Ndërlidhjet

Lëndohen dy policë gjatë ndërhyrjes në veri


Ilustrim
Ilustrim
Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë marr lëndime derisa po përpiqeshin të ndalnin turmën prej rreth 150 personash, të cilët të mërkurën mbrëma sulmuan një stacioni policor në veri, dhe liruan një qytetar serb nga paraburgimi.

Lajmin e konfirmon për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskomandanti rajonal i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti.

“Dy pjesëtarë të policisë së Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta, pasi që janë përballur me masën në atë moment”, ka thënë Hoti.

Vendi prej nga është liruar i paraburgosuri, ishte shtëpi private, e cila vazhdon të përdoret si stacion i improvizuar i policisë, në mungesë të një objekti të mirëfilltë për forcat e rendit.

Në oborrin e kësaj shtëpie ndërkaq, është i vendosur një kontejner, që sipas dëshmitarëve i ngjan më shumë një “kiosku” dhe shërben si hapësirë për t’i intervistuar personat që sillen në stacion.

Masat e sigurisë në këtë lokalitet, nuk janë të përmasave sikur ato të zakonshme që janë të zbatueshme në shumicën e stacioneve policore në Kosovë, meqë bëhet fjalë për një shtëpi private.

“Kemi pasur një grup prej 100 deri më 150 persona, të cilët në vazhdimësi, kishin bërë presion përpara objektit të stacionit policor në Zubin Potok, me kërkesë për lirimin e tij [të arrestuarit]. Kemi pasur edhe bllokadë të rrugës. Sidoqoftë, kemi regjistruar diku pas orës 19h20 arratisjen e tij me mundësimin pas një presioni të një grupi të qytetarëve”, ka pohuar zëvendësdrejtori i policisë për veri Besim Hoti.

Sipas tij, i arrestuari i arratisur ishte arrestuar për një kërcënim dhe prishje të rendit publik.

Ndërsa më vonë, ishte vërtetuar se ndaj të njëjtit kishte një urdhër arrest aktiv që nga viti 2012, lëshuar nga ish-gjykata e Qarkut në Mitrovicë.

“Personi [i arrestuar] ka qenë duke u mbajtur në një kontejner, i cili ka qenë përpara stacionit policor. Ndërsa qasja ka qenë e lehtë për grupin e personave, të cilët vazhdimisht kanë bërë presion mbi autoritetet policore, për lirimin e të arrestuarve”, ka thënë Hoti.

Policia e Kosovës në veri, ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e të arratisurit.

Prokurori publik ka hapur dy raste për vepra penale, njërën për arratisjen e personit të arrestuar dhe të dytën për mundësim të arratisjes së personit të arrestuar.

Hoti ka bërë të ditur se lidhur me këtë incident është suspenduar përkohësisht zëvendëskomandanti i stacionit policor në Zubin Potok, dhe se policia do të hetoj “të gjitha neglizhencat e mundshme në kuadër të veprimeve policore”.

Në anën tjetër, kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vulloviq, u ka thënë gazetarëve se "banorët lokalë kanë depërtuar dhe kanë liruar personin e arrestuar Sllobodan Sovërliq".

Në deklaratën për gazetarët, Vulloviq citohet nga mediat serbe të ketë thënë se "disa makina të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ishin larguar nga ky qytet".

EULEX: Turma nuk do të sundojë

Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, përmes një komunikate për shtyp, ka reaguar për dhunën e ushtruar dhe sulmin mbi Stacionin e policisë në Zubin Potok, nga siç thuhet “një turmë vendëse, e që rezultoi me lirimin e paligjshëm të të dyshuarit të ndaluar, Slobodan Sovrliq, i kërkuar për vepra të rënda penale".

Sundimi i turmës, sipas EULEX-it, nuk mund të tolerohet në asnjë shoqëri, ndërsa ka nënvizuar se “kjo turmë duhet të izolohet, meqë paraqet kërcënim për të gjithë qytetarët që e respektojnë ligjin".

Sipas misionit evropian, dje ka ndodhur edhe një shpërthim në afërsi të stacionit të policisë, dhe për këtë gjë ka kërkuar hetim të hollësishëm, pasi
është penguar vendosja e drejtësisë në Zubin Potok.

Mes tjerash në komunikatën e EULEX-it i bëhet thirrje komunitetit serb në veri të Kosovës, që të japë informata lidhur me ngjarjet e dhunshme.

Veriorët ndërpresin bashkëpunimin me EULEX-in, Daçiq dënon sulmin

Pas incidentit të mbrëmshëm në Zubin Potok, shihen forca të shumta policore në veri, të cilat janë në zbatim të planit operativ për kapjen e të arratisurit.

Liderët e serbëve në veri, të mbledhur pas kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Lleposaviqit dhe Zubin Potokut, u kanë bërë thirrje organeve të rendit që të mos sjellin forca shtesë policore, të cilat janë jashtë rajonit verior policor.

Ata janë takuar të enjten në Zubin Potok, ku sipas medieve serbe, është nxjerrë një konkluzion, me të cilin “u ndalohet hyrja të gjitha njësive” policore të tjera.

Prijësit politikë të serbëve në katër komunat veriore, kanë kërkuar kthimin në punë të zëvendëskomandantit të suspenduar të stacionit policor në Zubin Potok.

Deri në plotësimin e kësaj kërkese, siç raportojnë mediet serbe, kryetarët verior kanë vendosur “që të ndërpresin bashkëpunimin me EULEX-in dhe komandën policore në Prishtinë”.

Në anën tjetër, për sulmin e turmës ndaj policisë në Zubin Potok, ka reaguar edhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq, sipas të cilit kjo gjë është e papranueshme, meqë janë serbët që kanë sulmuar serbët.

“Unë s’po kuptoj se kush kundër kujt po proteston! Që do të thotë se kjo nuk ka asnjë lidhje me raportet ndëretnike. Pra, rregull duhet të ketë dhe mënyra e tillë e zgjidhjes së problemeve, është e patolerueshme”, u ka thënë Daçiq gazetarëve në Beograd.
XS
SM
MD
LG