarët në gjithë vendin.

Anëtarët e Komisionit për Siguri në Kuvend, thanë se janë duke punuar në amandamentimin e ligjit për armët në mënyrë që të ketë kontroll dhe rregull më të madh të për armët.

Kryetari i Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri Ahmet Isufi, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deklaron se Policia Kosovës, duhet të ndërmarrë veprime më energjike për të ofruar siguri më të madhe dhe për të konfiskuar armët e ilegale.

“Është obligim i Policisë së Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha masat të zbatojnë ligjin dhe të gjithë ata që posedojnë armë pa leje që t'u konfiskohen ato, për shkak se tani po behët dukuri përdorimi i tyre edhe në vende publike. Në të ardhmen në ligjin për armë dhe për posedimin e armëve do të shikojmë të ndërmarrim masa më të rrepta”, thotë Isufi.

Ndryshe, në fund të vitit të kaluar, nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, UNDP-së, Policisë së Kosovës dhe të tjera organizata janë shkatërruar 1,315 armë të konfiskuara dhe të dorëzuara pa leje.

Si pasojë e përdorimit të armëve, në vitin 2013 kanë humbur jetën 39 persona, kurse vetëm në fillim të vitit 2014, deri me datën 14 shkurt, janë vrarë 5 persona, dhe sipas policisë, edhe pas kësaj date ka pasur raste të tjera të vrasjeve me armë zjarri dhe të ftohta.

Rexhep Selimi anëtar i Komisionit për Siguri, thotë se kosovarët nuk duhet të posedojnë armë ilegale.

Ai konsideron se qytetarët në Kosovës mbajnë armë pasi që shteti nuk ka arritur ende t’i bind ata se nuk duhet t’i mbajnë ato.

“Është evidente që në bazë të statistikave të policisë njerëzit kanë armë ilegale. Por, ende shteti i Kosovës nuk ka arritur që ata t'i bind vërtet që nuk kanë nevojë për armë as ku bëhet fjalë për vetëmbrojtje, as kur bëhet fjalë për mbrojtjen e shtëpisë, as kur bëhet fjalë për mbrojtjen e familjes".

"Shteti i Kosovës duhet të ofrojë siguri që nuk e ka bërë asnjëherë deri më tani. Shteti i Kosovës duhet të bëjë gjithçka në uljen e kriminalitetit. Ne e dimë kush janë problemet e qytetarëve të cilët i bëjnë ata që të kenë shpresë të padrejtë për armën”, thekson Selimi për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, në Policinë e Kosovës thonë se autoritete e rendit janë duke ofruar siguri të mjaftueshme për gjithë qytetarët dhe se ata nuk kanë nevojë që të mbajnë armë ilegale në shtëpitë e tyre.

Njeri nga zëdhënësit e Policisë se Kosovës, Baharim Sadriu tha për Radion Evropa e Lirë, se gjatë vitit të kaluar janë konfiskuar 1,366 armë ilegale kurse rreth 16,298 municion apo fishek armësh.

Frika, mosbesimi tek institucionet e sigurisë, si dhe tradita bashkëkohore, janë disa nga arsyet pse qytetarët e Kosovës mbajnë armë në mënyrë të paligjshme, thonë autoritetet kosovare.

Kuvendi i Kosovës në vitin 2010 kishte miratuar Ligjin për armët e vogla dhe udhëzimet administrative përcjellëse. Ky ligj është duke u amandametuar.
XS
SM
MD
LG