Ndërlidhjet

Rritja e pagave do të shkaktojë ngritje çmimesh


Ilustrim
Ilustrim
Inflacioni prej 1.3 për qind deri në 5 për qind, sa ka qenë ndonjë herë në Kosovë, nuk arrin ta zhvlerësojë rritjen e pagave së fundi nga Qeveria e Kosovës për 25 për qind, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë. Megjithatë, ata thonë se rritja e pagave do të shkaktojë ngritje të çmimeve.

Ekspertët, thonë se rritja e pagave për 25 për qind për shërbyesit civilë, në sektorin publik, është dukshëm shumë herë më e madhe sesa inflacioni që është paraqitur në gjashtë vjetët e fundit.

Sipas tyre, inflacioni në Kosovë në vitet e fundit nuk e ka kaluar asnjëherë normën dyshifrore.

Inflacioni, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin e kaluar ka qenë jo më shumë se 1.3 për qind.

Profesori i ekonomisë, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nuk mund të ngrihet një paralele ndërmjet rritjes së pagave dhe inflacionit, i cili është paraqitur në Kosovë gjatë viteve të fundit.

“Nëse e bëjmë krahasimin e rritjes së pagave me inflacionin, unë mendoj se rritja e pagave është dukshëm shumë herë më e madhe sesa inflacioni, për arsye se inflacioni në Kosovë, bashkuar në pesë-gjashtë vjetët e fundit, nuk e kalon shifrën dyshifrore, derisa rritja e pagave vetëm gjatë këtij viti është 25 për qind”, bën të ditur Gashi.

Edhe profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, konsideron se rritja e pagave është në një shkallë më të lartë sesa niveli i inflacionit.

Megjithatë, sipas Ramosajt, kjo shkallë e rritjes së pagave do të shkaktojë rritje të inflacionit dhe ai shkaktar do të jetë krejt i natyrës artificiale i panevojshëm, e i pakontrolluar.

“Kjo rritje e pagave mund t’i inkurajojë bizneset me rritje të çmimeve. Kur e shohin që janë rritur pagat në përqindje të caktuar, kur rritet sasia e parave në qarkullim dhe ofertuesit tentojnë për aq sa munden, t’i rrisin çmimet. Andaj, rritja e çmimeve mund të shkaktojë rritje të inflacionit. Kryesisht në Kosovë inflacioni nuk rritet si rezultat i rritjes së sasisë së parave në qarkullim, por rritet më shumë nga pozitat monopoliste që kanë bizneset e ndryshme”, vlerëson Ramosaj.

Në Kosovë nuk ka pasur rritje të pagave që nga viti 2011. Qeveria e Kosovës në vitin 2011, kishte ngritur pagat për punonjësit e sektorit publik prej 30 deri në 50 për qind, vendim ky i cili në atë kohë ishte në kundërshtim me atë që kishte thënë Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, vlerëson se me rritjen e pagave që është bërë gjatë viteve të fundit, Kosova qëndron afër vendeve të rajonit sa i përket pagave. Ai konsideron se kjo rritje e pagave është e bazuar në një zhvillim të brendshëm ekonomik, në zhvillimin dhe në rritjen e bruto - produktit vendor.

“Me vetë faktin që viteve të fundit kemi rritje të GDP-së dhe rritje të buxhetit të shtetit, atëherë kjo me automatizëm na mundëson që të kemi një rritje të pagave. Do të ishte paradoksale sikur të hyrat në buxhetin e Kosovës të ulen dhe ne t’i rrisim pagat në sektorin publik. Mirëpo, në Kosovë ka ndodhur e kundërta, do të thotë është rritur edhe buxheti edhe GDP-ja, por janë rritur edhe pagat”, thekson Gashi.

Ndryshe, që nga muaji prill i këtij viti, të gjithë shërbyesit civilë në sektorin publik në Kosovë, do të marrin pagat me rritje nga 25 deri në 50 për qind.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG